Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe 10 të tjerë janë lënduar pasi një veturë ka përplasur një grup njerëzish pranë një stacioni treni në Caen, në veri të Francës. Prefekti lokal, David Claviere, ka deklaruar se vetura është përplasur qëllimisht me këmbësorët përballë stacionit, ndërsa ka bërë të ditur se shtatë nga të lënduarit janë në gjendje kritike.
“Një veturë është përplasur qëllimisht me këmbësorët përballë stacionit”, u ka thënë gazetarëve Claviere. Pas incidentit, autoritetet kanë ndërmarrë një operacion të gjerë në rajonin e Normandisë, ndërsa një burrë është arrestuar më vonë. I dyshuari është një 26-vjeçar i lindur në Rusi, i cili u arrestua rreth 20 kilometra larg vendit të ngjarjes, në qytetin port të Ouistreham.
Kryetari i bashkisë së Caen, Aristide Olivier, ka thënë se hetuesit po përpiqen të përcaktojnë se çfarë e ka shtyrë të dyshuarin të veprojë në këtë mënyrë. Sipas dëshmitarëve, para incidentit kishte shpërthyer një përleshje mes dy grupeve. “Për momentin, nuk kemi të bëjmë me një motiv terrorist, por hetimi sapo ka filluar”, ka deklaruar Bruno Coutanceau, zyrtar i lartë i sigurisë në Caen.
Ai ka bërë të ditur për AFP se të gjitha viktimat duket se janë burra, të moshave nga 17 deri në 40 vjeç. Ndërkohë, Claviere ka deklaruar se i dyshuari ishte i njohur për shërbimet e inteligjencës dhe policinë vetëm për shkelje të rregullave të qarkullimit. Sipas kryetarit të bashkisë, vetura e të dyshuarit është gjurmuar përmes rrjetit të kamerave të sigurisë së qytetit.
Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur rrethanat e plota të incidentit dhe motivin e të dyshuarit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
