Vizita e Zelenskyt në Beograd: Çfarë mund të mësonte nga përvoja

0%

Në Samitin e NATO-s muajin e kaluar në Ankara, pata nderin e madh të takoja presidentin Zelensky. Po ta dija se së shpejti do ta vizitonte Beogradin, do të kisha ndarë këshillën time kritike me këshilltarët e tij.

E rrethuar nga një agresor si Rusia – e cila ka një politikë të jashtme aktive globale dhe një rrjet bashkëpunëtorësh si Serbia – Ukraina duhet të mësojë nga kundërthënia e vazhdueshme lidhur me vizitën e Zelenskyt në Ballkan.

Pa asnjë fije dyshimi, presidenti Zelensky i avancoi interesat e Ukrainës duke vizituar vendin që, si Rusia, ashtu edhe Kina, e shohin si aleaten kryesore në Ballkan. Pamjet e presidentëve ukrainas e serbë duke ecur së bashku përgjatë qilimit të kuq para gardës së nderit sigurisht e ulën moralin në Moskë dhe e tronditën Pekinin.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Të dy kryeqytetet janë shumë të vetëdijshme se Serbia – përmes marrëveshjeve fitimprurëse me vendet e treta – e furnizon me sasi të mëdha municionesh Ukrainën.

Me fjalë të tjera, pasi vizitoi Kievin muajin e kaluar, presidenti Aleksandar Vuçiq tani po krenohet me marrëdhënien e tij me armikun e përbetuar të Rusisë – forcat e të cilit përdorin municione serbe për t’i vrarë trupat pushtuese ruse. E megjithatë, presidenti i dobët dhe i sulmuar Putin mund të bëjë pak për këtë.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e ka pranuar këtë në intervistën e tij të mëvonshme më 14 gusht. Pasi iu përgjigj pyetjes lidhur me “ndihmën për ukrainasit për të vrarë rusë”, Lavrov do të deklaronte se “do të ishte e papranueshme nëse vëllezërit tanë serbë do të merrnin pjesë në armatosjen e regjimit të Kievit”.

Prapëseprapë, Kremlini – pa sukses – e ka sulmuar vazhdimisht Serbinë për shitjen me vetëdije të “raketave dhe predhave (që) … vrasin ushtarë rusë”. Po aq e sikletshme, Moska e ka përmendur Bullgarinë si një nga kanalet e municioneve serbe.

Lavrov e ka përshëndetur kryeministrin Rumen Radev si lider (që ndryshe nga Vuçiqi) i cili “mbetet besnik ndaj parimeve dhe bindjeve të tij”, edhe pse zyrtarët bullgarë deklarojnë hapur se do të vazhdojnë shitjet (fitimprurëse) të armëve në Ukrainë.

Pas takimit të suksesshëm me presidentin Trump në Ankara, pritja e ngrohtë e Zelenskyt nga Vuçiq u dërgoi një mesazh të fuqishëm simpatizantëve të Rusisë në Serbi dhe në krejt rajonin: është Ukraina ajo që po e fiton luftën dhe Rusia ajo që po e humb.

Nga Bullgaria fqinje deri te Republika Srpska e Bosnjës dhe entuziastët e Rusisë në Mal të Zi – ata që mbështeten te ideja se Rusia do të mbizotërojë mbi Ukrainën pësuan një goditje serioze. Këmbëngulja e Radevit se “kauza e Ukrainës është e dënuar të dështojë” duket veçmas e dyshimtë pas vizitës së Zelenskyt në Serbinë rivale.

Perspektiva e bashkëpunimit serbo-ukrainas në sektorin e energjisë mund të sinjalizojë lëvizje të mëtejshme nga Beogradi për t’u distancuar nga varësia e tij nga lëndët djegëse fosile ruse.

Pasi i zvarriti këmbët për gati një vit kundrejt kërkesave amerikane për t’i përzënë pronarët rusë nga NIS-i, dikur monopoli shtetëror serb i naftës, Vuçiq mund të ketë bërë lëvizje për ta përmbyllur më në fund shitjen Hungarisë fqinje. Fatkeqësisht, ajo që vizita nuk do t’ia dalë ta realizojë është të detyrojë rivlerësim strategjik në Beograd.

Para vizitës, Vuçiq e bëri të qartë se nuk do të ndryshojë qëndrimi i vendosur i Serbisë – refuzimi për të zbatuar sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Dhe pse do ta ndryshonte Beogradi?

Prishja e marrëdhënieve me Rusinë, siç ka kërkuar kancelari gjerman, Friedrich Merz, do të nënkuptonte përqafimin e plotë të BE-së – dhe reforma të sundimit të ligjit që një regjim i korruptuar serb nuk mund t’i përballojë kurrë.

Përkundrazi, vizita e Zelenskyt është shtysa që Vuçiqit i duhej për ta ruajtur “ekuilibrin” e tij të rremë ndërmjet Europës dhe afrive të vërteta të presidentit serb me Rusinë dhe Kinën. Ndër të tjera, kjo do të thotë se “Russia Today” dhe “Sputnik” do të vazhdojnë të përhapin propagandë pro-ruse në rajon nga baza e tyre serbe – në kundërshtim të hapur me sanksionet e BE-së.

Duke pasur parasysh se Kievi e dinte paraprakisht qëndrimin e vendosur të Beogradit për sanksionet, enigma është se pse Zelensky e shpërbleu mikpritësin e tij me një deklaratë të ekzagjeruar dhe të pasaktë mbi Kosovën – duke e ftohur politikën shqiptare të vendosur pro-Ukrainës dhe duke promovuar narrativën thelbësore anti-NATO të Putinit.

Anashkalimi i Rusisë nga Aleanca në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në vitin 1999 dhe procesi i udhëhequr nga SHBA-ja që çoi në pavarësinë e Kosovës më 2008 përkundër kundërshtimeve ruse dhe serbe, janë ngjarjet kryesore në botëkuptimin anti-perëndimor të presidentit rus. Putin ka pohuar vazhdimisht se rastet e Serbisë dhe Ukrainës janë “absolutisht të njëjta”.

Duke i dhënë zë krejt kësaj, Zelensky në deklaratën e tij publike gabimisht ngatërroi qëndrimet e Ukrainës dhe Serbisë mbi të drejtën ndërkombëtare: “Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë. Ne respektojmë të drejtën ndërkombëtare. Ky është qëndrimi ynë. Sa i përket … shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës … politika e Ukrainës nuk ka ndryshuar”.

Duke mos pasur ekspertizë në Ballkan në ekipin e tij, Zelensky nuk e kuptoi se në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në një çështje të iniciuar nga Serbia, deklaroi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkeli as të drejtën ndërkombëtare dhe as rezolutën qeverisëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi ish-provincën serbe.

Zelensky nuk është i vetmi që ka frikë se njohja e Kosovës nga Ukraina do t’ia mundësonte Putinit ta përdorë si “precedent” që justifikon njohjen (dhe aneksimin e mëvonshëm) të Donjeckut, Luhanskut dhe Krimesë nga Rusia. Por Putini tashmë vazhdimisht – përfshirë edhe në fjalimet zyrtare para Dumës – e ka përmendur “precedentin e Kosovës” si justifikim për grabitjet ruse.

Ironikisht, duke përdorur analogjinë e rreme Serbi-Ukrainë, Zelensky inkurajon afrim më të ngushtë midis Beogradit dhe Moskës. Serbia varet nga Kremlini për ta bllokuar anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Paralelja e vërtetë me Ukrainën është Kosova – një vend i nënshtruar për vite me radhë nga një kundërshtar shumë më i madh dhe më i fuqishëm derisa, me vonesë, ndërhynë aleatët perëndimorë. Për të ndjekur interesat e tij në Ballkan, presidenti Zelensky duhet të kombinojë bashkëpunimin pragmatik me Serbinë me një qasje parimore dhe strategjike të çështjes së Kosovës.

Është Rusia, e jo Ukraina, ajo që duhet ta përjetësojë mitin e agresionit të NATO-s që çon në shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Nuk është tepër vonë për ta zbutur gabimin. Ukraina mund të imitojë Izraelin, i cili ka arritur të mbajë lidhje të ngushta si me Serbinë – duke përfshirë edhe si marrës i municioneve serbe – gjithashtu edhe me Kosovën.

Në të vërtetë, Kievi mund ta ndjekë precedentin e vendosur nga Moska, e cila ka pasur një zyrë zyrtare ndërlidhëse në Prishtinë gjatë pothuajse dy dekadave të pavarësisë së Kosovës. Dhe ashtu siç presidentët Zelensky dhe Vuçiq u morën vesh të avancojnë bashkëpunimin ekonomik, gjithashtu mund ta bëjnë edhe Ukraina e Kosova.

Fundja, siç ka shkruar ky autor, interesat e Ukrainës qëndrojnë në njohjen e Kosovës – një hap që do t’i detyrojë katër vendet që nuk e njohin Kosovën (Spanja, Sllovakia, Rumania e Greqia) t’i rishqyrtojnë qëndrimet e tyre kokëforta dhe me të meta ligjore. Katalizatori Kiev-Kosovë do t’ia krijonte Kosovës një shtegdalje drejt NATO-s, duke ia prerë udhën varësisë së Serbisë nga Kremlini.

Në fund të fundit, përkushtimi ndaj parimeve është kursi më pragmatik./ Përktheu në shqip: Rexhep Maloku/KALLXO.com (Edward P. Joseph është ligjërues dhe bashkëpunëtor i lartë në Johns Hopkins SAIS) Tekstin origjinal të publikuar në voxukraine.org mund ta gjeni duke klikuar KËTU .

Burimi: Kallxo