Zjarr në Prishtinë | Tri vetura e një pjesë e shtëpisë përfshihen nga

0%

Një incident i rëndë dhe me rrethana të dyshimta ka ndodhur pas mesnate në Prishtinë, ku tri vetura dhe një pjesë e një shtëpie janë përfshirë nga zjarri, duke shkaktuar dëme që sipas pronarëve kapin shifrën prej rreth 100 mijë eurosh, raporton Sinjali. Ngjarja ka ndodhur më 25 gusht, rreth orës , në rrugën “Selman Lokaj”.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti lidhet me familjen Qehaja, përkatësisht N. Q dhe djalin e tij, G. Q Fillimisht Policia është njoftuar për dy automjete të përfshira nga zjarri, por kur patrulla ka mbërritur në lokacion, situata ka rezultuar më serioze – tri vetura po digjeshin në hapësirën e shtëpisë dhe garazhit.

Në vendngjarje kanë intervenuar zjarrfikësit, të cilët kanë arritur t’i shuajnë flakët, ndërsa është dashur të dalë edhe ekipi i KEDS-it për ta ndërprerë furnizimin me energji elektrike në atë zonë. Përveç automjeteve, zjarri ka përfshirë edhe një pjesë të shtëpisë. Sipas pronarëve, dëmi i përgjithshëm i shkaktuar llogaritet në rreth 100 mijë euro.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Fatmirësisht, nga zjarri nuk ka persona të lënduar. Por ajo që familjarët u kanë deklaruar hetuesve ka ngritur dyshime se zjarri mund të mos ketë qenë aksidental. Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, N. dhe G. Q kanë deklaruar se ndodheshin brenda shtëpisë kur papritur dëgjuan një zhurmë të madhe. Ata dyshojnë se zhurma mund të ketë ardhur nga një mjet i tipit “Molotov”.

Kur kanë dalë në oborr, sipas deklarimit të tyre, kanë parë se dy prej veturave kishin marrë flakë fillimisht në pjesën e poshtme, çka i ka shtyrë të dyshojnë se zjarri ishte shkaktuar qëllimisht. Megjithatë, familjarët kanë deklaruar para Policisë se nuk kanë probleme me ndonjë person.

Në rast janë përfshirë edhe hetuesit rajonalë, ndërsa eksperti i zjarrit pritet të bëjë ekzaminimin e vendngjarjes për të përcaktuar shkakun dhe pikën e nisjes së flakëve. Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar ndërmarrjen e veprimeve hetimore nën dyshimin për veprën “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Në këtë fazë nuk ka person të identifikuar si të dyshuar, ndërsa pretendimi për “Molotov” mbetet dyshim i familjarëve dhe ende nuk është konfirmuar nga ekspertiza. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com