Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka folur për reagimin e FFK-së ndaj shfaqjes së simboleve dhe hartave të Kosovës nën kufijtë e Serbisë në stadiume të ndryshme evropiane. Në një intervistë për emisionin “Sports Show”, Ademi ka thënë se Federata e Futbollit të Kosovës i raporton në UEFA-s të gjitha rastet kur shfaqen simbole apo dëgjohen brohoritje kundër Kosovës.
“Federata e Futbollit çdo vend ku e sheh që u paraqit një simbol i tillë ose një brohoritje, edhe hiç pa simbole, ne e kemi për obligim me i lajmëruar dhe me i paraqit në UEFA”, deklaroi Ademi. Ai theksoi se FFK-ja ka raportuar raste të tilla edhe kur ato nuk kanë ndodhur në ndeshjet e Kosovës. “Edhe kur s’jemi ne edhe kur s’janë lojërat tona i kemi çuar.
Nuk ka asnjëherë që ne në UEFA nuk jemi ankuar, nuk e kemi çuar. Normalisht janë bërë edhe dënimet të cilat nuk varen prej neve, por varen prej UEFA-s” , tha ai. Ademi e cilësoi këtë fenomen si shqetësues dhe acarues për siç u shpreh ai, futbollistët që janë në atë klub. “Kjo është pak shqetësuese, domethënë edhe është nervozuese për ndoshta për futbollistë nëse janë në atë klub.
Kosova është shtet i pavarur dhe ne e mbrojmë atë dhe jemi për shtet të pavarur”. Ai shtoi se FFK-ja do të vazhdojë të raportojë në UEFA çdo rast që e konsideron të papranueshëm. “Asnjëherë nuk kemi me u ndalë në këtë drejtim për ta prezantuar Kosovën dhe për t’i paraqitur dukuritë e këqija që ndodhin në sport”, përfundoi Ademi.
