Në atë katund të rrethuar nga të gjitha anët me lumë ishte duke u bërë dasmë. Krushqit me nusen kishin pothuajse një orë që kishin mbërritur. Para kullës kishte ndalë të nusëronte nusja, e rreth saj kërcenin e këndonin dasmorët. E hodhi vështrimin drejt saj, e ai vështrim i ëmbël u ndal si puthje e puhisë në faqen e saj ngjyrë allë.
Por ky vështrim e hutim i tij nuk kishte kaluar pa u vënë re prej gjyshit, mjekra e bardhë e të cilit krihej prej erës porsi mjegulla nëpër brinjat e Livadhezve. E ai ia kishte shkelur syrin nipit, sikur t’i thoshte: “E bukur si një zanë mali.” Ndërsa dhëndëri i ri kishte rrëzuar shikimin përdhe, si i zënë në faj.
Ajo kishte ardhur nga një katund tjetër, tri qafa larg, ku edhe atje kishin lëshuar burrat malit e prisnin ditë e natë ndonjë zë prej luftës.
Që në mëngjes, kur nëna ia kishte veshur brezin e ngushtë të krushqisë e ia kishte lidhur shami të bardhë mbi flokë, Liza ndjente në gjoks një peshë që s’e kishte pritur – jo frikë, po diçka si dëshira për të kthyer kokën pas edhe një herë, drejt shtëpisë ku kishte lindur.
E kishte lënë atë shtëpi tashmë pas saj, si lihet një lumë kur kalon ura, e tani i takonte kësaj kulle, këtij vargu malesh që s’i njihte ende zërat, por që tani po fillonte t’i mësonte pak nga pak, si mëson dikush një gjuhë të re duke dëgjuar.
Por gjyshi, si e kishte thirrur në emër dhëndrin dhe e kishte afruar pranë saj duke ia vënë dorën në dorë, i kishte thënë: – Erdhe si një lule që pret shiun ta ujisë, e paç këmbën e mbarë, moj bijë – mërmëriti, dhe i puthi të dy në ballë. – Eh, – kishte lëshuar frymën – qoftë e lumtur jeta juaj si një rreze dielli në ujëvarë.
Liza e ktheu shikimin drejt gjyshit e i dha dorën me një siguri që s’e priste as vetë prej vetes. Kishte dëgjuar shumë për të, për urtësinë e tij, për atë që e quanin “shtylla e Ndërfanës”, dhe tani, teksa ai i mbante dorën në dorën e tij të ashpër e të ngrohtë, ndjeu se kishte hyrë jo thjesht në një familje, po nën një çati që dinte të ruante njerëzit e vet.
Një mjegull e bardhë ngjitej kodrave të Livadhezve e Bukmirës, në majën e Velës. Maja e Munellës ishte zbardhur. Po ashtu edhe maja e Kunorës. Një erë e ftohtë vinte prej maleve. Gjethet e verdha të pemëve kishin filluar të bien.
Kështu, ndër male, kishte ardhur një dimër i ashpër, ndërsa zbriste gjithnjë e më afër Ndërfanës, ku përrenjtë, arat, sukat, kullat që zinin pjesën më të madhe, e tek-tuk ndonjë shtëpi e vogël që përvidhej mes tyre, ishin zgjuar herët prej buçimës së daulleve e lodrave që vinin prej kullës në mes të fshatit.
Gjyshi plak ishte i lumtur si kurrë ndonjëherë tjetër, që kishte mundur ta mbërrijë këtë ditë. Ai kishte vendosur ta bënte tani këtë dasmë, pasi nuk i besonte më vetes dhe moshës që mbante në shpinë. I biri, djalë i vetëm, kishte marrë pushkën dhe kishte dalë malit, e nuk dihej nëse kthehej apo jo më.
Nipi, si një lis i bukur e i pashëm, kishte vite që ishte fejuar, po lufta s’dihej kur mbaronte… Kështu që vendosi ta bënte dasmën në atë mes vjeshte. Nusja e re me dhëndrin ngjiteshin dorë për dore me njëri-tjetrin, si kroi me borën e vetmuar të bjeshkëve, drejt dhomës së tyre në katin e dytë. Nëpër odat e kullës shtroheshin sofrat, e miqtë zinin vend ndër to.
Vështrimet e tyre kafshoheshin me njëri-tjetrin atje, në katin e dytë të kullës, ku ai ndjente frymën e saj të shpejtë. Aty, larg zhurmës së poshtme, Liza qëndroi një çast te dritarja e vogël, duke parë kodrat që zbardheshin ngadalë prej mjegullës.
I dukej sikur e gjithë ajo bukuri e ashpër e maleve i fliste diçka që s’e kuptonte ende plotësisht, si një grua e moçme që i tregonte një histori nga larg.
Dhëndri e pa duke vështruar kështu e iu afrua prapa, pa e prekur, thjesht duke i ndarë të njëjtin vështrim drejt kodrave. – Ç’mendon? – e pyeti ai butë. – Mendoj e më duket sikur i njihja këto male, edhe pa i pasë parë kurrë – u përgjigj ajo. – Prej sonte janë të miat po aq sa janë të tuat.
Ai i mori dorën e i tha se do t’ia tregonte çdo shteg, çdo burim, çdo pyll, sapo të kalonte kjo dimër që po vinte. Ajo qeshi lehtë, po diku thellë ndjeu se fjala “sapo të kalojë” mbante më shumë peshë se ç’donte të tregonte zëri i tij. Dasma kishte mbërritur në kulmin e saj.
Pasi u kishte uruar, një për një e sofër për sofër, mirëseardhjen të ftuarve, gjyshi ishte ngjitur në dhomën e vet, e si kishte dalë në dritare, kishte dashur t’ia shkrepte tri herë pushkën e tij.
Vështrimin e kishte hedhur nëpër lisnajën që e vishte të gjithë fshatin, e në fundin e disa livadheve të pakosituna rrëshqiste ngadalë lumi që, diku në fund të katundit, bashkohej me të vëllanë më të vogël, e të dy bashkë rrëshqisnin drejt detit. Poshtë, në oborr, dasmorët vazhdonin këngën.
Dikush i moshuar kishte marrë lahutën dhe këndonte për trimërinë e së kaluarës, ndërsa fëmijët rendnin mes këmbëve të të mëdhenjve duke kapur ëmbëlsirat që u hidheshin. Erë mishi të pjekur e vera e re e ngrohnin ajrin e ftohtë të asaj mesvjeshte.
Liza qëndronte pranë vjehrrës, duke mësuar emrat e të gjithë miqve që i afroheshin njëri pas tjetrit për t’i uruar, e për një çast iu duk se lufta ishte diçka që ndodhte shumë larg, në një botë tjetër, jo në atë oborr plot dritë qirinjsh e gaz njerëzish.
Por vështrimin e gjyshit e kishte shkëputur një krismë e thatë pushke, që ai e kishte dëgjuar turbullt, se nuk e linte kënga e burrave në odën e miqve. Për një çast kishte menduar se ishte thjesht një pushkë feste, si ato që shtiheshin vetë për gëzim. Por diku ndër livadhe kishte parë një kalorës mbi një kalë të zi që turrej drejt kullës së tij.
Dhe ai lajmëtar kishte ndalë e ia kishte krisur një herë me armë, e pastaj kishte vrapuar prapë, e prapë ishte ndalë, e për të tretën herë kishte shkrepur armën, e kjo nuk ishte për të mirë. Mendja i shkoi te i biri, ndër male. Po sikur të ishte një lajmëtar vdekjeje?! – Po lajmëtari i vdekjes kurrë nuk qet pushkë, veç në qoftë se është në gjak dhe e ka marrë gjakun.
U turr me nxitim të dalë në oborr të kullës. Në shkallë u përball me të nipin, dhëndrin, që atë ditë kishte më të bukurën ditë të jetës së tij. – Çfarë ke, gjysh, që je trazuar kështu? – Erdhi një korb te dheu i butë nën shkrepa, bir. Trokon drejt kullës si një zog pa fletë. Trishtim buron e fryn në thellësitë e mia të pastra – tha gjyshi – po na e prishin dasmën.
Tjetri nuk foli, se nuk pati as kohë; se në cep të oborrit i doli lajmëtari, e pa ardhur mirë, e ndali kalin dhe ia dha tri herë me pushkë. Pa e ndalur ai kalin, një mik qiti pushkën në dritare e shtiu edhe ai, duke uruar dhëndrin e të zotin e shtëpisë për dasmën.
Kënga në odën e miqve u ndal papritur në mes të një vargu, sikur vetë fjalët të kishin ndjerë diçka të keqe në ajër. – Po vijnë, si zogj mishngrënës, tashmë e kanë kaluar vaun aty ku dy lumenjtë e Fanit të Madh e Fanit të Vogël bashkohen. Hej… ata janë… hije. Hije të zeza.
Stuhi fjalësh nuk po e linte gjyshin të kuptonte asgjë. – Më fal, gjysh – mundi ai të thoshte, me frymëmarrjen e tij të përshpejtuar – erdha si një ëndërr trishtuese, të sjell një lajm të keq. Ata janë duke ardhur si cerga merimangash të mëdha drejt kullave tona, me pushkë e topa. Një ushtri e tërë me nazistë.
Dhëndri u turr drejt dhomës së tij, ku Liza, pa e ditur ende asgjë, po rregullonte shaminë e nuseris mbi flokë, duke qeshur lehtë prej lodhjes së ditës. Kur e pa fytyrën e tij, buzëqeshja iu shua në një çast, ashtu si shuhet një qiri prej fryme. – Po vijnë gjermanët me mijëra, nusja ime. – Dhe ia nguli vështrimin ndër sy. Ajo nuk klithi, nuk qau menjëherë.
Diçka në të, ndoshta ajo forcë e heshtur që e kishte sjellë deri këtu, pa i lëkundur këmbët nëpër shtigjet e maleve të huaja, e mbajti të qetë. Vetëm duart iu bënë të ftohta, e ai ua ndjeu kur ia zuri fort në duart e tij.
Ndërsa heshtnin, sy ndër sy vështruar, një lot në cepin e syrit të saj nisi të marrë jetë. – Ruaje lotin, nusja ime, zjarrin që të djeg gjoksin vetëm me lot mund ta shuash. Po doli ai në qerpik, se s’e than dot as dielli, e nis kënga e korbave. Klithma e shqiponjave shuhet. Afrohen hijet e natës. Zemra jote ka me mijëra ndjesi që fiken tek unë.
Në buzëqeshjen tënde nuk dua të shoh trishtim, se unë do të kthehem. Por tani duhet t’i ndalim, se sheh sa të madhe e kemi dasmën, sa miq e shokë të erdhën kur ti erdhe. Tani po na vijnë edhe armiqtë, po edhe ata do t’i presim siç e meritojnë. I pashmangshëm është kthimi im te ti. – Shtriu krahët dhe e përqafoi fort. Liza nuk i tha asgjë.
E shtrëngoi fort, aq sa mund ta shtrëngonte, si të donte t’ia mbante trupin e tij aty, në atë çast, para se dita ta merrte prej saj. Pastaj, me zë të ulët, i tha vetëm: – Shko, po mbaje mend rrugën e kthimit. Unë do të jem këtu, ku më le, ose atje ku më çon gjyshi. Po dritë të kësaj kulle s’ka me u shuar sa të jem gjallë unë.
Ai ia puthi ballin edhe një herë, ashtu siç ia kishte puthur gjyshi pak mw parë, dhe doli. Gjyshi ndërkohë, në dhomën e miqve, po jepte lajmin se pushtuesit po mbërrinin, kur dhëndri, me pushkën e tij në krah, po dilte prej dhomës. – Mos! – klithi e ëma kur e pa. – Ti jo, të ka nëna djalë të vetëm. Por prej odës së miqve burrat, armëngjeshur, filluan të dalin.
Gratë filluan të bënin rrëmujë. Njëra kërkonte fëmijën. Tjetra kukonte. Vinin e shkonin, u bë rrëmujë ku askush nuk e merrte vesh tjetrin. Gjyshi e mori pushkën, dhe pasi shtiu vetëm një herë, thirri: – Kush është për pushkë, ta marrë pushkën dhe të zërë vendin që duhet. Gratë e fëmijët të bien në va e të drejtohen për nga Munegja, bashkë me nusen.
Edhe ju, ju drejtua sw renë që sot u bë vjehërr. – Merrni nusen, konak do të gjeni te shtëpia e Mark Gjinit, ata janë miq e kumbarë të kësaj shtëpie. – Ti, gjysh, do të vish me ne – i tha e reja. – Ti bëj si të thotë gjyshi, unë e di vetë se çfarë të bëj, po do të jem pas jush – iu përgjigj ai.
Liza nuk u kthye të shihte kullën edhe një herë kur nisi rrugën për nga Munegja, sepse e dinte se, po ta shihte, do t’i mbetej aty e gjitha, e nuk do të kishte më forcë të ecte. Në krah kishte vjehrrën, që e mbante fort për krahu, si të ishin ato të dyja, tani, njëra për tjetrën, e vetmja shtëpi që u mbetej. Nuk kaloi shumë, e në kullë nuk mbeti askush veç gjyshit dhe sofrat e shtruara.
Fjalët e kishin humbur fuqinë magjike. Në ballin e tij të rrudhur merrte jetë inati dhe dhimbja. Të gjithë i kishin thënë të mos e bënte dasmën atë vjeshtë, po të priste deri verën tjetër. Ishte ai që kishte vendosur ta bënte këtë dasmë si rrallë tjetër, e tani kulla ishte e shkretë, pa asnjë brenda veç tij. Nga paja e nuses në dhomën e saj, siç kishte ardhur, nuk do të mbetej asgjë.
Pushkët kishin filluar të kërcisnin si karrëdashat në dollapin e kafesë. Një gjyle topi ra në faqen e djathtë të kishës së katundit. Gjyshi mori udhën drejt Munegjës. – Kjo dasmë ka me përfunduar keq, kushedi sa gjatë do të dëgjohen vajet e imta, tmerrësisht të holla, të nënave tue i qajtur djemtë.
Eh, mor bir, paç me vete Shën Nuenë – u lut ai për nipin, që atje në kodrat e Gëziqit po i jepte jetë krismave me pushkën e tij. E njihte krismën e pushkës së tij, dhe sa herë ajo kërciste, ai i lutej Zotit, se e merrte vesh mirë se ai jetonte. Shtëpitë e kullat kishin filluar të marrin flakë. Katundi digjej. Ato kulla kurrë s’kishin ditur t’i nënshtroheshin as turkut, as sllavit.
U ndal te një burim, në sqetull të malit, u ul dhe nxori kutinë e duhanit, eshkën dhe unurin, dhe bëri të dridhte një duhan, ndërkohë e pa që flaka po përpinte edhe një kullë tjetër. Pastaj krismat, që morën sërish jetë furishëm, tashmë të gjitha i dukeshin si krismat e pushkës së nipit – edhe pse ishin me mijëra armë – ai njihte krismën e saj.
E pasi e piu atë duhan, i hodhi dy-tre grushta ujë fytyrës. Po sikur… mendoi një moment, dhe dy lotë morën jetë ndër sytë e tij. Lotët janë si vëllezër, tamam si dy lumenjtë që rrethojnë Ndërfanën-Gëziqin. – Loti i parë dhe loti i fundit janë binjakë, more bir. Unë e ti jemi si i njëjti lot dalë prej një burimi, mor bir. Po unë nuk dua të të strehoj në një lot, unë jam aty me ty.
Ku ka Zot, ka me të ruajtur. Ti po i del zot trollit e je me të drejtën e Zotit. Po dasmë pa mish nuk ka, e as luftë pa të vrarë nuk ka. I biri mbushte dy vjet që ishte partizan, po tani ishte nipi, me pushkën e tij, që luftonte në front. Në moshën e tij kishte qenë ai, kur ishte ndeshur me serbët në grykën e Fanit, në ’14-tën.
Atë natë ai duhej të flinte në krahët e ngrohtë të nuses së tij. Po sikur… Mos, o Zot, po qe e shkruar më mirë i biri se nipi… Mos, o Zot – mërmëriti me vete. – Të kanë lënë mendtë – i tha vetes – do t’i ruajë vetë i madhi Zot. Kështu, shtatë ditë e net, lufta nuk pushoi, dhe katundi i Gëziqit u dogj tym e flakë.
Pesëdhjetë kulla ishin vënë nën pushtetin e flakës, po katundi nuk ishte shuar, siç nuk ishte shuar ndër shekuj. Në faqen e djathtë të murit të kishës kishte mbetur e hapur një zgavër prej gjyles së topit, po kambana e kishës binte prapë ato ditë; ajo kishte rënë vetëm në njërën anë, siç bie në ditë morti. Shumë varre kishte qenë e nevojshme të hapeshin.
Tridhjetë djem nënash ishin vetëm prej katundit që u varrosën, por shumë partizanë të tjerë kishin qenë djem nënash, ardhur nga s’di se ku, e kishin dhënë jetën aty, e ishin varrosur po aty. Kambana e kishës kishte rënë për të dyja palët njëlloj, në njërën anë.
Larg, në Munegjë, Liza i kishte numëruar ditët në shami të bardhë që ende mbante lidhur në qafë, sipas zakonit, edhe pse tani ishte ndrydhur e zbehur nga duart.
Çdo mbrëmje, kur ulej pranë zjarrit me gratë e tjera, dëgjonte tregimet e reja që sillnin njerëzit e ikur, e në çdo krismë të largët që dëgjohej gjatë natës kërkonte të njihte zërin e pushkës që kishte mësuar aq shpejt ta njihte edhe vetë, si e kishte mësuar gjyshi.
E kur i vinte gjumi, e vetmja gjë që e mbante zgjuar ishte pritja – ajo pritje që s’kishte emër, që nuk ishte as frikë, as shpresë, po diçka mes tyre, e fortë sa vetë malet që i kishte marrë tani për shtëpi. Sapo e kishte mbërritur fjala gjyshit se lufta kishte mbaruar, ishte nisur natën, pa hënë, dhe kishte mbërritur në oborrin e kullës.
Po sapo kishte mbërritur aty, një fjalëtor i kishte sjellë lajmin e vrasjes së të birit në Shpal. Pa e varrosur ende atë, kishte mbërritur edhe nipi. Kulla ishte djegur. I nipi, i zënë ngushtë, nisi t’i thoshte: – Nuk më pranoi komisari, gjysh. Unë desha të shkoja me ata partizanë. -Ani, bir. Ti luftove krah tyre për këtë trojë.
Nesër vjen këtu nusja jote, e ti duhet t’i japësh jetë kullës sonë. – Po kulla është djegur, babë. – Ani, ma të fortë do ta bëjmë bashkë, o drita e syve të mi, do ta ndreqim. Të nesërmen në kullë mbërritën edhe gratë. Liza eci e para në shtegun që zbriste nga Munegja, me shaminë e bardhë ende në qafë. Kur i doli para kullës së djegur e vjehrra, nuk ndaloi, siç kishte druajtur ajo.
Vazhdoi drejt, hyri në atë që dikur ishte kulla e saj, e vështroi gurët e nxirë nga zjarri, si të donte t’i njihte njërin pas tjetrit. E ajo lëshoi një psherëtimë kur pa kullën e djegur, por gjyshi e mbajti për krahu dhe iu hakërrye si kurrë në jetën e tij. – Për qiell e për dhe, me ta dëgjuar zanë, kam me e bërë gjamën.
Për këtë trojë, edhe vetë jetën ta japim të gjithë, është pak. – U ndal para nuses. – Paç kamën e mbarë, moj bijë, ti na solle me vete lirinë e këtij trolli. Liws ia ktheu shikimin, e sytë s’ia u mbushën me lot, siç kishte pritur gjyshi, po me diçka tjetër – një qetësi që s’e kishte pasur as ditën e dasmës. – E kjo tokë, gjysh, m’u bë e imja që në atë çast kur më the fjalët e para.
Tani jam unë ajo që s’ka me lënë të fiket zjarri i saj. I mori dorën dhëndrit, i vështroi për një çast gurët e nxirë të kullës, e pastaj, bashkë, u kthyen nga dielli që po ngrihej mbi majën e Munellës, si të nisnin edhe një herë atë udhë që vetë dasma s’kishte mundur ta mbyllte.
