Fundi i afatit kalimtar të transferimeve mund të sjellë një lëvizje të papritur mes Juventusit dhe Atletico Madridit. Sipas raportimeve të Gazzetta dello Sport , dy klubet e mëdha evropiane mund të përfshihen në një shkëmbim të drejtpërdrejtë lojtarësh. Juventusi, i fokusuar në përforcimin e repartit ofensiv, ka kthyer vëmendjen nga sulmuesi norvegjez Alexander Sorloth.
Te bardhezinjtë dyshohet se nuk janë bindur plotësisht nga Randal Kolo Muani dhe tashmë po kërkojnë një alternativë më të besueshme për vijën e parë të sulmit. Sorloth, 30-vjeçar, shihet si një profil ideal për Juventusin, veçanërisht për shkak të produktivitetit të tij para portës.
Sulmuesi norvegjez ka shënuar të paktën 20 gola në secilën prej tri sezoneve të fundit: 20 gola në sezonin 2025/26 me Atletico Madridin, 24 në sezonin 2024/25, ndërsa në sezonin 2023/24 realizoi 26 gola me Villarrealin. Në krahasim, Kolo Muani ka arritur shifra të ngjashme vetëm gjatë sezonit të tij të jashtëzakonshëm te Eintracht Frankfurt, kur shënoi 23 gola në sezonin 2022/23.
Nico Gonzalez si pjesë e ofertës Megjithatë, transferimi i Sorloth nga Atletico Madrid nuk pritet të jetë i lehtë, sidomos me mbylljen e afatit kalimtar gjithnjë e më pranë. Për këtë arsye, Juventusi mund të përdorë një tjetër kartë në negociata.
Sipas raportimit, klubi torinez është i gatshëm të përfshijë në marrëveshje Nico Gonzalez, një lojtar që pëlqehet nga trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone. Anësori argjentinas, 28 vjeç, ishte pjesë e Atletico Madridit sezonin e kaluar në formë huazimi dhe tashmë e njeh mirë ambientin e klubit spanjoll.
Kështu, një shkëmbim Sorloth – Nico Gonzalez mund të jetë një nga lëvizjet më interesante të ditëve të fundit të afatit kalimtar, me Juventusin që do të siguronte një sulmues të provuar, ndërsa Atletico do të rikthente një futbollist që gëzon vlerësimin e Simeones.
