Një vatër zjarri është aktivizuar pasditen e sotme në fshatin Vranisht, në bashkinë Himarë, ndërsa flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të temperaturave të larta dhe erës së fortë që fryn në zonë. Forcat zjarrfikëse të Himarës, të mbështetura edhe nga shërbimet zjarrfikëse të Selenicës, kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Terreni i vështirë, temperaturat e larta dhe veçanërisht era e fortë po e bëjnë të vështirë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse, ndërsa ekziston rreziku i përhapjes së mëtejshme të zjarrit. Ndërkohë, flakët dhe shtëllungat e dendura të tymit janë të dukshme edhe në zonën e Malit të Çikës, masivi malor që ngrihet mbi fshatin Vranisht.
Tymi ka mbuluar një pjesë të zonës së Vranishtit dhe të territorit të Himarës, duke krijuar një re të dendur mbi zonë. Forcat në terren vijojnë betejën me flakët, ndërsa situata mbetet dinamike për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike.
