Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Bekim Kodraliu, ka folur për hetimet lidhur me rastet e spiunazhit dhe personat që dyshohet se janë rekrutuar nga Agjencia e Inteligjencës së Serbisë (BIA).
Në një intervistë ekskluzive për RTK-në, Kodraliu ka bërë të ditur se deri më tani janë identifikuar shtatë raste të spiunazhit, ndërsa janë katër aktgjykime dënuese, prej të cilave dy janë të formës së prerë.
“Më konkretisht, deri më tani kemi shtatë raste të spiunazhit me disa persona të cilët dyshohet se kanë qenë pjesë e rekrutimit të strukturave nga Agjencia e Inteligjencës serbe (BIA)”, ka thënë Kodraliu. Sipas tij, Prokuroria Speciale gjatë dy viteve të fundit ka zhvilluar hetime në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë dhe Policinë e Kosovës.
Dy aktgjykimet e formës së prerë janë ndaj Aleksandër Vlajiqit dhe Bojan Jevtiqit, të cilët, sipas Kodraliut, kanë pranuar fajësinë. “…të të dënuarit Aleksandër Vlajiq, si dhe të të dënuarit tjetër Bojan Jevtiq, të cilët që të dy kanë pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën ne kemi ofruar edhe prova konkrete”, ka deklaruar ai.
Dy të dënuarit ishin zyrtarë të lartë policorë Kodraliu ka treguar se rasti është veçanërisht i ndjeshëm për shkak të pozitave që kishin mbajtur dy të dënuarit. “Njëri ka qenë toger me gradë në Policinë e Kosovës, më konkretisht në pikën kufitare në Kamenicë, dhe tjetri ka qenë zyrtar i inteligjencës së policisë në pjesën e Veriut të Mitrovicës”, ka thënë ai.
Rasti i Aleksandër Vlajiqit Sipas Kodralisë, Aleksandër Vlajiq ishte dënuar edhe për sulmin terrorist në zyrat e KKZ-së në Mitrovicë në dhjetor të vitit 2022. Ai ka thënë se gjatë ekzaminimit të telefonave të Vlajiqit janë gjetur prova që çuan në nisjen e hetimeve për spiunazh.
“Nga ekzaminimi i telefonave të të dënuarit Aleksandër Vlajiq kemi vërejtur dëshmi të mjaftueshme që të iniciojmë edhe rastin për spiunazh”, ka thënë Kodraliu. Sipas tij, hetimet kanë treguar se Vlajiq ishte rekrutuar nga shërbimi inteligjent serb, konkretisht nga personi përgjegjës i BIA-s në rajonin e Novi Pazarit.
Nga ky hetim, Prokuroria ka iniciuar rast edhe ndaj një zyrtareje nga Mitrovica e Veriut, e cila kishte qenë pjesë e misionit të OSBE-së në Kosovë. Ajo është dënuar në shkallën e parë, ndërsa rasti është duke u shqyrtuar në Gjykatën e Apelit.
Kodraliu flet edhe për rastin e Fatmir Shehollit Prokurori Kodraliu ka folur edhe për rastin e Fatmir Shehollit, duke thënë se ai dyshohet se ka ofruar ndihmë për shërbimin inteligjent serb.
“Fatmir Sheholli ka ofruar ndihmë për shërbimin inteligjent serb, konkretisht për zyrtarin e lartë të BIA-s për kundërterrorizëm, Bojan Dimiq, në implementimin e një misioni me qëllim të dëmtimit të disa figurave politike në Kosovë”, ka deklaruar Kodraliu. Sipas tij, synimi ishte që dëmtimi i këtyre figurave politike të ndodhte para zgjedhjeve të mbajtura në Kosovë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
