Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se ka filluar punën Task-Forca për vlerësimin dhe avancimin e sistemit të sigurisë dhe shëndetit në punë. Sipas njoftimit të KEK-ut të datës , formimi i Task-Forcës vjen pas aksidenteve të fundit në vendin e punës dhe në zbatim të konkluzioneve të Bordit të Drejtorëve dhe Menaxhmentit të Korporatës.
Task-Forca përbëhet nga përfaqësues të strukturave operative dhe profesionale të KEK-ut, duke përfshirë edhe përfaqësues sindikalë. Në raste të caktuara, sipas nevojës, në punën e Task-Forcës mund të përfshihen edhe ekspertë të brendshëm apo ekspertë të jashtëm të specializuar për fusha specifike.
Në fokus të punës së këtij mekanizmi do të jetë vlerësimi i plotë i sistemit aktual të sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe shqyrtimi i procedurave, standardeve dhe praktikave që aplikohen në KEK. Task-Forca pritet të identifikojë mangësitë eventuale dhe të propozojë masa konkrete për forcimin e sigurisë, mbikëqyrjes dhe përgjegjësisë në të gjitha nivelet e Korporatës.
KEK-u ka bërë të ditur se përgjegjësia për zbatimin e rekomandimeve do t’u takojë drejtpërdrejt divizioneve, departamenteve dhe njësive përkatëse. Ndërkohë, zbatimi i këtyre masave do të mbikëqyret në vazhdimësi nga Menaxhmenti i KEK-ut, deri në realizimin e plotë të tyre.
“Siguria dhe shëndeti i punonjësve janë prioritet absolut i KEK Sh.A. dhe çdo mangësi e identifikuar do të trajtohet me përgjegjësi, transparencë dhe masa konkrete” – thuhet në njoftimin e Korporatës.
Formimi i Task-Forcës vjen në një periudhë kur në KEK janë raportuar aksidente me pasoja të rënda për punëtorët, duke rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë dhe kushteve të punës në sektorin energjetik. Nga muaji shkurt deri në muajin gusht kanë vdekur katër punëtorë nga aksidentet në vendin e punës në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Më , KEK ka njoftuar se një punëtor i saj në Obiliq ka vdekur si pasojë e kontaktit me tensionin elektrik gjatë punës. Ky ishte punëtori i dytë brenda pak ditëve dhe i treti brenda pak më shumë se një muaji, që ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra në vendin e punës në KEK. Më , Haxhi Gojnovci, punëtor në kuadër të Divizionit të Prodhimit të Qymyrit vdiq pas lëndimeve në punë.
Ndërsa më kishte vdekur edhe Milazim Binaku, punëtor në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), pas lëndimeve të marra gjatë punës në Fabrikën e Pajimeve Xehtare “Kosovamont”, në kuadër të Divizionit të Prodhimit të Qymyrit (DPQ) të KEK-ut. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) kishte njoftuar edhe në shkurt 2026 se një punëtor kishte vdekur në vendin e punës, pas një incidenti të rëndë.
Sipas të dhënave të Inspektoratit Qendror të Punës, nga viti 2023 deri në vitin 2026, në Kosovë 46 punëtorë kanë vdekur në vendin e punës.
