Më shumë se 165 persona kanë humbur jetën dhe mbi 1,300 të tjerë rezultojnë të zhdukur pas një rrëshqitjeje masive të dheut që shkaktoi daljen nga shtrati të lumit Bhote Koshi, në kufirin mes Nepalit dhe rajonit autonom të Tibetit në Kinë. Mes personave të zhdukur janë 529 shtetas të Indisë, Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Australisë dhe Kanadasë.
Rrjedha e fuqishme e ujit dhe dheut zbriti me shpejtësi nëpër lugina, duke marrë me vete shtëpi, ndërtesa, ura, rrugë, automjete dhe infrastrukturë energjetike. Pamjet e publikuara nga zona tregojnë një valë gjigante uji dhe balte që përparon drejt zonave të banuara, ndërsa banorët përpiqen të largohen me shpejtësi për t’i shpëtuar katastrofës.
Presidenti kinez ka kërkuar që operacioni i kërkim-shpëtimit të ketë përparësi maksimale, ndërsa Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka njoftuar se po mobilizon personel dhe furnizime për të ndihmuar të prekurit në Nepal. Edhe Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një ndihmë emergjente prej 500 mijë dollarësh.
Fillimisht u dyshua se një tërmet me magnitudë 4.4 kishte shkaktuar shembjen e një akullnaje. Megjithatë, Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së arriti më vonë në përfundimin se nuk kishte ndodhur një tërmet. Sipas vlerësimeve paraprake, sinjali sizmik ishte shkaktuar nga shembja e masave të mëdha të akullit dhe shkëmbinjve, si dhe nga lëvizja pasuese e mbeturinave.
Imazhet satelitore tregojnë se një rrëshqitje e madhe akulli dhe shkëmbinjsh shkaktoi përmbytjen shkatërruese në lumin Lehde, rreth 20 kilometra në verilindje të pikës kufitare Rasuagadi, mes Nepalit dhe Kinës. Shembja e masave të akullit dhe shkëmbinjve shkaktoi një rrjedhë të fuqishme uji, balte dhe mbeturinash, e cila u përhap me shpejtësi në drejtim të zonave të banuara.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
