Kur historia na kthen te rrënjët

0%

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra në bashkëpunim me Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” promovuan kolanën e veprave “Illyricum Sacrum” të përkthyera nga Luket Hasaj. Të nderuar të pranishëm, të dashur miq: Urimet e mia më të sinqerta për përkthyesin Lukë Hasaj! Puna juaj e palodhur në fushën e përkthimit është një kontribut i çmuar për kulturën dhe gjuhën shqipe.

Me përkushtimin, kulturën dhe mjeshtërinë tuaj, ju keni dëshmuar se përkthyesi nuk është vetëm një përcjellës i fjalës, por edhe një lidhje e rëndësishme mes kulturave dhe qytetërimeve. Emri dhe vepra juaj meritojnë të zënë një vend të respektuar ndër përkthyesit më të njohur shqiptarë.

Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të veçantë edhe për Federatën Panshqiptare “Vatra” dhe Qendrën Kulturore “Nënë Tereza”, për organizimin e këtij tubimi dhe për mundësinë që na dhanë të ndajmë së bashku vlerat dhe mesazhet e një vepre kaq të rëndësishme.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Si gjithmonë, mirënjohje edhe për Dom Pjetrin – dëshmi e gjallë se në mërgatë vazhdon të jetojë dashuria për historinë, gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë kombëtare. Është pikërisht kjo frymë që na bashkon sot: bindja se një popull që njeh historinë e vet, e ruan edhe më mirë identitetin e tij.

“Illyricum Sacrum”, Vëllimi VII/1, është nje nga ato libra që na bëjnë të kthehemi në kohë e hapësirë. Është një vepër që na afron me një pjesë të rëndësishme të historisë së Ilirisë dhe të trevave shqiptare, duke sjellë dëshmi, emra vendesh, qendra kishtare dhe të dhëna që kanë vlerë për studiuesit e historisë shqiptare, të mesjetës dhe të Krishtërimit në këto hapësira të Ilirisë së dikurshme.

Vëllimi VII/1 i Illyricum Sacrum VII/1 është botuar në Venedik në vitin 1817 dhe lidhet me punën monumentale të Daniele Farlatit dhe Jacopo Coletit.

VII/1 përfshin, pikërisht, historinë e Dioklesë/Tivarit dhe ipeshkvitë e Arbërisë, Balecit, Budvës, Danjës, Drishtit, Ulqinit, Polatit, Shurdhahut, Sardës, Shasit, Shkodrës dhe Durrësit, por që vazhdojnë edhe sot të jenë qendra të rëndësishme të hapësirës iliro-arbërore, si dhe materiale për Skënderbeun dhe Kuvendin e Arbërit.

Illyricum Sacrum na sjellë dëshmi të një Arbërie që edhe në periudhat më të vështirë të historisë, nuk hoqi dorë nga identieti i saj, nga kujtesa e saj historike dhe nga lidhjet e saj me Evropën e krishterë. Këto nuk janë thjesht emra qytetesh në një indeks gjeografik.

Ata janë pjesë e historisë së një hapësire ku kanë jetuar breza të tërë shqiptarësh dhe ku janë ndërthurur për shekuj zhvillime kombëtare, politike, kulturore dhe fetare. Kjo vepër ka një kuptim të veçantë për mua, pasi më ofron një lidhje personale me ato treva.

Jam me origjinë nga këto troje, lindur në një fshat afër Ulqinit dhe Shasit, të dyja këto qendra me referenca të rëndësishme në Illyricum Sacrum VII/1. Prandaj, kur lexoj për Ulqinin, Shasin, Tivarin dhe hapësirat shqiptare për rreth tyre, nuk i shoh vetëm si tema të një studimi historik. I shoh edhe përmes kujtesës së vendit prej nga vij unë dhe të parët e mi.

Kjo është një ndjenjë që besoj e kuptojnë shumë shqiptarë që janë larguar nga vendlindja dhe kanë jetuar për vite ose dekada në mërgim. Thuhet se mund të largohesh fizikisht nga vendi ku ke lindur, por kujtesa e tij mbetet me ty. Dhe ndonjëherë një emër në një libër të vjetër mjafton për ta rikthyer atë kujtesë. Kjo është një nga arsyet pse Illyricum Sacrum më duket veçanërisht domethënës.

Ai na tregon se vendet që ne i njohim sot me këto emra kanë, në të vërtetë, një histori shumë më të gjatë se kujtesa jonë personale. Ka një fjali që më duket veçanërisht domethënëse për ta kuptuar këtë vepër dhe lidhjen e saj me trevat tona.

Në shënimet e Imzot Frano Illisë për përkthimin e Vëllimit VII/1, gjejmë këtë përfundim: “Këto krahina kanë lidhje e ndikime të vazhdueshme njëna me tjetrën gjatë shekujsh.” Është një fjali e shkurtër, por me një kuptim të madh.

Sepse kur lexojmë për Ulqinin, Tivarin, Shkodrën, Durrësin, Drishtin, Pultin, Sapën, Shasin e qendrat e tjera të përfshira në këtë vepër, kuptojmë se kemi të bëjmë me një hapësirë historike që nuk mund të ndahet me kufijtë politikë të sotëm. Ky nuk është vetëm një përfundim i një studiuesi.

Unë e shoh si një dëshmi të një realiteti historik që lidhet edhe me rrënjët e mia dhe të shumë bashkvendasve nga ato treva. Ndoshta, pikërisht, këtu qëndron një nga bukuritë e historisë në këtë vepër. Ajo na tregon se vendet, që sot mund t’i shohim të ndara nga kufijtë politikë e administrativë, në të kaluarën, kanë qenë pjesë e një hapësire shumë më të ndërlidhur.

Vepra në shqip, Illyricum Sacrum na ndihmon ta shohim përsëri atë hapësirë të përbashkuar dhe të kuptojmë tashti jo vetëm se ku kemi qenë, por edhe sa shumë kemi qenë të lidhur me njëri-tjetrin. Një prej mësimeve më të rëndësishme që mund të nxjerrim nga një vepër e tillë është rëndësia e burimit. Historia nuk mund të ndërtohet vetëm mbi kujtime, tregime apo interpretime të mëvonshme.

Ajo kërkon dokumente, dëshmi dhe krahasim kritik të burimeve. Pikërisht, për këtë arsye, Illyricum Sacrum ka një vlerë të veçantë. Vepra mbledh dhe sistematizon një sasi të madhe materialesh historike e kishtare. Për studiuesin modern, këto materiale janë një pikë referimi që mund të krahasohet me burime të tjera dhe të ndihmojë në rindërtimin e së kaluarës historike.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për historinë shqiptare, e cila është shpesh e shpërndarë në arkiva, biblioteka dhe botime të huaja. Prandaj, përkthimi dhe botimi në shqip i një vepre të tillë është një mënyrë për t’ia afruar burimin historik edhe lexuesit shqiptar. Kur flasim për këtë vëllim, nuk mund të mos ndalemi te hapësira e Ulqinit dhe e trevave për rreth.

Për mua kjo është edhe një pikë takimi mes historisë dhe kujtesës personale. Ulqini me rrethe, si Shasi, është një prej atyre qyteteve që bart në vetvete shumë shtresa historie. Pozita e tij në Adriatik e ka bërë, ndër shekuj, një pike-takimi të botëve të ndryshme politike, ekonomike, kulturore dhe fetare.

Të lexosh dokumentet e vjetra për këto treva do të thotë të kuptosh se sa e gjatë dhe e ndërlikuar ka qenë historia e tyre dhe e jona. Dhe, pikërisht, këtu duhet të jemi të kujdesshëm. Historia shqiptare nuk ka nevojë për zbukurime. Faktet janë të mjaftueshme. Sa më seriozisht të studiohen burimet, aq më mirë mund ta kuptojmë të kaluarën tonë.

Kjo është edhe mënyra më e mirë për t’ua përcjellë historinë brezave të rinj, si një urë nga e kaluara drejt së ardhmes. Botimi në shqip (përkthyer nga latinishtja) i Illyricum Sacrum VII/1 mund të shihet si një urë. Në njërën anë janë dokumentet dhe dëshmitë e mbledhura më shumë se dy shekuj më parë.

Në anën tjetër jemi ne, lexuesit e sotëm, që kemi mundësinë t’i lexojmë në gjuhën shqipe dhe studiuesi t’i përdori si bazë për kërkime të reja. Kjo lidhje është, veçanërisht, e rëndësishme për brezin e ri.

Një i ri shqiptar që jeton në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, në diasporë apo në Shtetet e Bashkuara, duhet të ketë mundësinë të njohë jo vetëm historinë që mëson në tekstet shkollore, por edhe burimet mbi të cilat ndërtohet ajo histori. Vetëm kështu krijohet një marrëdhënie e shëndetshme me të kaluarën.

Edhe pse Illyricum Sacrum është në radhë të parë një vepër e historisë kishtare, rëndësia e saj për historinë shqiptare shkon më tej. Përmes dioqezave, qendrave urbane, emrave të vendeve dhe figurave të përmendura, ajo ndihmon në ndriçimin e një hapësire më të gjerë historike. Në këtë kuptim, vepra mund të lexohet edhe si pjesë e historisë kulturore dhe qytetare të këtyre trevave.

Dhe kjo është një arsye më shumë që ajo të jetë e pranishme në bibliotekat shqiptare. Për mua personalisht, ky botim është edhe një kthim simbolik te rrënjët. Në jetën e një njeriu vjen një moment kur nuk mjafton më vetëm të dish nga je. Dëshiron të dish çfarë historie ka pasur vendi prej nga vjen. Dëshiron të kuptosh se çfarë kanë parë brezat para teje.

Cilat kanë qenë qytetet e tyre, institucionet, besimet, vështirsitë dhe shpresat. Në këtë kuptim, një libër si Illyricum Sacrum bëhet më shumë se një vepër referimi. Është një dritare. Një dritare përmes së cilës mund të shohim më qartë një të kaluar që shpesh e kemi njohur vetëm, pjesërisht. Dhe kjo është ndoshta arsyeja më e mirë për ta promovuar.

Jo vetëm sepse është një vepër e vjetër dhe e rëndësishme, por sepse na ndihmon të kuptojmë më mirë se nga vimë dhe kush jemi. Historia nuk është vetëm ajo që ka ndodhur. Është edhe mënyra se si ne zgjedhim ta njohim, ta dokumentojmë dhe t’ua përcjellim brezave. Illyricum Sacrum VII/1 na jep një mundësi të tillë.

Dhe për mua, si njëri me origjinë nga ato treva, ky është edhe një moment personal — të kthehem, përmes faqeve të një vepre të vjetër, te një pjesë e rrënjëve të mia. Sepse vendlindja mund të jetë larg, por rrënjët nuk kanë distancë. Përzemërsisht ju falënderoj të gjithëve që jeni sot këtu dhe që, me pjesëmarrjen tuaj, vazhdoni të kontribuoni që kujtesa shqiptare të mos shuhet kurrë.

Urime dhe përgëzime të përzemërta! Frank Shkreli Përkthyesi Luket Hasaj tha se “Illyricum Sacrum” është vepra më e plotë që është shkruar ndonjëherë për historinë e territoreve të Ilirisë nga antikiteti e deri në fillim të shekullint 19-të.

Burimi: Bota Sot