Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka reaguar lidhur me deklaratën e kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajiç, për përfshirjen e pretenduar të zyrtarëve nga “të paktën dy vende të rajonit” në veprimtari të koordinuara hibride.
Në një reagim në platformën X, Hoxha ka bërë thirrje për qetësi, maturi dhe përgjegjësi, duke theksuar se ndaj Shqipërisë nuk ka asnjë akuzë zyrtare.
“Edhe pse nuk ka asnjë akuzë të formuluar zyrtarisht ndaj Shqipërisë, dua të theksoj fort dhe qartë se Shqipëria as nuk është dhe as nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues, as në Malin e Zi, një vend fqinj, mik, partner dhe aleat në NATO, me të cilin ndajmë të njëjtin projekt të anëtarësimit në BE, dhe as askund tjetër”, shkruan ministri.
Hoxha ka theksuar se Shqipëria ka zgjedhur një qasje të kundërt, duke investuar në bashkëpunimin dhe stabilitetin rajonal. “Shqipëria dallon sepse bën pikërisht të kundërtën: investon çdo ditë në bashkëpunimin, mirëkuptimin, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, si dhe në bashkëpunimin më të gjerë evropian e euroatlantik”, shprehet ai.
Ministri ka komentuar edhe interpretimet mediatike që pasuan deklaratën e Spajiç, duke thënë se ato duhet të trajtohen me rezervë, sidomos kur përmbajnë versione të ndryshme ose kontradiktore. “Raportimet e mediave janë pjesë e debatit publik.
Ne i lexojmë dhe i analizojmë me vëmendjen e duhur, por i marrim me rezervën e nevojshme, aq më tepër kur përmbajnë interpretime të ndryshme apo kontradiktore”, shkruan Hoxha. Sipas tij, hamendësimet, interpretimet mediatike dhe debatet e brendshme politike në Malin e Zi nuk duhet të krijojnë probleme artificiale mes dy vendeve.
“Hamendësimet, interpretimet mediatike apo debatet e brendshme politike të një vendi fqinj nuk mund dhe nuk duhet të prodhojnë artificialisht probleme mes dy vendeve tona”, deklaron ministri.
Hoxha ka bërë të ditur se për këtë çështje ka pasur komunikime me zyrtarë të lartë malazezë, përfshirë zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Ervin Ibrahimović, si dhe zëvendëskryeministrin Nik Gjeloshaj.
Në fund, ministri u ka bërë thirrje edhe aktorëve politikë në Shqipëri që të shmangin debatet e panevojshme dhe të mos e përdorin politikën e jashtme si instrument të përplasjeve partiake. “Politika e jashtme kërkon gjithnjë qetësi, maturi dhe përgjegjësi”, përfundon Hoxha. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
