Rasti gjyqësor ndaj Glauk Konjufcës lidhet me ngjarjen e 10 gushtit 2016, kur në Kuvendin e Kosovës ishte hedhur gaz lotsjellës, duke shkaktuar ndërprerjen e punimeve. Prokuroria Themelore në Prishtinë, më , kishte ngritur aktakuzë ndaj Konjufcës për veprat penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.
Gjatë procesit gjyqësor ishin administruar prova të ndryshme, përfshirë raportin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, procesverbalin e mbledhjes së Kuvendit, deklarata të dëshmitarëve dhe një bombolë të zbrazët të gazit lotsjellës të gjetur në sallë.
Në deklarimin e tij në Prokurori, Konjufca kishte pranuar se e kishte përdorur gazin lotsjellës, por kishte kundërshtuar që bombola të konsiderohej “armë” sipas legjislacionit. Më , Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte liruar Konjufcën nga akuza për “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa për veprën tjetër kishte konstatuar se kishte arritur parashkrimi.
Prokuroria e kishte apeluar këtë vendim, pas së cilës Gjykata e Apelit e kishte prishur aktgjykimin e Themelores dhe e kishte kthyer rastin në rigjykim. Apeli kishte vlerësuar se Gjykata Themelore nuk i kishte vlerësuar në mënyrë të plotë dhe të ndërlidhur provat e administruara dhe nuk kishte dhënë arsyetim të mjaftueshëm për përfundimin lidhur me përgjegjësinë penale të Konjufcës.
Rasti u kthye kështu në Gjykatën Themelore për rigjykim. Në rigjykim, mbrojtja kërkoi aktgjykim lirues, duke argumentuar se nuk ishte provuar përtej dyshimit të arsyeshëm përgjegjësia penale e Konjufcës. Sot, pas përfundimit të rigjykimit, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar sërish Glauk Konjufcën nga aktakuza.
Megjithatë, aktgjykimi nuk është përfundimtar, pasi palët kanë të drejtë ankese ndaj tij në Gjykatën e Apelit, brenda afatit ligjor. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
