Për situatën në Kosovë, siguri, politik – në një intervsitë për “Bota sot” ka folur Dr. Gurakuç Kuçi – Profesor në Kolegjin Universum dhe bashkëpunëtorë i jashtëm në Instituutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS” Profesor Kuçi thotë se hapja e Urës së Ibrit nënkupton rikthimin e lirisë së lëvizjes dhe normalitetit.
Kuçi paralajmëron se Beogradi mund ta shfrytëzojë hapjen e Urës së Ibrit për propagandë, protesta apo incidente. Ai thotë se Kosova duhet të jetë e vendosur, por profesionale dhe transparente, duke garantuar se ura është për të gjithë. Gurakuç Kuçi Kurse, deklaratat e Vuçiqit, ai i cilëson si kërcënim hibrid dhe presion politik, që prek sigurinë ujore, energjetike e ekonomike të Kosovës.
Derisa Kosova ende nuk ka funksionalizuar qeverinë, e as Kuvendin, Kuçi paralajmëron se kriza institucionale krijon hapësirë për presionin dhe ndërhyrjet hibride të Serbisë. Ai kërkon formim të shpejtë të institucioneve dhe koordinim më të madh në siguri e diplomaci.
Intervsita e plotë: “Bota sot”: Sa e rrezikshme është aktualisht hapja e Urës së Ibrit dhe a mund të sjellë tensione të reja? Hapja e urës së Ibrit nuk përbën asnjë rrezik por nënkupton rikthimi i normalitetit të lirisë së lëvizjes dhe heqje e barrierave politike të vendosura si simoble ndarëse.
Serbia e ka shndërruar këtë urë në instrument politik dhe psikologjik të ndarjes, duke krijuar perceptimin se lumi Ibër përbën kufi ndërmjet dy territoreve. Një kufi i tillë nuk ekziston as juridikisht dhe as kushtetueshmërisht. Tensionet mund të shfaqen vetëm nëse Beogradi dhe strukturat e tij e përdorin hapjen si pretekst për protesta, dezinformim ose incidente të fabrikuara.
Prandaj, Kosova duhet ta hapë dhe ta funksionalizojë urën me plan sigurie, prani profesionale policore dhe koordinim me partnerët. Kosova nuk po hap konflikt; Kosova po hap një urë që gjendet në territorin e saj. “Bota sot”: A është veriu gati për kalimin gradual të përgjegjësisë së sigurisë nga KFOR-i te institucionet e Kosovës?
Po, sepse veriu është pjesë e pandashme e Kosovës dhe institucionet e Republikës kanë përgjegjësi kushtetuese për sigurinë në të gjithë territorin. Gatishmëria nuk mund të përcaktohet nga pranimi ose kundërshtimi i Beogradit dhe strukturave ilegale, por nga kapacitetet e institucioneve të Kosovës.
Policia e Kosovës ka dëshmuar profesionalizëm, kapacitet operacional dhe aftësi për të vepruar në një mjedis kompleks. Tranzicioni duhet të jetë gradual dhe i koordinuar me KFOR-in dhe EULEX-in, por jo sepse sovraniteti i Kosovës është i diskutueshëm. Koordinimi nevojitet për menaxhimin e rrezikut dhe parandalimin e provokimeve.
Reduktimi i pranisë së KFOR-it tregon se gjendja vlerësohet më e qëndrueshme. Përgjegjësia kryesore duhet t’u kalojë institucioneve vendore, ndërsa KFOR-i të mbetet garantues strategjik në rast të një përshkallëzimi të organizuar nga jashtë. “Bota sot”: A mund ta përdorë Beogradi hapjen e urës si pretekst për tensione të reja? Po, dhe pikërisht për këtë Kosova duhet të jetë e përgatitur.
Beogradi vazhdimisht kërkon pretekste për ta paraqitur ushtrimin normal të sovranitetit të Kosovës si kërcënim ndaj komunitetit serb. Hapja e urës mund të përdoret për të prodhuar propagandë, për të mobilizuar njerëz, për të nxitur barrikada ose për të fabrikuar një incident që më pas do të paraqitej si konflikt ndëretnik. Kjo nuk do të thotë se Kosova duhet të tërhiqet.
Përkundrazi, tërheqja do ta forconte bindjen e Beogradit se tensioni dhe kërcënimi funksionojnë. Kosova duhet të veprojë me vendosmëri, por edhe me profesionalizëm, transparencë dhe komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët serbë. Duhet të bëhet e qartë se ura hapet për të gjithë, ndërsa masat e sigurisë drejtohen kundër dhunës dhe strukturave ilegale, jo kundër një komuniteti etnik.
“Bota sot”: Si duhen lexuar deklaratat e fundit të Vuçiqit për Kosovën dhe lumin Ibër? Deklaratat e Vuçiqit për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së Ibrit duhet të lexohen si kërcënim hibrid dhe si përdorim i ujit për presion politik. Këto nuk janë deklarata të zakonshme për menaxhimin e burimeve ujore.
Kur presidenti i Serbisë angazhon retorikën se do të shohë se “çfarë do të bëjnë shqiptarët”, ai e lidh një burim jetik me ndëshkimin kolektiv dhe presionin ndaj Kosovës. Kjo prek sigurinë ujore, energjetike dhe ekonomike të vendit.
Vuçiq gjithashtu po teston reagimin e partnerëve perëndimorë dhe po përpiqet ta normalizojë idenë se Serbia mund të ndërmarrë masa kundër Kosovës sa herë që nuk i pëlqejnë vendimet e institucioneve tona. Kosova duhet t’i dokumentojë këto deklarata dhe t’i trajtojë diplomatikisht si kërcënime ndaj infrastrukturës kritike dhe stabilitetit rajonal.
“Bota sot”: A përbën retorika e Vuçiqit një përshkallëzim të ri ndaj Kosovës? Po, sepse retorika ka kaluar nga mohimi politik i shtetësisë së Kosovës te kërcënimet që prekin drejtpërdrejt burimet jetike. Pas sulmit terrorist në Banjskë dhe sulmit ndaj kanalit Ibër-Lepenc, deklaratat për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit nuk mund të konsiderohen humor, metaforë ose retorikë elektorale.
Ato duhet të analizohen në kuadër të një strategjie më të gjerë hibride që përfshin ujin, energjinë, sabotimin, propagandën, spiunazhin dhe përdorimin e strukturave kriminale. Edhe nëse një projekt i tillë është teknikisht shumë i vështirë, vetë kërcënimi synon të krijojë pasiguri dhe ta paraqesë Kosovën si të cenueshme.
Prandaj, përgjigjja e Kosovës duhet të jetë institucionale: mbrojtje e infrastrukturës kritike, kundërzbulim, koordinim me NATO-n dhe ngritje e çështjes në forumet ndërkombëtare. “Bota sot”: Sa serioz është rreziku nga lufta hibride në veri? Rreziku është shumë serioz, sepse lufta hibride në veri nuk është një mundësi teorike, por proces që zhvillohet vazhdimisht.
Serbia përdor dezinformimin, presionin politik, strukturat ilegale, rrjetet kriminale, spiunazhin, sabotimin dhe kontrollin mbi një pjesë të mediave e përfaqësuesve politikë serbë. Objektivi është që qytetarët serbë të mos integrohen në institucionet e Kosovës dhe që Policia e Kosovës të paraqitet si forcë e huaj ose represive.
Në këtë mënyrë Beogradi përpiqet të ruajë ndikimin e vet dhe ta bëjë sovranitetin e Kosovës të duket i papërfunduar. Megjithatë, duhet ta ndajmë qartë komunitetin serb nga strukturat që veprojnë për interesat e Serbisë. Qytetarët serbë duhet të mbrohen dhe të përfshihen, ndërsa strukturat ilegale dhe kriminale duhet të çmontohen përmes ligjit dhe veprimit institucional.
“Bota sot”: A mund të shndërrohet një incident i vogël në një krizë të madhe sigurie? Po, sepse modeli i luftës hibride mbështetet pikërisht në shndërrimin e një incidenti lokal në krizë politike dhe ndërkombëtare. Një përplasje e vogël mund të provokohet, të filmohet vetëm pjesërisht dhe të paraqitet nga mediat e kontrolluara nga Beogradi si sulm i institucioneve të Kosovës ndaj serbëve.
Pastaj mund të aktivizohen protesta, barrikada, grupe kriminale ose individë të armatosur. Objektivi do të ishte që KFOR-i dhe bashkësia ndërkombëtare të ndërhyjnë duke kufizuar veprimin e Policisë së Kosovës. Prandaj reagimi duhet të jetë i shpejtë, proporcional dhe i dokumentuar në çdo fazë. Policia duhet të përdorë kamera, prova digjitale dhe komunikim publik në kohë reale.
Kosova nuk duhet ta lejojë Serbinë ta fitojë betejën e narrativës përpara se të bëhen të njohura faktet e incidentit. “Bota sot”: Sa e rrezikshme është kriza institucionale e Kosovës për sigurinë kombëtare?
Kriza institucionale është kërcënim serioz për sigurinë kombëtare, sepse lufta hibride përfiton nga institucionet e dobëta, vendimmarrja e fragmentuar dhe konfliktet e brendshme politike. Institucionet e sigurisë mund ta vazhdojnë punën e përditshme, por pa Kuvend, Qeveri dhe udhëheqje me mandat të plotë dobësohen planifikimi strategjik, buxhetimi, mbikëqyrja dhe diplomacia.
Serbia e përdor këtë situatë për ta paraqitur Kosovën si shtet jofunksional dhe për të argumentuar se Prishtina nuk mund ta menaxhojë veriun. Partitë politike duhet ta kuptojnë se përplasja për pushtet nuk mund të vendoset mbi sigurinë e Republikës. Kosova ka nevojë për një minimum konsensusi kombëtar mbi Serbinë, veriun, mbrojtjen dhe integrimin euroatlantik.
Pa këtë konsensus, kundërshtari i jashtëm mund t’i përdorë ndarjet e brendshme si armë kundër shtetit. “Bota sot”: A mund ta shfrytëzojë Serbia vakumin institucional për të shtuar presionin ndaj Kosovës? Po. Serbia e shfrytëzon çdo vakuum institucional për ta intensifikuar presionin politik, diplomatik dhe të sigurisë.
Ajo mund të aktivizojë propagandën, të ushtrojë presion mbi serbët lokalë, të ndërhyjë në proceset zgjedhore ose të krijojë incidente të kontrolluara në veri. Paralelisht, Beogradi përpiqet ta bindë faktorin ndërkombëtar se Kosova është e paaftë të qeverisë dhe se veriu kërkon një regjim të veçantë. Ky është objektiv strategjik, jo vetëm propagandë ditore.
Sa më gjatë që Kosova të mbetet pa institucione funksionale, aq më shumë hapësirë krijohet për veprimet e Serbisë. Përgjigjja duhet të jetë formimi i shpejtë i institucioneve dhe krijimi i një mekanizmi të përhershëm kundër kërcënimeve hibride. Kosova duhet të koordinojë policinë, inteligjencën, diplomacinë dhe komunikimin publik brenda një strategjie të vetme kombëtare.
“Bota sot”: Sa dobësohet pozita e Kosovës ndaj Serbisë pa institucione funksionale? Kosova nuk e humb sovranitetin dhe institucionet e sigurisë nuk pushojnë së funksionuari, por pozita e saj strategjike dobësohet ndjeshëm.
Pa institucione me mandat të plotë, Kosova ka më pak kapacitet për të marrë vendime, për të miratuar buxhete të sigurisë, për të lidhur marrëveshje dhe për të zhvilluar diplomaci të koordinuar. Partnerët ndërkombëtarë kërkojnë bashkëbisedues të qëndrueshëm dhe politika që nuk ndryshojnë sipas krizave partiake.
Serbia, ndërkohë, e përdor çdo vonesë për ta paraqitur Kosovën si projekt të dështuar shtetëror. Kjo dëmton integrimin në NATO, Bashkimin Evropian dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Prandaj, funksionalizimi i institucioneve nuk është vetëm çështje e qeverisjes së brendshme. Ai është pjesë e mbrojtjes së vendit dhe e konkurrencës strategjike me Serbinë në arenën ndërkombëtare.
“Bota sot”: Nëse kriza institucionale vazhdon, cili është skenari më i rrezikshëm për Kosovën? Skenari më i rrezikshëm është bashkimi i paralizës së brendshme me një operacion të organizuar në veri. Serbia mund të shfrytëzojë një incident të armatosur, një sabotim ose një protestë të dhunshme për të krijuar përshtypjen e konfliktit ndëretnik.
Më pas do të kërkohej ndërhyrje më e madhe ndërkombëtare, largim i Policisë së Kosovës dhe krijim i një zone tampon ndërmjet veriut dhe pjesës tjetër të vendit. Kjo do ta prodhonte një ndarje faktike pa pasur nevojë për pushtim klasik.
Një objektiv i ngjashëm mund të identifikohet edhe në logjikën e sulmit terrorist në Banjskë: krijimi i kaosit dhe vendosja e faktorit ndërkombëtar përpara një realiteti të kryer. Për ta parandaluar këtë, Kosova duhet të ketë institucione funksionale, informacione të sakta dhe koordinim të parapërgatitur me KFOR-in.
“Bota sot”: A mund të shfrytëzohet një periudhë e re zgjedhore për destabilizim në veri? Po, sepse zgjedhjet nuk janë më vetëm proces demokratik i brendshëm; ato janë shndërruar në hapësirë të konkurrencës gjeopolitike dhe luftës hibride. Serbia mund të përdorë kërcënimet, presionin ekonomik, varësinë nga institucionet paralele, dezinformimin dhe kontrollin politik mbi përfaqësuesit serbë.
Mund të krijohen incidente për ta ulur pjesëmarrjen, për të delegjitimuar rezultatin ose për të arsyetuar bojkotin. Ekziston gjithashtu rreziku i sulmeve kibernetike dhe shpërndarjes së materialeve të manipuluara. Kosova duhet ta trajtojë integritetin zgjedhor si pjesë të sigurisë kombëtare.
Nevojiten mbrojtje kibernetike, monitorim i financimit politik dhe siguri për kandidatët e votuesit serbë që dëshirojnë të veprojnë të pavarur nga Beogradi. Zgjedhjet duhet t’i çlirojnë qytetarët nga presioni, jo t’ua dorëzojnë përsëri përfaqësimin strukturave të kontrolluara. “Bota sot”: Çfarë duhet të bëjë Kosova tani: të veprojë, të presë koordinimin ndërkombëtar apo të ndryshojë qasje?
Kosova duhet të veprojë dhe njëkohësisht të koordinohet me aleatët. Këto nuk janë alternativa që përjashtojnë njëra-tjetrën. Shteti nuk duhet të presë leje për ushtrimin e funksioneve kushtetuese, por koordinimi me SHBA-në, NATO-n dhe vendet kryesore evropiane e fuqizon legjitimitetin dhe e zvogëlon hapësirën për propagandën serbe.
Kosova duhet të kalojë nga reagimi pas incidenteve në parandalim strategjik. Kjo përfshin mbrojtjen e ujit dhe energjisë, forcimin e kundërzbulimit, luftimin e dezinformimit dhe çmontimin ligjor të strukturave ilegale. Njëkohësisht duhet të krijohet komunikim i drejtpërdrejtë me qytetarët serbë dhe t’u garantohet siguri e barazi.
Koordinimi ndërkombëtar duhet të jetë shumëfishues i fuqisë së Kosovës, jo mekanizëm për ta pezulluar sovranitetin ose për t’i dhënë Serbisë të drejtë vetoje. “Bota sot”: Cili është skenari që duhet ta shqetësojë më së shumti Prishtinën aktualisht? Prishtinën duhet ta shqetësojë një operacion i sinkronizuar hibrid, jo vetëm mundësia e një lufte konvencionale.
Një skenar i tillë mund të përfshijë krizë institucionale, ndërhyrje zgjedhore, sabotim të infrastrukturës ujore ose energjetike, incident të armatosur në veri dhe fushatë masive dezinformimi. Të gjitha këto do të synonin ta paraqisnin Kosovën si të paaftë për të ruajtur sigurinë dhe për ta shtyrë bashkësinë ndërkombëtare drejt një zgjidhjeje që kufizon autoritetin e Prishtinës në veri.
Objektivi strategjik i Serbisë mbetet ndarja faktike e Kosovës. Ura e Ibrit është pjesë e kësaj beteje, sepse Serbia e ka përdorur si simbol dhe instrument të ndarjes. Funksionalizimi i saj, mbrojtja e infrastrukturës dhe shtrirja e institucioneve janë hapa të sigurisë dhe konsolidimit të sovranitetit.
