Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha në një konferencë për media se kallëzimi penal bazohet në dyshimet për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal. Sipas PDK-së, Dehari dyshohet se, që nga 8 gushti 2026, nuk e ka përmbushur detyrën për vazhdimin e seancës konstituive brenda afatit prej 48 orësh.
Partia opozitare pretendon se Dehari ka tejkaluar kompetencat e tij procedurale duke e kushtëzuar vazhdimin e seancës me arritjen e një marrëveshjeje politike, pavarësisht kërkesave të përsëritura me shkrim nga grupet parlamentare opozitare.
PDK-ja ka theksuar se në kallëzimin penal janë përfshirë kërkesat e opozitës të datave 13, 17, 19 dhe 23 gusht, përmes të cilave ishte kërkuar vazhdimi i seancës konstituive. Sipas PDK-së, mosvazhdimi i seancës ka pamundësuar konstituimin e Kuvendit dhe ushtrimin e kontrollit parlamentar ndaj Qeverisë në dorëheqje.
Gruda tha se PDK pret nga Prokuroria Speciale që ta trajtojë kallëzimin në përputhje me ligjin dhe të zbardhë përgjegjësinë e mundshme penale lidhur me bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
