Drita në Andorrë për të siguruar edhe një herë pjesëmarrjen në Ligën

0%

Kampionia e Kosovës do ta zhvillojë të enjten nga ora ndeshjen e kthimit të play-offit ndaj Inter D’Escaldes, në një përballje që pritet të përcaktojë fatin e skuadrës gjilanase në garat evropiane. Ndeshja e parë, e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, përfundoi me rezultat 2-2, duke lënë gjithçka të hapur për duelin në Andorrë.

Për Dritën në atë takim shënuan Hajdin Salihu dhe Blerim Krasniqi. Skuadra e drejtuar nga Ardian Nuhiu synon ta përsërisë suksesin e edicionit të kaluar, kur arriti të kalojë në fazën e ligës së Ligës së Konferencës dhe më pas siguroi edhe kualifikimin në play-off e fazës nokaut.

Trajneri Nuhiu ka bërë të ditur se skuadra ka analizuar në detaje kundërshtarin dhe kërkon një paraqitje më të mirë në ndeshjen e kthimit. “Ndeshjet e tilla kërkojnë shumë përqendrim, shumë guxim dhe autoritet. Agresivitetin duhet ta shtojmë në ndeshjen e kthimit për ta marrë kualifikimin”, ka deklaruar Nuhiu.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai beson fuqishëm te grupi dhe te potenciali i skuadrës së tij, duke kërkuar që Drita të jetë në një nivel më të lartë se në ndeshjen e parë. Në të njëjtën linjë është edhe Arb Manaj, një prej lojtarëve kryesorë të Dritës. Sulmuesi pranon se skuadra duhet të përmirësohet në aspektin defensiv dhe të shmangë gabimet që sollën dy golat e pranuar në Prishtinë.

“Jemi gati 100 për qind dhe shpresoj që nesër të dalim me fitore”, ka thënë Manaj. Drita e pranon se ka një rol favorit në këtë përballje, por Manaj paralajmëron se kjo nuk mjafton për të siguruar kualifikimin. “Mendoj se jemi pak më të favorizuar se kundërshtari, por duhet ta bëjmë maksimumin që të dalim me fitore”, u shpreh ai.

Drita tashmë e njeh mirë atmosferën e ndeshjeve të këtij niveli. Në edicionin e kaluar, gjilanasit bënë një paraqitje historike në fazën e ligës, ku grumbulluan tetë pikë dhe përfunduan në vendin e 20-të, duke siguruar kalimin në play-offin e fazës nokaut. Tani, përpara tyre është edhe një tjetër mundësi për të shkruar histori në Evropë.

Një fitore në Andorrë do t’i siguronte Dritës pjesëmarrjen për të dytin edicion radhazi në fazën e ligës të Ligës së Konferencës.

Burimi: Telegrafi