Nga paleografia dhe dokumentet e Stambollit te demografia, ekonomia, roli i grave, vakëfet dhe epitafet, osmanisti Agron Islami shpjegon se çfarë mund të nxjerrim nga burimet e periudhës osmane dhe pse historiani duhet t’i lexojë ato me sy kritik Historia e Kosovës në periudhën osmane nuk gjendet vetëm në kronikat e mëdha politike.
Ajo ruhet edhe në defterë, shkresa administrative, regjistra gjyqësorë, vakëfe, dokumente fiskale dhe epitafe, burime që sjellin në vëmendje jetën e individit, familjes, qytetit dhe shoqërisë së një kohe të largët.
Në intervistën për Telegrafin, osmanisti Agron Islami na çon nga arkivat e Stambollit te dokumentet që hedhin dritë mbi historinë sociale dhe ekonomike të Kosovës, demografinë, jetën urbane, rolin e grave, institucionet fetare dhe trashëgiminë epigrafike.
Duke iu referuar edhe monografisë së tij “Areali i Kosovës në kohën osmane: një histori socio-ekonomike e shekullit XVIII”, ai flet për sfidat e leximit të burimeve osmane, për interpretimet historiografike që dokumentet mund t’i vënë në diskutim dhe për rëndësinë e një qasjeje kritike ndaj së kaluarës.
Rrugëtimi juaj shkencor nis nga Orientalistika dhe thellohet në gjuhën e paleografinë osmane. Çfarë ju orientoi drejt kësaj fushe dhe pse njohja e osmanishtes, e diplomatikës dhe e kontekstit historik është vendimtare për leximin e burimeve?
Siç është e mirëditur, katedrat e orientalistikës janë themeluar me synimin për të njohur gjuhën dhe kulturën e popujve të asaj që sot e identifikojmë me botën orientale (lindore).
Në kohën e pasluftës, kur unë isha student në Orientalistikë, profesorati i kësaj katedre (që tani pothuajse të gjithë janë pensionuar) u takonte gjeneratave që kishin punuar ose kishin qenë nxënës të Hasan Kaleshit, njërit nga orientalistët më të njohur shqiptarë. Si rezultat, edhe gjuha osmane ligjërohej nga profesorë të cilët kishin njohuri të thella të paleografisë dhe gjuhës osmane.
Mund të them se pikërisht këtu fillova të interesohem për ta thelluar studimin tim mbi gjuhën dhe paleografinë osmane, dhe kjo mund të bëhej vetëm në universitete të veçanta në Turqi.
Kështu, në kuadër të marrëveshjes ndërmjet Universitetit të Sakaryas, në Adapazar të Turqisë, dhe Universitetit të Prishtinës, në vitin 2003 Katedra e Orientalistikës më përzgjodhi për të qenë pjesë e shkollës verore në këtë universitet. Gjatë këtyre 15 ditëve vizituam katedra të ndryshme, sikurse ajo e letërsisë turke dhe e historisë. Morëm pjesë në ligjërata të historianëve të njohur.
Dhe qysh aty pamë se osmanishtja është gjuha burimore për shkrimin e historisë pesëshekullore të shqiptarëve. Mund të them se mësimi i osmanishtes kërkon vullnet dhe qëndrueshmëri. Nuk është gjuhë që mësohet nëpër kurse, meqenëse kemi të bëjmë me një gjuhë të vdekur dhe me gjuhën e administratës. Kjo nënkupton se duhet të njohësh edhe diplomatikën e gjuhës osmane.
Pra, duhet të njohësh edhe kontekstin historik të kohës kur është shkruar ai dokument. Në rast se je zotërues i mirë i këtyre kritereve, mund të hedhësh dritë mbi ngjarje historike dhe personalitete të panjohura. Kur një studiues përballet për herë të parë me një dokument osman, cilat janë shenjat që i mundësojnë të përcaktojë llojin, kohën dhe prejardhjen e tij?
Sa shpesh ndodh që një burim t’i rrëzojë hipotezat e ngritura më herët dhe çfarë vlere kanë anëshkrimet në margjina? Një njohës i osmanishtes, me një të parë të dokumentit, duhet të jetë në gjendje ta identifikojë llojin e dokumentit, që nënkupton të dijë se në cilin dikaster të Perandorisë është prodhuar (është ferman, berat apo ndonjë shkresë e zyrtarëve osmanë të nivelit më të ulët).
Pa e lexuar fare dokumentin, me një të parë mund ta identifikojë llojin e shkrimit, që përafërsisht mund të përcaktojë edhe shekullin kur është shkruar. Është Bernard Lewis, i cili ndërroi jetë më 2018, me sa kujtoj, ai që thotë se (po e parafrazoj): mendimet e mia mbi Orientin ishin shumë të ndryshme derisa u thellova në studimin e tyre. Jo për t’u krahasuar me një shkencëtar si B.
Lewis, por edhe mua më janë rrëzuar shumë hipoteza, madje edhe teza të cilat zënë vend në historiografinë shqipe dhe jo vetëm. Kjo ka ardhur si rezultat i një historiografie ideologjike, e cila është hartuar gjatë kohës së sistemeve të njohura për gjithë opinionin shqiptar. Thjesht, e gjithë periudha e sundimit osman është paraqitur si një “pikë e zezë”.
Por, në realitet shohim se gjatë kësaj periudhe shoqëria shqiptare pësoi shumë transformime, të cilat çuan drejt lëvizjeve të para për shkrimin e gjuhës shqipe (fillimisht me alfabet latin e arab). Ngase, siç dihet, fillesat e shkrimit te shqiptarët ndodhin pikërisht në shekujt osmanë në këto anë.
Duke filluar me Formulën e Pagëzimit, pastaj autorët myslimanë të alhamiados, si Nezim Berati, Zyko Kamberi etj., të cilët, ndryshe prej autorëve të krishterë, prodhuan shkrimet e para me karakter social, dhe për të ardhur deri te unifikimi i alfabetit. Këtë po e them meqenëse në opinionin e gjerë mbizotëron mendimi se osmanët nuk e lejuan shkrimin shqip.
Përkundrazi, debatet e fundshekullit XIX zhvillohen mbi llojin e alfabetit: atij latin, i cili identifikohet me qytetërimin e krishterë, dhe atij osman, i cili identifikohej me qytetërimin islam. Ky debat u zhvillua ndërmjet elitave shqiptare të kohës, të cilat ishin hartuese të platformës nacionaliste për themelimin e shtetit shqiptar.
Anëshkrimet në margjina, të cilat i hasim kryesisht nëpër dorëshkrime, ofrojnë shumë informacion të vlefshëm mbi historinë e ngjarjes në fjalë dhe përbëjnë informacion shumë të rëndësishëm për hulumtuesin, meqenëse merr një informatë të kohës mbi dorëshkrimin apo dokumentin në fjalë.
Vjenë, 2023 – prezantim mbi dokumentacionin osman Dokumenti osman është njëkohësisht burim historik dhe produkt i administratës që e krijoi. Si e dallon historiani faktin nga gjuha e pushtetit dhe sa i domosdoshëm është krahasimi me burime të proveniencave të tjera?
Historiani ka për detyrë të bëjë krahasime ndërmjet dokumentacionit të kohës, meqenëse për të njëjtën ngjarje gjithsesi kemi edhe dokumente të proveniencave të tjera. Megjithatë, kur jemi te dokumentet e administratës osmane, kam përshtypjen se historiani duhet të ketë kujdes në terminologjinë e përdorur në dokument.
Jo rrallëherë, për kryengritësit shqiptarë janë përdorur terma pezhorativë, siç është rasti me heroin tonë Skënderbeun, ku identifikohet si bukëshkalë e mosmirënjohës, dhe kjo vjen si rezultat i një lloj konservatorizmi kulturor osman që trumbetonte se Gjon Kastrioti ishte rritur në sarajin osman dhe ai në asnjë mënyrë nuk duhej t’i luftonte ata.
Përndryshe, siç ndodh edhe sot, dokumentet e administratës së një shteti paraqesin realitetin e asaj ngjarjeje, pasi synimi është të mbahet nën kontroll gjendja. Por këtu nuk bëjnë përjashtim opinionet e autorëve ose individëve të ndryshëm dhe, si të tilla, nuk trajtohen si burime të dorës së parë nga ana e studiuesve.
Nga kërkimi fizik në Arkivin Osman të Stambollit te dokumentacioni i digjitalizuar, si ka ndryshuar mënyra juaj e punës? Çfarë është fituar e çfarë është humbur me këtë transformim dhe sa i rëndësishëm mbetet bashkëpunimi arkivor ndërmjet Turqisë dhe Kosovës? Hulumtimet e mia të para në Arkivin Osman të Republikës së Turqisë, kohësisht, përkojnë me vitin 2007/2008.
Ishte kohë kur hulumtimet bëheshin me metoda klasike. Bëhej kërkesa për dosje dhe dosja të vinte në tavolinë. Pra, kishim kontakt direkt me dokumentin. Ndërkohë, pas vitit 2013, qendra e Arkivit Osman u bart në ndërtesën moderne në Kağıthane të Stambollit dhe, nga këtu e tutje, dokumentacioni osman ofrohet në mënyrë digjitale.
Megjithëse është shumë më praktike, madje edhe më e shëndetshme, ajo nostalgjia e kontaktit me dokumentin mungon. Përndryshe, Arkivi Osman akoma nuk është i hapur për shtetasit e huaj dhe nuk mund të sigurosh dokumente pa shkuar personalisht në arkiv. Sa i përket bashkëpunimit, ekzistojnë marrëveshjet ndërmjet Arkivit Osman dhe atij të Kosovës.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi ka një botim voluminoz të disa dokumenteve në gjuhën shqipe dhe turke që lidhen me historinë e Kosovës; po ashtu, fonde të veçanta, siç janë, fjala vjen, defterët dhe tapitë, tanimë janë pjesë e fondit të Arkivit Qendror të Kosovës. Historia sociale dhe ekonomike zë vend qendror në studimet tuaja.
Çfarë na lejojnë të shohim burimet osmane për jetën e përditshme, familjen dhe mënyrën se si banorët e Kosovës përballeshin me epidemi, varfëri e mungesa? Siç edhe jeni në dijeni, fokusi im kryesor i studimeve të mia është historia sociale dhe ekonomike në shekujt osmanë.
Episode të kësaj historie i kam shtruar në monografinë time “Areali i Kosovës në kohën osmane: një histori socio-ekonomike e shekullit XVIII”, botim i Institutit të Historisë “Ali Hadri”, 2024.
Kështu që lënda arkivore osmane na mundëson të shohim panoramën e qyteteve të Kosovës dhe jo vetëm, duke filluar nga individi, familja e deri te problemet familjare, të cilat jo rrallëherë përfundonin para kadiut (gjykatësit).
Referuar fondeve të Arkivit Osman, shohim se qytetarët e Kosovës, në rastet e epidemive apo varfërisë së thellë, drejtonin shkresa drejt Divanit Osman (Këshillit të Lartë Perandorak, i cili drejtohej nga Sulltani dhe Veziriazami), ku njoftonin mbi gjendjen dhe kërkonin ndihmë.
Por, nëse u referohemi ankesave të fundshekullit XVII dhe fillimshekullit XVIII, shohim se pas pushtimit të Kosovës nga ushtritë e Ligës së Shenjtë (1689–1690), qytetarët e Rrafshit të Kosovës (Vushtrri, Prishtinë, Moravë etj.) ishin përballur me varfëri të skajshme, saqë edhe ushqimet bazike ishin të obliguar t’i siguronin nga qytete të tjera të cilat nuk kishin pësuar nga pushtimi.
Si rezultat, Sulltani ua kishte falur një pjesë të taksave të rënda për rreth gjashtë vjet. Agron Islami gjatë një prezantimi në Konya, prill 2026 Sa e vështirë është të rindërtohet jeta ekonomike e Kosovës kur mungojnë burime të rëndësishme, si defterët e sixhileve? Çfarë tregojnë dokumentet e tjera për rimëkëmbjen e qyteteve, sistemin e malikanes dhe shfaqjen e korrupsionit lokal?
Fatkeqësisht, defterët e sixhileve, të cilët hartoheshin nga kadiu i qytetit, nuk kanë arritur deri në ditët e sotme, ose janë transferuar në qendra të cilat nuk i dimë, ose nuk janë të hapura. Siç është rasti me fondin e Myftinisë së Pejës, për të cilin na njofton studiuesi Hasan Kaleshi se është dërguar në bibliotekën e Universitetit të Beogradit dhe për të cilin nuk dimë asgjë.
Arsyeja pse po e përmend këtë fond është sepse kadiu osman ka qenë autoriteti më i lartë i qytetit dhe, si i tillë, të gjitha çështjet juridike regjistroheshin në defterët e tij. Andaj, mungesa e tyre nuk na jep mundësi të krijojmë një pasqyrë të detajuar të qarkullimit ekonomik në Kosovën e shekujve klasikë osmanë.
Megjithatë, nga krahasimi i defterëve fiskalë, të njohur si tahrire, të cilët janë hartuar gjatë dy shekujve të parë osmanë, kuptojmë se qysh në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit XVI qytetet e Kosovës rimëkëmben ekonomikisht.
Madje, themelohen edhe qendra të reja urbane, siç është rasti me Gjakovën, Kaçanikun e Gjilanin, të cilat, duke qenë fshatra pa ndonjë rëndësi ekonomike, në shekujt pasues dalin si qendra të fuqishme urbanistike.
Aq më shumë që në shekullin XVIII, si rezultat i dobësimit të financës osmane, merr hov sistemi i malikanes, i cili fuqizon familjet sundimtare shqiptare, të cilat marrin nën kontroll të plotë tokat shqiptare në këmbim të paradhënies së taksës shtetërore. Gjatë kësaj kohe kemi edhe transformime në ndërtime, ku ka një kombinim të arkitekturës osmane me atë vendore-shqiptare.
Disa prej xhamive dhe konakëve të ndërtuara gjatë kësaj kohe kanë arritur deri në ditët e sotme dhe përbëjnë një vlerë të veçantë për historianët e artit osman.
Kur jemi te korrupsioni, pas dështimit të osmanëve për të pushtuar Vjenën më 1683 dhe revanshit të fuqive të krishtera gjatë viteve 1683–1699, në Kosovë u krijua një boshllëk shtetëror, i cili kulmoi me daljen në skenë të bandave të njohura si e-Shkja dhe, krahas kësaj, edhe një pjesë e kadinjve, naipëve dhe personelit të gjykatave filluan të merrnin mito për shërbimet e tyre.
Këtu duhet të përmendim edhe faktin se edhe pashallarët shqiptarë jo rrallëherë bashkëpunonin me grupe bandash për të përvetësuar prona dhe pasuri të pashallarëve të tjerë, siç është fjala me Bushatlinjtë që zaptuan Prizrenin, apo Gjinollajt e Gjilanit, të cilët në fillimshekullin XIX, duke qenë zyrtarë osmanë, zaptuan Prizrenin për disa ditë me radhë, vranë disa banorë dhe dogjën disa konakë të pashallarëve vendorë, të cilët në një mënyrë konsideroheshin kundërshtarë politikë.
Të gjitha këto të dhëna shpërfaqen në dokumentacionin osman të kohës. Defterët e hershëm osmanë, sidomos regjistrimet e viteve 1431 dhe 1455, janë burime të rëndësishme për demografinë e trevave arbërore dhe të Kosovës. Çfarë mund të nxjerrë historiani prej tyre dhe sa kujdes kërkohet kur identiteti etnik interpretohet nga regjistrime të mbështetura kryesisht në kriterin fetar?
Është pikërisht defteri i parë osman, më i vjetri, i vitit 1431, i cili ka rastisur t’u takojë tokave arbërore, ai që dëshmon për pjesën më të madhe të familjeve arbërore të kësaj kohe.
Ky defter, i hartuar për çështje fiskale osmane dhe i zbuluar nga studiuesi turk Halil İnalcık, ofron të dhëna të dorës së parë për fisnikërinë arbërore dhe demografinë e kësaj treve gjatë gjysmës së parë të shekullit XV, të cilat janë regjistruar sinjor. Kur jemi te treva e Kosovës së sotme, regjistrimi i parë i takon vitit 1455.
Ky regjistrim njofton edhe për regjistrime të mëhershme, por që nuk kanë arritur deri në ditët tona. Megjithatë, nëpërmjet këtyre regjistrimeve, profesori Muhamet Tërrnava ka arritur të ndriçojë shkallën e asimilimit të arbërorëve në sllavë gjatë sundimit 180-vjeçar të sllavëve.
Sigurisht që ky asimilim erdhi si rezultat i kodikëve të veçantë që ndalonin liturgjinë bizantine në kishat ortodokse. Pra, shumica e popullatës shqiptare ortodokse të Kosovës, e cila për shekuj me radhë ishte nën sundimin bizantin, ishte mishëruar me liturgjinë e kësaj të fundit. Kështu, sanksionimi i adhurimit vetëm në liturgji sllave çoi drejt asimilimit të arbërorëve.
Ky fenomen u ndërpre pas pushtimit të Kosovës nga ana e osmanëve. Respektivisht, Sulltan Mehmedi II, pushtuesi i Stambollit, më 1459 mbylli Patrikanën e Pejës, e cila qysh nga viti 1346 deri më 1459, plot 113 vjet, kishte shtrirë autoritetin e dhunshëm fetar te popullata arbërore e Kosovës.
Pushimi i aktivitetit të saj për 98 vjet (deri në rihapjen e saj me iniciativën e Mehmed Sokoloviqit më 1557) u bë shkak i apostazisë së arbërorëve në islam, nga ku i shpëtuan sllavizimit. Me të drejtë shtroni pyetjen e rrezikut të mundshëm në trajtimin e aspektit etnik të popullsisë së Kosovës kur për burim kemi defterë-regjistrime të cilët njohin vetëm kriterin fetar.
Megjithatë, substratet e emrave të individëve, pastaj edhe toponimia, na japin mundësi të sjellim përfundime të përgjithshme mbi fenomenin etnik. Aq më shumë, islamin për fe e pranuan pikërisht të shtypurit me Kodin e Dushanit, e që ishin arbërorët.
Këtu duhet përmendur edhe fakti se, edhe gjatë kohës së sundimit shekullor të Bizantit, atij bullgar dhe sllav, në Kosovë arriti të mbijetojë një pakicë e të krishterëve të ritit katolik që lidheshin me Romën.
Si shfaqet emërtimi Kosovë në burimet historike dhe çfarë transformimesh pësoi kjo hapësirë gjatë sundimit osman, si në organizimin administrativ, ashtu edhe në jetën shoqërore e fetare? Emërtimi Kosovë i trevës së Dardanisë antike lidhet me vendin ku u zhvillua Beteja e Parë e Kosovës më 1389. Respektivisht, bëhet fjalë për një habitat të mëllenjave të zeza.
Me të njëjtin kuptim e gjejmë edhe te burimet me shkrim latin, të cilat, kur bëjnë fjalë për vendin ku u zhvillua Beteja e Parë e Kosovës (1389), përmendin emërtimet Rigo Mezeo, Amsfeld, Campus Merulus etj., që të gjitha në kuptimin e zogut të zi (mëllenjës së zezë), e njohur edhe si Turdus merula.
Ndërkohë që osmanët morën për bazë emërtimin bizantin të greqishtes së vjetër, Kusovon dhe Kosofus, që ka kuptimin e fushës së mëllenjave. Pra, me shtrirjen e sundimit osman, treva e Kosovës pësoi shumë transformime, duke filluar nga emri.
Nga këtu e tutje, treva e Rrafshit të Kosovës u njoh si Gjeografi e Kosovës dhe më 1878 ajo u shndërrua në një njësi administrative me emrin Kosovë, që shtrihej në trevën e Dardanisë antike.
Përveç kësaj, për një periudhë treshekullore, shumica e popullsisë arbërore kaloi në besimin islam, u integrua aq shumë në sistemin osman, saqë arbërorët e Kosovës i gjejmë si themelues të vakëfeve (fondacioneve islame) gjithandej.
Nëpërmjet këtyre fondacioneve ndërtuan xhami, kuzhina popullore, mejtepe (shkolla), hamame (banja publike), çezma, rrugë, shatërvanë etj., që të gjitha bëheshin me besimin e fitimit të kënaqësisë së Zotit. Në arkivin osman, gjatë punës kërkimore, 2012 Kur figura si Skënderbeu rikthehen te burimet e kohës, ku qëndron kufiri ndërmjet faktografisë historike dhe memories popullore?
Si duhet ta ndajë historiani narrativën e krijuar ndër shekuj nga historia e mbështetur në dokumente? Nga këndi i historianit, i marr si të mirëqena debatet pro dhe kundër në raport me figurat kombëtare. Por ka shumë dallim ndërmjet faktografisë dhe rapsodizmit. Në përgjegjësinë profesionale, por edhe morale, të historianit është të shkruajë me burime të dorës së parë.
Kështu që, sa i përket memories popullore në raport me Skënderbeun, ne kemi kronikën e Barletit, e cila e ruan freskinë e saj edhe për historiografinë e huaj, meqenëse ajo nuk u shkrua në gjuhën shqipe dhe, si e tillë, e shpërfaq memorien popullore. Sigurisht që kjo ka një vlerë të madhe për historiografinë, derisa ne arrijmë ta ndajmë historinë dokumentare nga narrativa popullore.
Regjistrat gjyqësorë i bëjnë gratë të dukshme si subjekte juridike të kohës. Çfarë dëshmojnë burimet për martesën, divorcin, pronën dhe administrimin e vakëfeve, dhe cili rast ju ka mbetur veçanërisht në kujtesë? Janë me dhjetëra raste që kam hasur në fonde të ndryshme të gruas shqiptare, që kryesisht lidhen me martesë, divorce, prona apo edhe administrim të vakëfeve.
Me këtë rast, mund të përmend rastin e zonjës Mymine, nga pasardhëset e Koxha Sinan Pashës në Kaçanik, e cila, sipas kushteve të dokumentit themeltar të vakëfit (fondacionit), të themeluar në gjysmën e parë të shekullit XVI, sipas të cilave vakëfi duhej të administrohej nga pasardhësit e themeluesit, në shkurt të vitit 1750, me miratim të kadiut të Shkupit, mori drejtimin e vakëfit.
Xhamitë, mesxhidet, teqetë dhe vakëfet nuk ishin vetëm institucione fetare. Çfarë roli luanin ato dhe institucionet e lidhura me to në jetën arsimore e kulturore të qyteteve të Kosovës gjatë periudhës osmane? Xhamitë, mesxhidet, teqetë, tarikatet, vakëfet, çezmat etj. ishin pjesë e pandashme e panoramës së qytetit.
Me këtë rast, mund të konstatohet se me ardhjen e osmanëve në Kosovë kemi edhe një lloj konvertimi të territorit, pasi që nga shekulli i dytë (XVI) i sundimit, prania e mesxhideve (faltore të vogla për faljen e namazeve ditore) dhe xhamive zë vend në gjithë hapësirat shqiptare.
Sigurisht që roli i tyre ishte shumë i madh për zhvillimet kulturore, ngase, siç dihet, pranë xhamisë ishte edhe mejtepi, mësojtorja dhe biblioteka. Andaj, jo rastësisht, qysh nga fundi i shekullit XV nga Kosova dalin poetë të njohur të letërsisë së Divanit Osman, siç është rasti me Prishtineli Mesihun, Jahja Bej Dukagjinin etj. Me somanistin Prof. Dritan Egro dhe historianin e artit Prof.
Orges Drançolli Në studimet tuaja për shkollat osmane të Gjilanit në fillim të shekullit XX, çfarë zbulohet për përpjekjet për modernizimin e arsimit dhe për mënyrën se si familjet i pritën programet e reformuara? Në fakt, nga defteri të cilin e kemi botuar dhe të cilit po i referoheni ju, del në sipërfaqe edukimi dhe arsimimi i gjeneratave të zonës në vitet e para të shekullit XX.
Është periudhë kur në qendër të Perandorisë Osmane, në Stamboll, gulmon debati për modernizimin e shkollave. Ajo që bie në sy është se në fshatin Pogragjë dhe Cërrnicë të Gjilanit ka një kundërshtim për të ndjekur mësimin e reformuar. Pra, në atë kohë popullsia e kësaj ane ishte më konservatore dhe ishte për ta ruajtur sistemin e vjetër të shkollimit.
Në këtë realitet, pogragjasit nuk i dërgojnë vajzat e tyre në shkollë, si rezultat i programit të ri të reformuar. Keni deshifruar qindra epitafe osmane dhe keni tërhequr vëmendjen për humbjen e kësaj trashëgimie. Çfarë mund të tregojë një gur varri që nuk gjendet në asnjë defter dhe pse ky ‘arkiv në gur’ ka një vlerë kaq të madhe për historinë?
Fatkeqësisht, një pjesë e madhe e kësaj kulture është zhdukur, qoftë nga kushtet klimatike, qoftë nga dora e njeriut. Vlera e tyre është shumë e madhe, qoftë për epigrafinë apo edhe historinë. Ne, nëpërmjet deshifrimit, përkthimit dhe botimit të tyre, kemi synuar që të paktën t’i ruajmë nëpërmjet fotografisë dhe t’i bëjmë të qasshme për studiuesit.
Mund të them që është njëra nga lëndët më të rëndësishme për gjurmimin e kulturës shqiptare, meqë aty janë gëdhendur të dhëna për të vdekurin, pozitën, profesionin, fisin e tij etj. Në shumë raste kemi hasur edhe informacione mbi të vërtetën e vdekjes së tij (sëmundja, lufta etj.).
Po ashtu, në epitafet e muhaxhirëve jepen edhe të dhëna mbi fshatin apo qytetin e prejardhjes, gjë që përbën një informacion shumë të vlefshëm për të parë shtrirjen e shqiptarëve në trevat e Sanxhakut të Nishit para vitit 1878. Në mesin e dokumenteve serioze, arkivi ruan edhe episode të pazakonta të jetës së përditshme.
A keni hasur ndonjë rast që, edhe pas tre shekujsh, ju ka bërë të buzëqeshni? Ai që më vjen në mendje tani ka të bëjë me një derr i cili hyn në mesxhidin e fshatit dhe dëmton edhe kopshtet e fshatarëve.
Të dëmtuarit e dërgojnë çështjen deri në Divanin Osman dhe, në prill të vitit 1743, nga Stambolli kërkohet prej kadiut të Prishtinës që kjo sjellje të marrë fund dhe, në përputhshmëri me fetvanë (gjykimin e dijetarit islam), të vihet në vend drejtësia.
Në logjikën e ditëve tona, kjo është një çështje që do të mund të zgjidhej shumë më shpejt dhe më lehtë, por ja që ky rast u trajtua në Divanin Osman. Ky dokument zë vend në fondin e protokolleve të Rumelisë.
Rektorati i Universitetit të Stambollit, pak para mbrojtjes së doktoratës, Nëse nesër do të dilte në dritë një fond i panjohur për Kosovën, cilat dokumente do të dëshironit më së shumti të zbuloheshin? Dhe çfarë e mban gjallë vullnetin e një studiuesi që për vite me radhë punon me burime osmane?
Sigurisht që presim të zbulohen edhe defterët e detajuar të para vitit 1455, që përmenden në defterët pasues. Gjithsesi, dokumentet për Betejën e Parë të Kosovës, 1389, do të ishin më të kërkuarat për çdo historian. Megjithëse e dimë se arkivi i hershëm osman u dogj nga Timurlenku gjatë fushatës së Ankarasë (1402).
Siç e thashë në fillim të intervistës, me këtë lëndë arkivore merren vetëm ata/ato që e duan historinë dhe nga kjo dashuri lind vullneti dhe vazhdueshmëria në punë. Kosova ka krijuar një traditë të rëndësishme në studimet e periudhës osmane.
Si e vlerësoni trashëgiminë e studiuesve si Hasan Kaleshi, Muhamet Tërrnava, Skender Rizaj e Iljaz Rexha dhe sa po arrijmë sot të formojmë gjenerata të reja të osmanistëve e njohësve të paleografisë osmane? Kosova ka një trashëgimi sa i përket studimeve të periudhës osmane.
Siç e përmendëm edhe më lart, ndër më të njohurit është Hasan Kaleshi, i cili trajtoi çështje sociale, që për kohën ishte një fushë krejt e panjohur për historiografinë shqiptare dhe jo vetëm.
Pastaj, Muhamet Tërrnava trajtoi defterët osmanë dhe ngriti çështjen e asimilimit të arbërorëve në sllavë, që fatkeqësisht aparati shtetëror serb e burgosi dhe e keqtrajtoi pikërisht për nxjerrjen në shesh të së vërtetës së madhe. Në mënyrë shumë profesionale u mor edhe prof. dr.
Skender Rizaj, i cili me monografinë “Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII” trajtoi aspekte administrative, ekonomike e sociale. Këtu nuk duhet përjashtuar edhe kontributi i dr. Iljaz Rexhës në botimin e defterëve osmanë të shekujve XV dhe XVI. Ndërkohë që nga gjeneratat e reja nuk kemi studiues të tjerë që merren ekskluzivisht me shekujt klasikë osmanë.
Si rezultat i mungesës së kuadrove, kohëve të fundit është krijuar opinioni se studiuesit e letërsisë së turqishtes, turkologjisë dhe teologjisë islame janë njohës edhe të paleografisë osmane, e që në realitet këta kuadro të respektuar janë të specializuar për të trajtuar çështje gjuhësore, letrare dhe teologjike.
Ndërkohë, osmanistët përgatiten për leximin, deshifrimin dhe interpretimin e dokumenteve të prodhuara në administratën osmane.
Për vite me radhë, në Katedrën e Historisë, lëndën e gjuhës dhe paleografisë osmane e kanë ligjëruar jokompetentët dhe, si përfundim, edhe sot mungon interesimi i studentëve të UP-së që studimet pasuniversitare t’i vazhdojnë në katedra të historisë së periudhës osmane/Kohës së Re, nga ku do të formoheshin kuadro profesionistë të shekujve XV–XVIII.
