Boksierja e Kosovës, Donjeta Sadiku, ka siguruar finalen e madhe të Lojërave Mesdhetare, pasi ka demoluar boksieren greke Sofia Legaki. Donjeta tregoi formë të shkëlqyer që në rundin e parë, duke boksuar në mënyrë të disiplinuar dhe duke e goditur disa herë kundërshtaren e saj greke. Edhe në rundin e dytë, Sadiku zhvilloi një luftë të madhe dhe vazhdoi të kontrollonte duelin.
Legaki u përpoq disa herë ta befasojë me goditje të shpejta, por Donjeta ishte shumë e kujdesshme dhe e menaxhoi me sukses situatën. Në rundin e tretë, boksierja dëshmoi edhe një herë klasën e saj, duke dominuar duelin dhe duke arritur fitore të merituar që e dërgoi në finalen e madhe.
