Katër kartëmonedha të prerjes 500 euro, me vlerë të përgjithshme prej 2 mijë eurosh, kanë ngritur dyshime për falsifikim në Bankën për Biznes (BPB), duke bërë që rasti të përfundojë në duart e Policisë dhe Prokurorisë, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është raportuar më 24 gusht, rreth orës , pasi nga BPB është ngritur alarmi për katër kartëmonedha që dyshohej se nuk ishin autentike. Dyshimet nuk janë ngritur rastësisht. Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, ajo që ka tërhequr vëmendjen te katër 500-shet kanë qenë numrat e tyre serikë, të cilët rezultonin shumë të përafërt mes vete.
Pas evidentimit të këtij detaji, selia qendrore e BPB-së ka udhëzuar që rasti të raportohej në Polici. Në vendngjarje kanë dalë njësitë policore, të cilat kanë sekuestruar të katër kartëmonedhat, gjithsej 2,000 euro. Në rast janë përfshirë edhe hetuesit policorë, ndërsa për gjetjet është njoftuar Prokurori i Departamentit për Krime të Rënda.
Me urdhër të tij, rasti është iniciuar për veprën penale “Falsifikimi i parasë”. Kartëmonedhat e sekuestruara tashmë pritet t’u nënshtrohen ekzaminimeve për të përcaktuar nëse bëhet fjalë vërtet për para të falsifikuara, ndërsa hetimet duhet të zbardhin edhe prejardhjen e 500-sheve dhe mënyrën se si ato përfunduan në bankë. Sipas të dhënave të rastit, me kartëmonedhat lidhet edhe K.
B, ndërsa në këtë fazë nuk ka konstatim përfundimtar lidhur me përgjegjësinë eventuale të saj. Katër 500-she, numra serikë që ngritën dyshime dhe 2 mijë euro të sekuestruara – tashmë fjalën e kanë hetuesit dhe ekspertiza. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
