Aflatoksina në qumështin kosovar: Çfarë është dhe sa rrezik paraqet

0%

Qytetarët e Kosovës janë përballur muajve të fundit me shqetësime për sigurinë dhe cilësinë e qumështit vendas, të cilat u shtuan këtë javë pas urdhrit të autoriteteve për tërheqjen nga tregu të një lloj qumështi në të cilin u gjet një substancë e rrezikshme për shëndetin.

Pas një paralajmërimi nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, trupi përgjegjës për sigurinë e ushqimit në Kosovë njoftoi më 26 gusht se në qumështin UHT Land 3.2%, të prodhuar në vend, u gjet mykotoksinë, që konsiderohet potencialisht kancerogjene për njerëzit.

Se çfarë dihet për gjetjet në këtë markë qumështi, si formohet aflatoksina M1, dhe çfarë rreziqesh shëndetësore paraqet ajo, mund të lexoni më poshtë. Çfarë ndodhi?

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AFV) e Maqedonisë së Veriut njoftoi më 25 gusht se kishte shkatërruar dy ngarkesa me 27 tonë qumësht UHT (të trajtuar në temperaturë ultra të lartë), të importuara nga Kosova, për shkak të pranisë së aflatoksinës mbi përqendrimet maksimale të lejuara me rregulloret ligjore.

Më pas, autoritetet maqedonase njoftuan homologët e tyre në Kosovë rreth gjetjeve të tyre. Të nesërmen, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) e Kosovës urdhëroi tërheqjen e menjëhershme të qumështit UHT Land 3.2% nga tregjet vendase.

AUV tha se qumështi UHT Land 3.2% prodhohet nga Qumështorja Vita, e cila bashkë me prodhues të tjerë vendas rishtazi ka qenë nën monitorim nga autoritetet lidhur me gjendjen e qumështit. AUV nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për të dhënë më shumë hollësi rreth rastit. As Qumështorja Vita nuk iu përgjigj pyetjeve për koment.

Çka është aflatoksina M1 dhe si përfundon ajo në qumësht? Aflatoksina M1 është mykotoksinë, një substancë toksike që prodhohet natyrshëm nga disa lloje myqesh, kryesisht kërpudhat aspergillus flavus dhe aspergillus parasiticus. Këto myqe mund të zhvillohen në kultura bujqësore, veçanërisht në kushte të ngrohta dhe të lagështa, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Afrim Hamidi, ekspert dhe ligjërues i sigurisë ushqimore dhe toksikologjisë në Universitetin e Prishtinës, shpjegon për Radion Evropa e Lirë se si zhvillohet kjo toksinë dhe si mund të përfundojë deri në qumështin e konsumuar. Ai thotë se myku në ushqimin e kafshës mund të prodhojë aflatoksinë B1.

Kur lopa e konsumon këtë ushqim të prekur, organizmi i saj e metabolizon një pjesë të aflatoksinës B1 në aflatoksinë M1. Pastaj, aflatoksina M1, që formohet gjatë këtij procesi, përfundon në qumështin e saj – dhe më pas në zinxhirin e përpunimit, paketimit dhe shitjes, nënvizon ai.

Hamidi tregon se myshqet që prodhojnë aflatoksina mund të zhvillohen në ushqimet e kafshëve, veçanërisht në ushqimet e koncentruara dhe drithërat, si misri. “Origjina e problemit nuk mendoj se është në qumësht, por është në fermë”, shton ai.

Profesori thotë se nuk është e lehtë të luftohet mykotoksina, ndërsa këshillon që kontrollet dhe testimet duhet të bëhen nga poshtë lart, pra nga fermat e deri te prodhuesit e qumështit. “Aflatoksina M1 është problem shumë i madh, sepse është termorezistente. Kjo toksinë është shumë e vogël, ka masë molekulare të vogël, dhe është shumë problem ta shkatërrosh”, shpjegon Hamidi.

A e zhduk pasterizimi ose përpunimi në UHT aflatoksinën? Jo. Hamidi thotë se përpunimi i qumështit në temperaturë ultra të lartë, e njohur si UHT, nuk e zhduk aflatoksinën M1. Prandaj, thotë ai, bujqit duhet të trajnohen për ruajtjen e ushqimit të kafshëve në hambarët e tyre, e sidomos misrit, për ta shmangur ndotjen e tyre me myshqe që prodhojnë mykotoksinë.

“Unë mendoj se problemi duhet të saktësohet prej fillimit. Prej nga është burimi, domethënë bujqit mos t’i ushqejnë me çka të munden kafshët e tyre. Pastaj, AUV, së bashku me menaxherët e qumështoreve, të krijojnë plan për marrjen e mostrave, i cili atëherë iu krijon një farë garancie që janë duke futur qumësht të sigurt në përpunim”, thekson Hamidi. Çfarë rreziqesh shëndetësore sjell?

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vlerësuar se ekspozimi ndaj aflatoksinave lidhet me rritjen e rrezikut për kancer të mëlçisë te njerëzit. Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit (IARC) e klasifikon aflatoksinën M1 si potencialisht kancerogjene për njerëzit.

Përveç mëlçisë, ekspozimi ndaj aflatoksinës M1 mund të dëmtojë edhe veshkat, sistemin imunitar, sistemin nervor, traktin gastrointestinal dhe sistemin riprodhues, sipas një rishikimi shkencor të publikuar në Bibliotekën Kombëtare të Mjekësisë në SHBA. Hamidi tregon se ndikimi i kësaj mykotoksine në shëndetin e njeriut mund të vërehet shumë vite pasi ajo të jetë futur në organizmin e tij.

“Është me të vërtetë alarmuese, sepse e merr një toksinë në mënyrë të padukshme, të paevidentuar, por efektin e saj shëndetësor e ndien vite më vonë”, thotë ai. Çfarë thonë studimet?

Studime të kryera në disa vende të Ballkanit kanë treguar praninë e aflatoksinës M1 në qumësht, në disa raste edhe në nivele mbi kufirin maksimal prej 0.05 mikrogramë për kilogram, të përcaktuar nga Bashkimi Evropian.

Një studim i publikuar në vitin 2023, dhe i bazuar në mostra të mbledhura gjatë viteve 2021–2022 në Kosovë , gjeti aflatoksinë në pothuajse gjysmën e 160 mostrave të qumështit të analizuar. Prej tyre, 40 ishin qumësht UHT i marrë nga dyqanet në Kosovë, ndërsa 120 ishin mostra qumështi të papërpunuar nga ferma në rajonin e Pejës.

Aflatoksina M1 u gjet në 47 për qind të të gjitha mostrave, por vetëm një nga 160 mostrat, ose 0.6 për qind, ishte mbi kufirin e BE-së. Një studim i kryer në Tiranë gjatë periudhës mars 2023–shkurt 2024 analizoi 141 mostra qumështi të pasterizuar dhe UHT, që u morën nga tregjet lokale.

Aflatoksina M1 u gjet në 62.4 për qind të mostrave, ndërsa 26.2 për qind e tyre kishin nivele mbi kufirin maksimal të përcaktuar nga BE-ja. Ndërsa, një studim i publikuar në vitin 2025, i cili analizoi 907 mostra qumështi të papërpunuar në Serbi gjatë periudhës 2021–2025, gjeti se 70.1 për qind e tyre përmbanin aflatoksinë M1 mbi nivelin e përcaktuar maksimal./ REL

Burimi: Kallxo