Ura kryesore mbi lumin Ibër është simbol i ndarjes mes shqiptarëve dhe serbëve për 27 vjet me radhë. Gjatë këtyre viteve të pasluftës, kjo urë, e ndërtuar pikërisht me qëllimin e bashkimit, ka njohur faza të ndryshme: herë ka qenë e kalueshme, herë e pakalueshme, herë ka qenë urë e herë park, por një gjë është e sigurt: as KFOR-i, as BE-ja, as EULEX-i nuk ia kanë dalë ta hapin dhe të bëjnë të mundur një qarkullim të lirë për të dy komunitetet etnike.
Dhe, strumbullari i këtij problemi është Serbia, që mban peng serbët e Kosovës në agjendën e saj destruktive ndaj Kosovës. Lajmi i këtyre ditëve se forcat e KFOR-it do t’ia lënë vendin mbi urë policëve të Kosovës është i vonuar.
Në fakt, kjo do të kishte ndodhur një vit më parë, nëse qeveria e Kosovës, me në krye ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, nuk do t’ia mësynte të “çlironte” urën vetë, pa u koordinuar me KFOR-in – aksion në të cilin u detyrua të tërhiqej me bisht ndër shalë.
Çdo përpjekje si arritje e qeverisë tani është mashtrimi i radhës, sepse sjellja e tyre realisht e ka vonuar procesin së paku një vit. Gjithsesi, ndërrimi i forcave të sigurisë shoqërohet me kërkesën e BE-së që të konsultohen komunitetet lokale, ku serbët vetëm sa janë ankuar aktualisht, ndërsa Vuçiqi akuzoi komandantin e KFOR-it.
Megjithatë, hapja e urës mbi lumin Ibër është një tregues i nivelit të sigurisë, në kohën kur Republika e Kosovës është zhytur në ujëra antikushtetuese.
U bënë më shumë se dy vjet që vendi është mbërthyer nga një krizë e thellë institucionale, ku qeveria dhe Kuvendi, dhe tashmë edhe Presidenca, nuk kanë legjitimitet, dhe qytetarët e Kosovës do të duhet të jenë falënderues ndaj KFOR-it që e ruan sigurinë, sepse, në të kundërt, vendi do të kishte rrëshqitur në anarki.
Në çfarëdolloj mënyre ta shqyrtosh, krejt kjo çfarë po ndodh është çmenduri. Në mes të krizës më serioze gjeopolitike pas Luftës së Ftohtë, përsa i përket sigurisë në Europë dhe vetë fatit të Aleancës Euroatlantike, Qeveria e Kosovës ka vendosur të bëjë shurdhmemecin dhe të verbëtin.
Këtu të krijohet përshtypja se jetojnë tërësisht të shkëputur nga realiteti ndërkombëtar, se paqja dhe siguria apo territori janë të garantuara përjetësisht dhe se NATO-ja do ta mbrojë Kosovën edhe përtej ekzistencës së saj.
E, në fakt, do të duhej të ishte plotësisht e kundërta: që shteti më i ri dhe më fragjil në Europë të luante çdo gur për të bërë pjesë të NATO-s, të lobonte fuqishëm, të bashkëpunonte me ta në terren si një partner i besueshëm, e jo ta sfidonte, siç bëri disa herë në veri të Kosovës, ku dërgonin policinë speciale të pakoordinuar me KFOR-in.
Një qeveri e përgjegjshme tashmë do të ishte duke lobuar në Bruksel dhe Uashington dhe në secilin nga kryeqytetet e katër vendeve jo-njohëse, që të dizajnohet një rrugë e veçantë për Kosovën, ku ajo të bëhet anëtare.
Por, aq amatore është qeveria aktuale në diplomaci, saqë vetëm një ditë pas vizitës së suksesshme të kreut të NATO-s, Mark Rutte, në Prishtinë, kur mori mandatin, së bashku me të gjithë ambasadorët e Këshillit Atlantik të Veriut, si dhe përfaqësuesve të lartë ushtarakë të organizatës, e tërhoqi në mënyrë të njëanshme përfaqësuesin e Kosovës pranë kësaj organizate, ambasador Astrit Zemajn, i cili ishte organizator i vizitës.
Në qarqet diplomatike perëndimore, largimi i diplomatëve të rangut të lartë jashtë mandatit është një sinjal i qartë institucional për mungesën e seriozitetit shtetëror, ndërsa në realitetin politik të Prishtinës kjo është vetëm hakmarrja primitive e radhës së një ministri apo presidenti për interesa personale, pa e vrarë mendjen për dëmtimin e interesave shtetërore.
Prej atëherë, Republika e Kosovës nuk ka përfaqësues për marrëdhëniet me NATO-n. Kjo flet shumë për nivelin e interesit për anëtarësim, ndërsa fjalët që lëshohen në Prishtinë rreth kësaj teme janë krejtësisht boshe.
Në mars të vitit 2022, që është vetëm disa ditë pas agresionit rus të Ukrainës, Qeveria e Kosovës pati themeluar një grup punues ndërinstitucional për anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke e klasifikuar këtë qëllim strategjik, mirëpo puna e këtij grupi ka dështuar siç kam marrë vesh, për shkak të sabotimeve që i bënin njëri-tjetrit anëtarët e kabinetit ministror që bënin pjesë në të, për interesa meskine.
Rezultati dihet, asnjë hap përpara. Por, cila është rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe pse çdo minutë duhet të shfrytëzohet për të punuar drejt këtij qëllimi strategjik? Kosova është konsumuese e sigurisë së NATO-s nëpërmjet misionit të saj ushtarak paqeruajtës KFOR, por anëtarësimi në këtë organizatë do të ishte një garanci shumë më e fortë e sigurisë.
Duke qenë pjesë e kësaj strukture të mbrojtjes kolektive, pra e Aleancës, çdo aktor që do të dëshironte të përdorte forcën kundër Kosovës, do të bënte kalkulime të tjera. Një sulm mbi Kosovën do të ishte një sulm mbi të gjitha vendet anëtare të NATO-s.
Si rrjedhojë, anëtarësimi do të kishte efekt parandalues për çdolloj konflikti dhe, në këtë mënyrë, do të rriste ndjeshëm koston politike dhe strategjike të çfarëdolloj përpjekjeje për destabilizimin e Kosovës, një strategji e vazhdueshme e Beogradit kjo prej përfundimit të luftës së vitit 1999.
Nga ana tjetër, një anëtarësim i Kosovës në NATO do të ishte betonizim i shtetësisë, një përforcim i subjektivitetit ndërkombëtar.
Kosova dështoi të anëtarësohej në Këshillin e Europës për faj të qeverisë Kurti, nuk ka ndonjë shans të anëtarësohet shpejt në BE për shkak të pesë vendeve jo-njohëse si barriera numër një; anëtarësimi në OKB mbetet një ëndërr e largët, por NATO mbetet një objektiv realist, i cili duhet ndjekur me urgjencë.
Anëtarësimi i Kosovës në NATO do ta izolonte tërësisht Serbinë, e cila do të rrethohej me vende të Aleancës, dhe do të ndryshonte tërësisht raportin me këtë shtet. Në fakt, do të ishte një përmbysje e madhe gjeopolitike dhe strategjike, një ndryshim i raportit të forcave në rajon.
Në fakt, anëtarësimi i Kosovës në NATO do të ishte garanci për stabilitetin rajonal, pasi Serbia do të hiqte dorë nga ambicia për të sulmuar një vend të NATO-s.
Sigurisht që benefitet e tjera janë të shumta, si ai për kthimin e FSK-së në një ushtri me kapacitete më të larta dhe rritja e sigurisë, që do të ndikonte pozitivisht edhe në stabilitetin ekonomik, duke e hequr Kosovën nga harta e vendeve me tensione të larta përsa i përket sigurisë.
Deklarata e sekretarit të Shtetit, Marco Rubios se tani për tani anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është prioritet është sinjal i drejtpërdrejtë se Prishtina dhe Uashingtoni nuk janë në ditët më të mira të bashkëpunimit, dhe refuzimi i projektit të gazit të lëngshëm nga qeveria Kurti vetëm sa i ka bërë më të ftohta këto raporte.
Një sjellje strategjike do të ishte pranimi i projektit, ku Kosova gjithsesi përfiton, por duke insistuar në kërkesën për anëtarësim në NATO. Me administratën Trump, shumë rregulla të ngurta kanë ndryshuar nëse shoqërohen me vullnet politik, por kjo kurrsesi nuk do të ndodhë nëse, në vend të bashkëpunimit, lojtarët politikë që përfaqësojnë Kosovën hedhin shkelma ndaj aleatit ekzistencial.
Derisa të ndryshojnë qasje, Prishtina do të vazhdojë të festojë për hapjen, që duket më shumë si mos-hapje e urës kryesore në Mitrovicë, ku këmbësorët do të mund të kalojnë, por makinat ende jo. (Autorja ka qenë ambasadore e Republikës së Kosovës në Itali dhe deputete e Kuvendit të Kosovës)
