Një zjarr me rrethana të dyshimta ka shkaktuar dëme të mëdha gjatë natës në Prishtinë, ku tri vetura dhe një pjesë e një shtëpie u përfshinë nga flakët. Familjarët dyshojnë se gjithçka mund të ketë qenë e qëllimshme, ndonëse para Policisë kanë deklaruar se nuk kanë probleme me askënd, raporton Sinjali. Ngjarja ka ndodhur më 25 gusht, pak pas orës , në rrugën “Selman Lokaj” në Prishtinë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti lidhet me Nexhat dhe Genc Qehajën, babë e bir, të cilët ndodheshin në shtëpi në momentin kur nisi gjithçka. Ishte rreth orës kur ata, sipas deklarimeve të dhëna para Policisë, dëgjuan një zhurmë të madhe nga jashtë. Kur dolën në oborr, dy prej veturave kishin marrë flakë në pjesën e poshtme. Zjarri u përhap me shpejtësi.
Kur patrulla policore mbërriti në vendngjarje, tri automjete tashmë ishin përfshirë nga flakët, ndërsa zjarri kishte prekur edhe një pjesë të shtëpisë. Në vendngjarje intervenuan zjarrfikësit, të cilët arritën ta lokalizojnë dhe shuajnë zjarrin. Për shkak të rrezikut është angazhuar edhe KEDS-i, që ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike në atë zonë.
Zjarr në Prishtinë | Tri vetura e një pjesë e shtëpisë përfshihen nga flakët – dëmi rreth 100 mijë euro, familja dyshon për “Molotov” Fatmirësisht, nuk pati persona të lënduar. Por dëmi material është i madh. Sipas familjes Qehaja, vlera e dëmit të shkaktuar në automjete dhe shtëpi arrin në rreth 100 mijë euro.
Ajo që e bën rastin edhe më misterioz është deklarimi i familjarëve për mënyrën se si dyshojnë se nisi zjarri. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se babë e bir kanë ngritur dyshimin se mund të jetë përdorur një mjet i tipit “Molotov” dhe se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht.
Megjithatë, përballë këtij dyshimi qëndron edhe një tjetër detaj: familjarët kanë deklaruar se nuk kanë probleme apo konflikte me ndonjë person. Në këtë fazë, dyshimi për “Molotov” nuk është konfirmuar nga ekspertiza. Eksperti i zjarrit pritet të ekzaminojë vendngjarjen për të përcaktuar pikën e nisjes dhe shkakun e flakëve, ndërsa në rast janë përfshirë edhe hetuesit rajonalë.
Për ngjarjen është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar që fillimisht rasti të evidentohet nën dyshimin për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe të ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore. Për momentin nuk ka person të identifikuar si të dyshuar.
Tashmë ekspertiza pritet t’i japë përgjigje pyetjes kryesore: ishte një zjarr aksidental, apo dikush shkoi në mes të natës në oborrin e familjes Qehaja për t’ua vënë flakën veturave? Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
