Kanë nisur Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, një event i rëndësishëm sportiv i rajonit të Mesdheut e ku Shqipëria përfaqësohet me një ekip të plotë, me 72 sportistë, në disa disiplina. Të premten në mbrëmje u zhvillua ceremonia e hapjes, ku mori pjesë edhe delegacioni kuqezi, ndërkohë që paraditen e së shtunës u zhvilluan edhe garat e para, që do të vijojnë edhe gjatë pasdites.
Sportistja e parë shqiptare që garoi në këtë event është notarja Arla Dermishi. Ajo mori pjesë në baterinë e dytë të garës 50 metra flutur, ku u rendit në vendin e parafundit. Dermishi dha kohën 28”49, duke u klasifikuar në vendin e shtatë (notarja e tetë nuk mori pjesë në garë), pa mos patur kështu mundësi që të shkojë në finalen e kësaj disipline.
Në mundje, në peshën 60kg të stilit greko-romak, mundësi Bajram Sina u mund që në sfidën e parë, 9-0 nga italiani Gabriele Pucher, duke u eliminuar nga gara. Po në këtë stil, në peshën 77kg, mundësi Kevin Kupi u eliminua që në start. Ai u mund 5-0 nga turku Yunus Emre Basar, duke mos avancuar dot më tej. Më shumë fat ka patur mundësi Ardit Zeneli në peshën 67 të stilit greko-romak.
Në cerekfinale, ai mundi 11-3 italianin Jacopo Sandron dhe arrin të kualifikohet në gjysmëfinale, ku pasditen e sotme do të përballet me algjerianin Fayssal Benfredj. Në taekwondo, sportisti Ernest Merdanaj garoi në peshën -62kg, ku debutoi me fitore. Ai mundi 2-0 libanezin Peter Zarifeh. Në përballjen e dytë, Merdanaj u mund po 2-0 nga turku Berkay Erer, duke mos avancuar dot më tej.
Në çiklizëm, gara e kronometrit për femra, nuk jep asnjë rezultat për Shqipërinë. Dy sportistet tona Nikol Dollaku e Nelia Kamberaj, nuk morën pjesë në këtë disiplinë, duke u klasifikuara të fundit.
