23 gushti është dita që Evropa përkujton viktimat e të gjitha regjimeve totalitare dhe autoritare. Kjo shtë një datë që nuk i përket vetëm së kaluarës.
Por ajo është një ditë që bën thirrje për të kujtuar se liria, demokracia dhe dinjiteti njerëzor nuk janë vlera të vetëkuptueshme dhe se shoqëritë që harrojnë historinë rrezikojnë të mos nxjerrin mësimet e saj. 23 gushti lidhet me datën 23 gusht të vitit 1939, kur Gjermania naziste dhe Bashkimi Sovjetik komunist nënshkruan Paktin Molotov–Ribbentrop.
Parlamenti Evropian e ka përcaktuar 23 gushtin si Ditën Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të të gjitha Regjimeve Totalitare dhe Autoritare.
Frank Shkreli: Dita Evropiane e kujtimit të viktimave të komunizmit dhe nazizmit | Gazeta Telegraf – Institucionet evropiane vazhdojnë të theksojnë rëndësinë e ruajtjes së kujtesës së krimeve të nazizmit, stalinizmit, komunizmit dhe regjimeve të tjera totalitare. Për shqiptarët, kjo ditë nuk është një përkujtim abstrakt evropian.
Por duhej të ishte një ditë që prek drejtpërdrejt historinë e shqiptarëve. Shqipëria ka kujtesën e një diktature gati gjysmëshekullore. Siç dihet, ajo ka përjetuar një nga regjimet më të ashpra komuniste të Evropës Lindore.
Për gati gjysmë shekulli, shteti komunist i regjimit të Enver Hoxhës ka përdorur, si dënim e ndëshkim, burgimin, internimin, dëbimin, punën e detyruar dhe ekzekutimin e kundërshtarëve të vet politikë, si instrumente të kontrollit total politik dhe shoqëror.
Frank Shkreli: Shqipëria të dënojë zyrtarisht vra.sjet makabër të komunizmit | Gazeta Telegraf –Familje të tëra u ndëshkuan jo vetëm për veprimet e tyre, por edhe për prejardhjen familjare apo bindjet e të afërmve. Fëmijë, gra dhe të moshuar përfunduan në kampe internimi pa qenë vetë autorë të ndonjë krimi.
Një nga simbolet më tragjike të kësaj historie është ish-kampi i Tepelenës, por jo vetëm. Tepelena është vetëm një prej këtyre vendeve. Kujtesa shqiptare përfshin gjithashtu Spaçin, Qafë-Barin, Burrelin, Maliqin, kampet e internimit dhe dhjetëra burgje e vende të tjera ku mijëra shqiptarë vuajtën për arsye politike. Por a mjafton përkujtimi? Këtu qëndron pyetja më e rëndësishme.
Nuk mjafton që një herë në vit të vendosen kurora, të mbahen fjalime dhe të publikohen mesazhe politike që i merr era. Kujtesa historike duhet të kthehet, zyrtarisht, me vendime të Kuvendit të Shqipërisë, në një politikë të qëndrueshme të edukimit dhe dokumentimit.
Kjo, në rend të parë, është përgjegjësi e qeverisë dhe shtetit shqiptar, si përfaqësues të Shqipërisë, një vendi, politikisht, ushtarakisht dhe gjeografikisht, në Evropë.
Vetë institucionet evropiane theksojnë se nuk mund të ketë pajtim pa kujtesë dhe se projektet e kujtesës në çdo vend të vuajtur nga totalitarizmat e sheklullit XX, duhet të nxisin kërkimin, edukimin dhe njohjen e fakteve historike.
Frank Shkreli*: Pajtimi kombëtar, mbi të gjitha! | Gazeta Telegraf– Kjo është veçanërisht e rëndësishme në Shqipëri, ku brezat që e kanë përjetuar drejtpërdrejt komunizmin po pakësohen. Kur të mos jenë më gjallë dëshmitarët e asaj kohe, kush do t’ua tregojë të rinjve se çfarë ndodhte në burgjet dhe kampet e internimit?
Kush do t’u shpjegojë atyre se çfarë do të thoshte të humbisje lirinë e fjalës, pronën, arsimin, profesionin apo edhe jetën për shkak të bindjeve politike? Përgjigjja duhet të jetë: arkivat, muzeumet, mbi të gjitha shkollat, librat dhe dëshmitë e dokumentuara. Për Kosovën, çështja ka një dimension tjetër. Kosova nuk përjetoi regjimin komunist shqiptar të Enver Hoxhës.
Kosova ka gjithashtu kujtesën e represionit të regjimit komunist jugosllav. Përvoja historike e shqiptarëve të Kosovës lidhet me sistemin komunist jugosllav dhe me periudha të ndryshme të represionit politik, veçanërisht ndaj kërkesave politike e kombëtare të shqiptarëve në atë krahinë (sot shtet I pavarur) dhe në trojet e tjera shqiptare nën-ish-Jugosllavinë.
Prandaj, kujtesa e 23 gushtit në Kosovë duhet të shihet në kontekstin e përvojës së saj me systemin komunist ish-jugosllav, pa bërë ekuacione të pasakta historike midis dy përvojave që nuk kanë qenë identike. Kjo është pikërisht arsyeja pse Kosova ka nevojë për një trajtim serioz të kësaj date.
Jo për të importuar një narrativë të gatshme, por për ta vendosur përvojën e vet historike në kuadrin më të gjerë evropian të totalitarizmit dhe autoritarizmit. Frank Shkreli: Drejtesi edhe per Viktimat e Komunizmit ne Kosove – Zemra Shqiptare — Kosova ka historinë e vet të burgosjeve politike, të represionit dhe të përplasjeve me sistemin komunist jugosllav.
Ajo histori nuk duhet të mbetet vetëm në kujtesën e familjeve që e përjetuan. Ka edhe një parim tjetër që duhet të jetë i qartë. Kujtesa nuk do të thotë hakmarrje. Të kujtosh viktimat e komunizmit nuk do të thotë të kërkosh hakmarrje. Të studiosh krimet e një regjimi nuk do të thotë të fajësosh brezat e sotëm për veprimet e një sistemi të kaluar. Përkundrazi.
Kujtesa historike është një mënyrë për t’i dhënë dinjitet viktimave dhe për t’i dhënë shoqërisë mundësinë të kuptojë se si u krijua një system totalitar që i mohoi njeriut lirinë dhe të drejtat themelore. Prandaj, faktet duhet të jenë mbi politikën. Dokumentet duhet të jenë mbi propagandën. Dëshmitë duhet të kontrollohen dhe të krahasohen.
Dhe historia duhet të shkruhet mbi bazën e provave, jo të nevojave politike të ditës. Kjo është edhe mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur atyre që përpiqen ta relativizojnë të kaluarën totalitare, në rastin e shqiptarëve, komunizmin prej pothuaj një shekulli. Çështja e kujtesës së viktimave të komunizmit, merr një rëndësi edhe më të madhe kur e shohim në një kontekst ndërkombëtar.
Në Evropë, 23 gushti vazhdon të përdoret si një ditë edukimi dhe reflektimi. Rrjeti Evropian i Kujtesës dhe Solidaritetit, për shembull, e shoqëron përkujtimin e këtij viti me fushatën “Remember. August 23”, (Kujtoje 23 Gushtin), duke e lidhur kujtesën e viktimave me edukimin publik dhe me nevojën për të kuptuar pasojat e totalitarizmit në Evropën e sotme.
Edhe në Shtetet e Bashkuara, megjithse nuk kanë pasur të bëjnë në mëynzrë direkte me totalitarianizmin komunist e nazist, po shohim një interes në rritje për mësimin e historisë së komunizmit dhe të regjimeve totalitare në shkolla.
Frank Shkreli: Dhoma e Përfaqësuesve e Shtetit Teksas, dënon komunizmin dhe kërkon miratimin e ligjit që në shkollat e shtetit të mësohet mbi krimet e komunizmit | Gazeta Telegraf — Kjo është një qasje që meriton vëmendje edhe në Shqipëri e Kosovë.
Sepse lufta kundër harresës nuk fitohet vetëm me monumente, kushtuar viktimave të komunizmit, megjitse as ato nuk ekzistojnë në trojet shqiogtare, por fitohet në klasën e historisë. Aty, në kalsën e historisë, ku një nxënës mëson se çfarë është demokracia, duhet të mësojë edhe çfarë ndodh kur demokracia shkatërrohet.
Aty ku mëson për lirinë e fjalës, duhet të mësojë edhe se çfarë ndodh kur shteti e ndalon fjalën e lirë. Aty ku mëson për të drejtat e njeriut, duhet të mësojë edhe historinë e atyre që i humbën këto të drejta nga regjimet totalitare si komunizmi, anë e mbanë trojeve shqiptare për pothuaj një shekull. Prandaj, 23 gushti nuk duhet të jetë vetëm një datë në kalendar.
Për Shqipërinë, kjo është një detyrë e veçantë. Ndërsa ende ka dëshmitarë gjallë. Ka arkiva. Ka dokumente. Ka ish-të burgosur dhe ish-të internuar. Ka familje që ende kërkojnë eshtrat e të afërmve të zhdukur. Ka vende të vuajtjes që presin të dokumentohen dhe të shndërrohen në vende serioze kujtese. Kemi, mbi të gjitha, një brez të ri që ka të drejtë ta njohë të vërtetën.
Edhe Kosova ka detyrimin ta dokumentojë dhe t’ua përcjellë brezave të rinj historinë e represionit dhe të vuajtjeve të shqiptarëve nën systemin komunist jugosllav, në mënyrë të argumentuar dhe të mbështetur në dokumente. Sepse kujtesa nuk është vetëm për ata që vuajtën.
Kujtesa është edhe për ata që nuk kanë lindur ende. 23 gushti na kujton se viktimat e totalitarizmit nuk duhet të kujtohen vetëm për dhimbjen që përjetuan, por edhe për mësimin që historia e tyre i jep shoqërisë. Dhe ky mësim është i thjeshtë: Asnjë ideologji, asnjë parti dhe asnjë shtet nuk mund të vendoset mbi dinjitetin dhe lirinë e njeriut.
Nëse këtë ua mësojmë brezave të rinj, atëherë 23 gushti nuk do të jetë thjesht një ditë përkujtimore. Do të jetë një ditë që i shërben demokracisë. Dhe ndoshta kjo është mënyra më e denjë për t’i kujtuar viktimat e regjimeve totalitare, komunizmit dhe nazizmit. Jo vetëm duke i vajtuar ato viktima, por duke mësuar prej historisë së tyre.
