Apple pritet të mbajë në shtator eventin e saj më të rëndësishëm të vitit, por këtë herë kompania mund të ndryshojë mënyrën tradicionale të prezantimit të gjeneratës së re të iPhone. Sipas raportimeve që kanë qarkulluar muajt e fundit, modeli bazë iPhone 18 mund të mos prezantohet në shtator.
Në vend të tij, Apple pritet të fokusohet te modelet më të avancuara të linjës së re, përfshirë iPhone 18 Pro, iPhone 18 Pro Max dhe iPhone Ultra. Modeli standard iPhone 18 nuk pritet të anulohet, por prezantimi i tij mund të shtyhet për fillimin e vitit 2027, së bashku me iPhone 18e dhe iPhone Air 2. Arsyet për këtë ndryshim nuk janë bërë të ditura zyrtarisht.
Megjithatë, raportimet sugjerojnë se Apple mund të synojë shpërndarjen e lançimeve gjatë vitit dhe t’u japë më shumë vëmendje modeleve premium. Një tjetër faktor i mundshëm lidhet me furnizimin me komponentë, veçanërisht me memorien, çka mund ta ketë shtyrë kompaninë të riorganizojë prodhimin.
Nëse raportimet konfirmohen, Apple do të kalojë në një strategji të re, me tre modele të nivelit të lartë në shtator dhe modelet e tjera disa muaj më vonë. iPhone 18 bazë pritet të mbërrijë jo më vonë se marsi 2027, duke bërë që përdoruesit që kërkojnë një model të gjeneratës së re me çmim më të ulët se versionet Pro dhe Ultra të presin edhe disa muaj.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
