Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur më aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për veprat penale “spiunazh” dhe “shantazh”. E rasti Sheholli ka rikthyer në vëmendje një pyetje që Kosova nuk mund ta shmangë më: a përfundoi spiunazhi me luftën, apo vetëm ndryshoi formë?
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, vlerëson se spiunazhi nuk përfundoi me luftën, por vetëm ndryshoi formë, duke synuar sot institucionet, proceset politike, infrastrukturën kritike dhe informacionet sensitive. “Përgjigjja nga perspektiva e sigurisë kombëtare është e qartë: luftërat përfundojnë, por operacionet e inteligjencës nuk kanë domosdoshmërisht një datë përfundimi.
Përkundrazi, pas vitit 1999, mjedisi i sigurisë së Kosovës ka evoluar dhe bashkë me të kanë evoluar edhe metodat e mbledhjes së informacionit, rekrutimit të burimeve dhe ndikimit. Në vitet e luftës, objektivat ishin kryesisht informacioni ushtarak, strukturat e UÇK-së dhe kapacitetet operative.
Sot objektivat mund të jenë më të sofistikuara: institucionet shtetërore, infrastruktura kritike, proceset politike, informacioni sensitiv, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe dobësitë brenda sistemit. Prandaj, një rast i dyshuar spiunazhi nuk duhet parë vetëm si çështje individuale.
Ai duhet të analizohet si pjesë e një mozaiku më të gjerë të kundërzbulimit: kush e kërkon informacionin, çfarë informacioni kërkohet, përmes cilave kanaleve, kujt i raportohet dhe cili është objektivi strategjik? Kosova sot nuk përballet domosdoshmërisht me të njëjtin model të spiunazhit të viteve ’90.
Përballet me një model më të heshtur, më të decentralizuar dhe më të vështirë për t’u identifikuar. Spiunazhi modern mund të mos ketë më nevojë për një agjent klasik me dokumente të fshehta. Mjafton qasja në informacion, krijimi i një marrëdhënieje të besueshme, ndikimi mbi një person apo institucion dhe transferimi gradual i të dhënave me vlerë strategjike” , tha ai.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala Tutje, Shala thekson se siguria kombëtare duhet të mbrohet edhe brenda institucioneve dhe se sfida kryesore është zbulimi me kohë i rrjeteve të spiunazhit, para se ato të depërtojnë dhe të konsolidohen. “Prandaj, mësimi nga rasti Sheholli duhet të jetë shumë më i gjerë se vetë rasti: siguria kombëtare nuk mbrohet vetëm në kufi.
Ajo mbrohet edhe brenda institucioneve, informacionit, teknologjisë dhe hapësirës së ndikimit. 26 vjet pas luftës, sfida nuk është vetëm të zbulojmë një rrjet pasi ai është ekspozuar.
Sfida e vërtetë e kundërzbulimit është të identifikojmë shenjat paralajmëruese përpara se një rrjet të konsolidohet, përpara se një burim të depërtojë në institucion dhe përpara se informacioni strategjik të largohet nga sistemi.
Sepse në luftën moderne të inteligjencës, agjenti nuk është gjithmonë kërcënimi më i madh; kërcënimi më i madh është rrjeti që askush nuk e ka parë në kohë”, deklaroi ai për “Bota sot”.
