Pas rastit tragjik të vrasjes së gruas 25-vjeçare shtatzënë, Jetlira Foniqi në fshatin Kërvasari të Malishevës, ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka mbajtur takim me përfaqësues të Policisë së Kosovës, Prokurorisë, Gjykatës dhe Qendrës për Punë Sociale.
Takimi u mbajt me qëllim të shqyrtimit të funksionimit të mekanizmave institucionalë dhe të ndërmarrjes së masave të nevojshme për parandalimin e rasteve të dhunës. “Rastet e tilla na obligojnë të ndalemi, të shohim me përgjegjësi të plotë funksionimin e mekanizmave institucionalë dhe të bëjmë gjithçka që është e mundur për të parandaluar përsëritjen e tyre.
Por çdo jetë e humbur na obligon të bëjmë më shumë, shumë më herët, të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të parandaluar rastin tjetër”, tha Gërvalla. Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe përgjegjësisë së të gjitha institucioneve në parandalimin e dhunës.
Tutje, ajo tregoi se sipas informacioneve të institucioneve përgjegjëse, bashkëshorti i viktimës, Egzon Bytyqi është i dyshuari për rastin ndërsa viktima nuk rezulton të ketë qenë më parë e evidentuar në ndonjë situatë që do të sinjalizonte një rrezik të tillë. “ Tashmë është e domosdoshme që të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme dhe rasti të zbardhet plotësisht”, theksoi Gërvalla.
Gërvalla kërkoi që të gjitha rrethanat e rastit të hetohen nga organet kompetente dhe që përgjegjësia të përcaktohet në përputhje me ligjin. “Përgjegjësia duhet të përcaktohet nga organet kompetente dhe asnjë rrethanë e rastit nuk duhet të mbetet pa u hetuar”, tha ajo.
