Një ngjarje tragjike në një kantier ndërtimi në Prishtinë, ku një punëtor humbi jetën pasi ra nga lartësia, ka marrë tashmë edhe drejtim penal. Një person është intervistuar si i dyshuar dhe më pas është ndaluar për 48 orë, raporton ekskluzivisht Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Xhemajl Shalën rreth 57-vjeçar , i cili është ndaluar në kuadër të hetimeve për vdekjen e punëtorit Florim Ramaj Tragjedia në vendin e punës në Prishtinë | 49-vjeçari bie nga lartësia dhe humb jetën – ndalohet një person nga “Shala Group” Tragjedia ndodhi më 24 gusht, rreth orës , në një objekt të kompleksit “Shala Group”, në rrugën “Syri i Kaltër”, në drejtim të Hajvalisë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Policia u njoftua se një person kishte rënë nga lartësia në objektin ku po punonte. Në vendngjarje mbërriti edhe ekipi i Emergjencës, por për Ramajn nuk kishte më shpëtim. Vdekja e tij u konstatua në vend. Rasti mobilizoi menjëherë disa institucione.
Në kantier dolën hetuesit policorë, Krimteknika, Instituti i Mjekësisë Ligjore, Inspektorati i Punës dhe inspektorët komunalë. Në vendngjarje doli edhe Prokurori i Shtetit, i cili udhëhoqi hetimet preliminare dhe kërkoi përfshirjen e një eksperti për të shqyrtuar çështjet që lidhen me përgjegjësinë për sigurinë në punishte.
Pikërisht kushtet e sigurisë në vendin e punës tashmë janë një nga pikat kyçe të hetimit. Nga Inspektorati i Punës pritet raporti me të gjeturat lidhur me sigurinë në kantier, ndërsa konstatime të veçanta priten edhe nga eksperti i angazhuar nga Prokurori. Në kuadër të veprimeve hetimore janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve inxhinieri i kompanisë dhe një punëtor.
Hetimet më pas kanë çuar te Xhemajl Shala. Sipas burimeve të Sinjalit, Shala është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, në praninë e avokatit mbrojtës, ndërsa pas përfundimit të intervistimit Prokurori ka marrë vendim që ai të ndalohet për 48 orë.
Rasti po hetohet nën dyshimin për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Tashmë pritet që raporti i Inspektoratit të Punës dhe ekspertiza e kërkuar nga Prokuroria të hedhin dritë mbi një nga çështjet kryesore të hetimit: a ishin respektuar masat e sigurisë në kantier dhe kush mbante përgjegjësi për to në momentin kur Florim Ramaj humbi jetën. Hetimet për rastin po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
