Ukraina ia ka vënë veshin kërkesës speciale të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, që të mos i sulmojë qytetet kryesore ruse gjatë vizitës së drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, ka raportuar të mërkurën () gazeta britanike, “The Independent” .
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kontaktuar Kievin javën e kaluar duke i kërkuar që të mos e sulmonte Moskën, Shën Petersburgun dhe një pjesë të Rusisë veriore, ndërsa një aeroplan që mbante zyrtarin e lartë amerikan po fluturonte brenda dhe jashtë kryeqytetit rus, kanë thënë burimet për agjencinë e lajmeve, Reuters.
Kërkesa mbulonte të hënën, të martën dhe të mërkurën dhe u zbulua vetëm disa orë pasi Ratcliffe u largua nga Rusia vonë të martën. Më pas, një avion i madh ushtarak amerikan u konfirmua se kishte udhëtuar drejt Rusisë nga SHBA-ja nëpërmjet Letonisë të martën, kanë konfirmuar të dhënat e gjurmimit të fluturimit.
Qëllimi i vizitës së Ratcliffet dhe natyra e takimeve të tij në Rusi nuk u bënë menjëherë të qarta. Ishte udhëtimi i parë i njohur në Moskë nga një shef i spiunazhit amerikan qëkur paraardhësi i tij, William Burns, zhvilloi bisedime me presidentin Vladimir Putin në nëntorin e vitit 2021.
Ukraina ka rinisur sulmet ndaj Rusisë herët të mërkurën pas largimit të Ratcliffet, me Rusinë që ka thënë se ka rrëzuar të paktën 426 dronë gjatë natës. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
