Ekspozita kolektive me titull “Arkeologjia e një portreti” është hapur më , në orën , në Muzeun “Burgu i idealit” në Prishtinë. Ekspozita është organizuar nga OJQ-ja “Art i ngujuar – Artistët për Artistë”, në bashkëpunim me “Molla e kuqe”, ndërsa kuratorë të saj janë Valon Gusia dhe Mentor Berisha.
Në qendër të ekspozitës janë ish-të burgosurit politikë, përvojat e të cilëve u bënë pikënisje për krijimin e një serie portretesh. Kuratori Valon Gusia tha për KALLXO.com se nëntitulli i ekspozitës, “Ekspozitë kolektive mbi portretin, kujtesën, marrëdhëniet dhe tensionin me të burgosurit”, është më shpjegues sesa vetë titulli.
Sipas tij, ideja e ekspozitës lidhet me faktin se në qeli gjithmonë ka munguar pasqyra, ndërsa përmes portreteve të vendosura nëpër qeli synohet të pasqyrohen ish-të burgosurit. “Pasqyrohen portretet e atyre njerëzve që kanë qenë brenda, në mungesë të asaj pasqyre. Të burgosurit faktikisht nuk kanë pasur një lloj pasqyre dhe e kanë harruar imazhin e vet.
Ata s’kanë mundur ta shohin se sa janë plakur. Ne, faktikisht, i kemi thirrur si pasqyrë dhe përmes portreteve tona i pasqyrojmë ata që kanë qenë këtu”- tha Gusia.
Portreti i Rexhep Malajt në ekspozitën “Arkeologjia e një portreti”, Foto: KALLXO.com Përmes pikturave dhe rrëfimeve të të burgosurve, të vendosura nëpër qeli, ekspozita pasqyron privimin nga liria dhe harresën e imazhit të vetvetes, si pasojë e mungesës së pasqyrave. Njëri nga vizitorët, Naim Spahiu, tha për KALLXO.com se përmes ekspozitës mund të ndihen emocionet e së kaluarës.
Ekspozita “Arkeologjia e një portreti”, Foto: KALLXO.com “Këto hapësira, nëpër secilën dhomë ku hyn, bashkë me punimet që janë vendosur, përbëjnë një përjetim të veçantë. Në momentin kur hyn nëpër ato dhoma, secila prej tyre ka një emocion që ka mbetur nga e kaluara.
Por, në të njëjtën kohë, shtohet edhe një emocion i ri, të cilin vetë artisti e ka shfaqur përmes prezantimit të veprave të tij”- tha Spahiu. Ai shtoi se përmes ekspozitës krijohet një komunikim dhe bashkëbisedim ndërmjet vizitorit dhe veprave të artistëve. “Vizitorët krijojnë një komunikim dhe bashkëbisedim me vetë veprat e artistëve.
Pra, është një shpërfaqje e vazhdueshme e emocioneve të së kaluarës. Për mua personalisht, kjo ekspozitë e ka arritur qëllimin e saj”- shtoi Spahiu.
