Lamtumirë, profesor Mark Tirta!

0%

Mark Tirta ishte ndër veteranët e dalluar të arsimit tonë, i cili ka lënë gjurmë në arsimin shqip. Ai gëzoi nderimin e shumë brezave kudo që punoi dhe veproi. Zgjodhi rrugën më të vështirë, por që i bëri nder atij dhe pasardhësve të tij. Pata nderin ta njihja që nga viti 2000, në Institutin e Kulturës Popullore në Tiranë. Isha së bashku me profesor Zymer Nezirin. Na priti shumë ngrohtë.

Më pastaj kemi pasur takime të shpeshta në organizime dhe konferenca të ndryshme shkencore, qoftë në Prishtinë, apo Tiranë. Ndonëse dallonim paksa në fushën e studimit, ai etnolog dhe antropolog, e unë historian, ai pa përtesë më ofronte përvojën e tij të gjatë dhe shpeshherë të mundimshme të hulumtimit shkencor.

Ndonëse unë isha djalë i ri, mbështetur në traditën e tij familjare, ai më trajtonte jashtëzakonisht mirë. Në fakt, kishim edhe diçka të përbashkët, origjinën mirditore. Ishte ndër njerëzit e rrallë që, kur takoheshe me të, nuk të lejonte të ndaheshe minimalisht pa të qerasur me një kafe.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ishte një prej studiuesve më të shquar të etnologjisë dhe antropologjisë shqiptare, një personalitet i rëndësishëm i albanologjisë. Me largimin e tij, shkenca dhe kultura shqiptare humbasin një dijetar të përkushtuar.

Jeta dhe vepra e tij janë të lidhura ngushtë me përpjekjen për të njohur, ruajtur dhe përcjellë te brezat e ardhshëm pasurinë e jashtëzakonshme të traditave, besimeve, miteve, zakoneve dhe mënyrave të jetës të shqiptarëve.

Mark Tirta mori pjesë në ekspedita të shumta në vise të ndryshme shqiptare, duke mbledhur dhe dokumentuar dëshmi të rëndësishme mbi jetën, traditat, zakonet, besimet dhe mënyrat e organizimit të komuniteteve shqiptare. Kjo përvojë e gjerë e terrenit u bë një prej veçorive dalluese të punës së tij shkencore.

Pata nderin dhe kënaqësinë e veçantë që të isha me profesor Tirtën pjesë e ekspeditës hulumtuese shkencore në fshatrat e rrethit të Gjakovës në vitin 2002. Ishte ekspeditë disaditore e bashkëorganizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Instituti i Kulturës Popullore të Tiranës. Më fascinonte përvoja dhe mënyra se si i qasej subjektit gjatë intervistimit.

Puna e tij kërkimore ishte e shumëanshme dhe preku disa nga çështjet themelore të etnologjisë shqiptare. Ai u mor në mënyrë të veçantë me migrimet e popullsisë shqiptare dhe mitologjinë popullore; gjithashtu, studimet e tij u shtrinë edhe në aspektet e familjes, veshjeve popullore, së drejtës zakonore, toponimisë e antroponimisë, artit popullor, historisë së etnologjisë shqiptare dhe personaliteteve të kësaj fushe.

Trashëgimia e tij bibliografike është e jashtëzakonshme. Në historinë e studimeve shqiptare, akademik Mark Tirta do të kujtohet si një prej dijetarëve që i dha një dimension të rëndësishëm shkencor studimit të kulturës tradicionale shqiptare.

Ai e pa etnologjinë jo vetëm si një fushë të mbledhjes dhe përshkrimit të fakteve, por si një mënyrë për të kuptuar historinë, kujtesën, identitetin dhe vazhdimësinë kulturore të shqiptarëve. Përmes punës së tij, shumë dëshmi të kulturës materiale dhe shpirtërore shqiptare u dokumentuan dhe u bënë pjesë e kujtesës së shkruar shkencore.

Jeta e tij ngjante me jetën e një luftëtari fisnik që niset në beteja për qëllime të larta të drejtësisë, të nderit, të barazisë dhe lirisë. Fliste në kohën e duhur dhe heshte kur fliste e vërteta për të cilën ishte angazhuar. Megjithatë, lufta me vdekjen kishte një përfundim tjetër, por as ajo nuk e ndryshoi karakterin e tij. E priti denjësisht fundin.

Ai do të mbetet një ekzemplar i rrallë prindi, familjari, kolegu, miku e veprimtari i denjë për respekt, një model njeriu të cilin do ta lakmonte secila shoqëri. Familjes e shoqërisë përgjithësisht do t’i mungojë shumë. E, megjithatë, vdekja është fund i tmerrshëm vetëm për ata të cilët me të humbin gjithçka. Mark Tirta nuk ishte i tillë.

Ndonëse jeta e tij fizike është shuar, trashëgimia e tij shkencore, edukativo-arsimore, njerëzore dhe morale, e shpërfaqur në një format tepër të veçantë të njeriut, do të jetë motiv i rëndësishëm që ta kujtojmë.

Burimi: Bota Sot