Bilanci i viktimave nga përmbytjet katastrofike në Nepal ka shkuar në 389 të vdekur, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet në zonat më të goditura. Policia nepaleze ka konfirmuar se numri i viktimave është rritur me 36 persona krahasuar me raportimin e mëparshëm, kur ishin regjistruar 353 të vdekur.
Distrikti Chitwan ka regjistruar numrin më të madh të viktimave, me 137 të vdekur. Në Nawalparasi Lindor janë konfirmuar 87 viktima, ndërsa 33 në Dhading, 32 në Gorkha, 28 në Nuwakot, 28 në Tanahun, 17 në Rasuwa dhe 27 në Nawalparasi Perëndimor. Autoritetet bëjnë të ditur gjithashtu se të paktën 63 persona ndodhen në trajtim në spitale.
Ekipet emergjente po përpiqen të arrijnë zonat e izoluara nga uji dhe balta, ndërsa dëmtimi i rrugëve dhe urave ka vështirësuar ndjeshëm operacionet e shpëtimit. Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha në banesa, infrastrukturë dhe projekte energjetike, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të rritet më tej, teksa vijojnë kërkimet në zonat e prekura.
