Një incident i pazakontë ka ndodhur mëngjesin e 24 gushtit brenda Stacionit Policor Jugu në Prishtinë, ku një shtetas britanik dyshohet se ka sulmuar dy zyrtarë policorë dhe ka dëmtuar inventarin e stacionit, raporton Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është A. R. rreth 34 vjeçar shtetas britanik.
Gjithçka ka ndodhur rreth orës , derisa A.R. ndodhej brenda objektit policor. Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, 34-vjeçari dyshohet se ishte në gjendje të dehur dhe agresive, ndërsa kishte refuzuar t’i nënshtrohej alkool-testit. Situata më pas dyshohet se ka eskaluar.
Ramadani dyshohet se ka sulmuar dy zyrtarë policorë brenda stacionit, ndërsa gjatë incidentit janë dëmtuar edhe dy dollapë – sefa, në njërën prej zyrave në katin përdhes. Dy zyrtarët policorë, por edhe vetë i dyshuari, kanë marrë trajtim mjekësor pas incidentit.
Hetuesit rajonalë kanë intervistuar policët e përfshirë në rast, ndërsa Ramadani fillimisht nuk ka mundur të intervistohet për shkak të gjendjes në të cilën ndodhej. Por telashet për të nuk kanë përfunduar me incidentin brenda stacionit. Gjatë verifikimeve ka rezultuar se ndaj Ramadanit ekzistonte edhe një urdhër-arrest aktiv.
Për këtë është njoftuar Njësia e Urdhëresave, e cila do të koordinohet me gjyqtarin kompetent që kishte lëshuar urdhër-arrestin. Ndërkohë, për sulmin ndaj policëve është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe ndalimin e të dyshuarit për 48 orë. Ramadani është dërguar në Qendrën e Mbajtjes.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
