Kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Mehmeti Ballazhi, ka njoftuar se tashmë janë funksionalizuar pikat publike të internetit falas në dy parqe të qytetit, në kuadër të iniciativës WiFi4WB.
Qasja falas në internet është mundësuar në Parkun “Isa Berisha” dhe Parkun “Bllaca ’99”, duke u ofruar qytetarëve, të rinjve dhe vizitorëve mundësi për lidhje me internet gjatë qëndrimit në këto hapësira publike. Sipas njoftimit, projekti synon t’i bëjë parqet më të përshtatshme për komunikim, punë, mësim dhe argëtim, si dhe të kontribuojë në digjitalizimin e hapësirave publike.
Iniciativa WiFi4WB mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë, përmes projektit EU4Digital, ndërsa në realizimin e saj kanë kontribuar edhe GIZ dhe Telekomi i Kosovës – Vala.
