Banorët e rrugës ‘Gani Butka’ në Veternik në hall me ujërat e zeza,

0%

Në rrugën “Gani Butka” të lagjes Veternik në Prishtinë banorët po ankohen për rrjedhje të ujërave të zeza. Sipas tyre, kjo gjendje është evidente për më shumë se tre muaj. Ata thanë se për këtë janë drejtuar disa herë te Kompania Rajonale Ujësjellësit “Prishtina” dhe te Komuna e Prishtinës, por që asnjëra nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për sanimin e problemit.

Sabri Klaiqi, banor i lagjes tha për KALLXO.com se në rast se nuk sanohet problemi do ta shqyrtojnë mundësinë për ta realizuar një protestë me bllokim rruge. Sipas tij, kjo gjendje është bërë e papranueshme. “Kjo është një kanalizim, domethënë prej kësaj shfaqen edhe sëmundje të ndryshme.

Nuk është ujësjellës por është kanalizim edhe po e shihni po ka edhe defekte të makinave nuk munden me kalu siç duhet. Unë jam në konsultë me këta banorët këndej, do t’i shohim të gjitha mundësitë e mundshme, do të marrim masa sipas përgjigjeve të tyre. Ndoshta do të bëjmë edhe protestë, të bllokojmë ndonjë rrugë ose diçka se kjo është me të vërtetë e pa pranueshme.” – u shpreh ai.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ndërkohë që edhe banori Gëzim Kastrati e quajti të tmerrshme dhe katastrofike gjendjen me ujërat e zeza në atë pjesë. “Kjo është pengesë për neve, për krejt qytetarët e Prishtinës po nuk e di pse nuk është pengesë për ata që janë përgjegjës.

Edhe ashtu e kemi ndotjen nën parametrat e lejuar, po kjo shkakton, se ne përditë po qarkullojmë me makina, po ata që qarkullojnë në këmbë, kjo është shumë e tmerrshme, është katastrofike, ky është kundërmim i ujërave të zeza, është fekali.” – theksoi Kastrati.

Po ashtu edhe banori tjetër i asaj ane, Fadil Xheladini, tha se zgjidhja e vetme për këtë është ndalimi i qarkullimit të automjeteve të rënda në atë rrugë. Xheladini potencoi se për shkak të situatës së paqendrueshme do të detyrohen të largohen nga vendbanimi aktual në atë lagje.

“Këtu se di sa herë është riparu, po prapë se prapë badihava se vjen një mjet i rëndë me 40 ton e normal që e shafitë edhe kanalizimin. Vetëm pak me i kushtu rëndësi ngarkesës, në qoftë se ajo eleminohet kurrë problem s’kemi me pasë as me kanalizim as me kurgjo, a këtu është teper e paqendrueshme për shendetin tonë.

Po kundërmon teper keq, nuk është veç sot, po qe sa, mos të them qe tre, katër muaj. Ju kisha lutë që me marrë masa se këtu u bë e paqendrueshme, deshte s’deshte na duhet me kalu diku me qira me shku për me u hjekë prej këtij kundermimi.” – deklaroi Xheladini.

Lidhur me këtë, KALLXO.com ka kontaktuar Komunën e Prishtinës dhe Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” dhe deri në publikimin e stories dhe artikullit, të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Burimi: Kallxo