Sulmuesi i Dinamos, Hekuran Berisha, foli pas ndeshjes me Pafos, ku skuadra shqiptare nuk shkoi më shumë se barazimi 1 me 1 në “Elbasan Arena”. Në prononcimin e dhënë për “Supersport”, në lidhje me përballjen e parë të fazës “play off” të Ligës së Konferencës, Berisha deklaroi. “Pjesa e parë ishte pak e rënduar me thënë të drejtën. Patëm disa mundësi dhe mund të kishim bërë shumë më mirë.
Pjesën e parë pata një mundësi kur mbrojtësi ktheu topin nga portieri. Pjesën e dytë e morëm veten shumë më shumë, sigurisht që morëm inkursione dhe nga trajneri Ilir Daja. Patjetër që shpresat nuk humbin asnjëherë.
Edhe pse një kundërshtar shumë i fortë, mund të përballojmë një kundërshtar të tillë dhe t’i vendosim në vështirësi dhe atje shkojmë vetëm për fitore dhe të realizojmë ëndrrën e madhe për t’u kualifikuar në grupe. Me thënë të drejtën, nëse ma jep trajneri mundësinë, normal që do e mbaj sulmin e Dinamos. Për këtë çështje jam këtu. Shpresoj t’ia kthej me rezultate pozitive.
Kur humba rastin në fundin e pjesës së parë, u ndjeva shumë i zhgënjyer, po të kisha shënuar do të ishim shumë më mirë, më të freskët. Kishim energji edhe më shumë. Ky është futbolli, shpresoj që ndeshjen e ardhshme të konkretizoj me gol. Si je ndjerë përballë David Luiz? Normal u ndjeva shumë mirë, kur kam qenë i vogël e kam parë duke luajtur me Çelsin dhe Brazilin.
Një motiv shtesë ky”, përfundoi ai.
