Komuna e Kamenicës ka njoftuar se nga do të kompensohet ora e kujdestarisë për të gjithë mësimdhënësit kujdestarë. Sipas njoftimit të Komunës, të publikuar më , ky është hapi i parë i këtij lloji në nivel komunal dhe në nivel vendi për vlerësimin e punës së mësimdhënësve.
Drejtori i Arsimit në Kamenicë, Selami Klaiqi, ka thënë se vendimi është një hap i rëndësishëm drejt vlerësimit të punës dhe angazhimit të mësimdhënësve. “Mësimdhënësit tanë meritojnë që puna dhe përgjegjësitë e tyre të vlerësohen.
Pagesa e orës së kujdestarisë është një hap konkret për të mbështetur më tej mësimdhënësit dhe për të njohur angazhimin e tyre të përditshëm në edukimin dhe kujdesin ndaj nxënësve. Ne do të vazhdojmë të punojmë për krijimin e kushteve sa më të mira për ta dhe për përmirësimin e vazhdueshëm të arsimit në Kamenicë”- citohet të ketë thënë Klaiqi në njoftimin e Komunës.
Në një prononcim për KALLXO.com, Klaiqi ka bërë të ditur se kompensimi do të mbulohet nga buxheti i planifikuar nga Komuna e Kamenicës. Sipas tij, në këtë komunë janë rreth 200 orë kujdestarie. “Për vite të tëra, kujdestaria mbahet dhe nuk kompensohet. Nga 1 shtatori kemi planifikuar që t’i kompensojmë me buxhet të Komunës. Janë rreth 200 orë që do të kompensohen”- ka thënë Klaiqi më .
Ai ka sqaruar se ora e kujdestarisë do të kompensohet si një orë mësimore dhe do të përfshihet në normën e mësimdhënësit. Klaiqi ka përmendur se ligji e lejon kompensimin e mësimdhënësit deri në mbi 20% të pagës bazë. “Në normë i bie që, nëse një mësimdhënës i gjuhës shqipe i ka 19 orë në një shkollë dhe një orë kujdestarie, ai e plotëson normën e plotë.
Edhe pse ligji e lejon, me vendim të Qeverisë, kompensimin e mësimdhënësit deri në mbi 20 për qind të pagës bazë, kështu që, nëse norma mësimore është 20 orë javore, punëdhënësi në këtë rast ka të drejtë t’i japë mësimdhënësit mbi normë deri në katër orë ose t’ia kompensojë deri në katër orë”- ka shtuar ai. Klaiqi ka sqaruar se orët e kujdestarisë nuk do të paguhen si orë shtesë.
Sipas tij, Kamenica ka një numër të madh të mësimdhënësve shtesë, ndërsa përmes këtij vendimi synohet që atyre t’u jepen më shumë përgjegjësi. Ai vlerëson se kjo do të jetë edhe në favor të nxënësve. “Ne e kemi normalizuar, sepse Kamenica ka një numër të madh të mësimdhënësve shtesë dhe ideja është të normalizohet pak, duke u dhënë përgjegjësi mësimdhënësve.
Kjo është edhe në favor të nxënësve”- ka thënë Klaiqi. KALLXO.com ka kontaktuar edhe kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) në Kamenicë, Lulzim Thaqi. Ai e ka cilësuar vendimin si lajm pozitiv dhe ndihmesë për mësimdhënësit, megjithëse orët e kujdestarisë do të kompensohen njësoj si orët e tjera mësimore. “Është lajm pozitiv.
Ne e përkrahim dhe besojmë se është ndihmesë për mësimdhënësit, edhe pse paguhen njësoj si orët e tjera mësimore”- ka thënë Thaqi më . Sipas tij, gjatë viteve të fundit ka pasur rënie të numrit të orëve në gjithë Kosovën dhe jo vetëm në Kamenicë. Thaqi ka vlerësuar se ky vendim përbën kontribut të madh për mësimdhënësit dhe se një praktikë e tillë duhet të ndiqet edhe nga komunat e tjera.
Viti shkollor 2026/2027 do të nis më .
