Liga e Kampionëve 2026/27 do të ketë një prani të fuqishme shqiptare, me të paktën shtatë futbollistë me prejardhje shqiptare që kanë siguruar tashmë një vend në fazën e ligës me skuadrat e tyre.
Në mesin e emrave më të spikatur janë kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, i cili do të jetë pjesë e Napolit, si dhe Vedat Muriqi, që së bashku me Fenerbahçen siguroi kualifikimin në garën elitare evropiane. Muriqi ishte protagonist i fitores së Fenerbahçes ndaj Lyonit, duke shënuar golin që i ndihmoi klubit turk të rikthehet në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve pas 17 vitesh.
Nga Shqipëria, në skenën më të madhe të futbollit evropian do të jenë Thomas Strakosha dhe Stavro Pilo, të cilët me AEK-un e Athinës eliminuan Levski Sofian dhe siguruan kualifikimin. Pjesë e kësaj liste është edhe Arijon Ibrahimović, futbollisti shqiptar nga Prizreni, i cili është pjesë e Bayern Munichut.
Talenti mund të ketë mundësinë të debutojë në skenën më prestigjioze të futbollit evropian me gjigantin gjerman. Në Norvegji, me Vikingun, do të jetë Veton Berisha, vëllai i Valon Berishës, ndërsa te LASK-u luan mesfushori Art Smakaj.
Kështu, të paktën shtatë futbollistë me prejardhje shqiptare janë aktualisht pjesë e skuadrave që kanë siguruar vendin në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve 2026/27. Megjithatë, jo të gjithë shqiptarët arritën ta sigurojnë biletën për fazën e ligës. Milot Avdyli dhe Veton Tusha, me Celjen, u eliminuan pas humbjes pas vazhdimeve ndaj Slovan Bratislavës.
Ndërkohë, Arbër Hoxha me Dinamo Zagrebin pësoi humbje nga Vikingu dhe humbi mundësinë për të luajtur në garën elitare evropiane. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
