Nuk dua të jem si hije

0%

Roja e institucionit nuk ndodhej aty. Nuk e di se ku kishte shkuar, por m’u desh vetëm një çast për të ngjitur njëra pas tjetrës shkallët dhe për të mbërritur te dera e zyrës së saj, në katin e dytë, djathtas. Zakonisht ajo më priste në këmbë, pranë derës.

Sapo hyja brenda, më hidhej në qafë dhe niste të më puthte, shpesh duke lënë të kuqin e buzëve në jakat e këmishave të mia të bardha, ose duke u dhënë buzëve të mia një shkëlqim e një butësi të pazakontë të njw tw buzëputhuri. Ndonjëherë, pa e kuptuar, harroja e me gjuhë lëpija embëlsinë e puthjes. Por këtë herë gjithçka ishte ndryshe. Kisha ardhur pa e lajmëruar.

Ndoshta prania ime e papritur e kishte habitur. Ajo rrinte ulur pas tavolinës, mbi të cilën, shtruar mbi një gazetë, kishte hapur një pako të vogël me bukë, sallam, vezë të skuqura, djathë e ullinj. Në vend që të ngrihej e të gëzohej, ashtu, me gojën ende plot, më hodhi një vështrim të çuditshëm.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Prej disa ditësh kisha dashur të flisja me të në telefon, por ose më ishte përgjigjur ftohtë, ose ma kishte mbyllur telefonin pa më kthyer më përgjigje. Sytë e saj kishin një vështrim të huaj, të pakuptueshëm, ndoshta edhe të dhimbshëm. – Ti nuk duhet të kishe ardhur. Dhe nuk duhet të vish më. Nuk iu përgjigja. Nuk po kuptoja asgjë.

Ajo heshti për një çast, pastaj tha: – Nuk dua të rri e strukur në qoshen e zemrës tënde. Nuk dua të fshihem nga frika e fjalëve të botës. Nuk dua të jem si hije pas bebëzave të syve të tu. M’u lidhën fjalët nyje në gojë. Nuk po u besoja veshëve. – Ti ikën nga ajo derë që nuk bëzanë, ndërsa unë dridhem si flakë kandili me vaj. Këtu ka njerëz. Shikojnë.

Flasin. – Unë erdha vetëm të të përshëndes. – Ti nuk duhet të kishe ardhur. Tani dil! Shenja e saj me dorë nuk la më asnjë mëdyshje. U nisa drejt derës. Ajo më ktheu shpinën dhe hodhi vështrimin nga dritarja. Ndoshta nuk donte që unë ta shihja të përlotur. Ndoshta prania ime ishte vërtet bërë e tepërt. Ose ndoshta pas asaj sjelljeje fshihej diçka që unë ende nuk e dija.

Në sytë e saj kishin filluar të mblidheshin lotët. *** Përpara godinës shiu binte curril. Dola nga streha dhe një pikë e madhe shiu m’u përplas në faqe. M’u duk si një lot i saj. Ndoshta për këtë arsye m’u duk e ngrohtë. U drejtova në zyrën time, që ndodhej në anën tjetër të sheshit. Vetmia strukej në vrimat e zemrës sime dhe lypte ngrohtësi.

Në ballin tim të rrudhur nga dhimbja dukej, si një ylber pas furtunës, trishtimi i brendshëm. Kur hyra në zyrë, sekretarja më pa dhe më pyeti: – Çfarë ke? Pse je kaq i zymtë, si kjo kohë? Nuk iu përgjigja. Pa dashur të takoja askënd, qëndrova vetëm në zyrë deri në muzg, i mbështjellë nga vjeshta gri. E krejt atëherë kur dita do të shkojë kisha dalë prej zyre.

Dridhej nëpër muzg mungesa e saj. – Ndoshta do të më strehojë në një pikë loti – mërmërita. Biseda jonë në zyrën e saj kishte qenë si një puthje e lënë përgjysmë. *** Në kujtesën time u kthye dita e parë kur ishim këmbyer në rrugë. Më kishte tronditur bukuria e saj. Ishte një mbrëmje me shi.

Atë natë kisha mundur të shkundja ngurrimin dhe, pa e ditur mirë se ku po na çonte ajo rrugë, ishim futur në hotelin luksoz përballë selisë së Parlamentit. Pas pak ajo ishte larë dhe kishte dalë nga dushi me flokët e lagur, të lëshuar mbi supe. Qëndrova para saj i magjepsur. Pastaj, pa shumë fjalë, të dy iu dhamë përkëdheljeve të një nate që dridhej nga epshi dhe pagjumësia.

Ajo ishte si një yll nga një qiell i largët. Tani doja edhe një herë të më zinte gjumi pranë saj, pranë asaj gruaje që për mua ishte bërë njëkohësisht dashuri, mëkat dhe ëndërr.Por dukej se e kisha humbur. Nuk e dija ende pse ishte tjetërsuar , ishte bërë tjetër njeri.

Vetëm pak kohë më parë gjenim rastin t’i fshiheshim gjithkujt dhe përfundonim gjithmonë aty, në të njëjtën dhomë, në të njëjtin krevat, duke luajtur të njëjtën lojë, nga e para e përsëri nga e para. Sa herë gjendeshim lakuriq para njëri-tjetrit, humbisnim në një botë magjish dhe ëndrrash. Harronim kush ishim.

Harronim edhe se bota ekzistonte përtej asaj dere e nuk donim t’ia dinim për kënd tjetër. Tani ajo derë ishte mbyllur. Nata e sotme mban me vete një takim të harruar, të lagur në shi. Ndoshta nuk isha më unë, ishte hija ime që më mashtronte. Ditë e natë, natë e ditë ajo do të shëtiste pa mua. Ulërinte vetmia në damarët e mi. Trishtohej era mbi shkëmb.

Në rrënjët e zemrës sime të prishur, kishte zënë vend mungesa e saj. *** …Isha në studimet pasuniversitare kur nisëm të ktheheshim bashkë me tren. Ajo ulej përballë meje dhe unë e vështroja ngultas. Hamendësoja për dobësinë që mund t’i krijonte pamja ime një gruaje, por, pse ta fshihja, ajo kishte kohë që i kishte turbulluar mendimet dhe ndjenjat e mia.

Kështu e kishim nisur, si një lojë nga e cila nuk kishim mundur të largoheshim. Donim ta luanim përsëri e përsëri, derisa tani, që nuk ishim më bashkë, po e vuanim deri në pikën e fundit. Ajo dinte të dashuronte në mënyrën e saj. Të dy ishim të martuar me të tjerë kwnd kur ishim njohur. Por që pas asaj dite ne ia njihnim ëndrrat dhe dëshirat njëri-tjetrit.

Asnjëri prej nesh nuk ishte martuar me detyrim. Por jeta, ndonjëherë, i vendos njerëzit në rrugë nga të cilat nuk dinë më të kthehen. Të dy duket se kishim probleme në familjet tona, nuk është se ishim martuar me zor me ata që jetonim, por ja që jeta i ka këto.

Natyrisht, ajo kishte një shkak të fortë, që ishte dhënë aq fortë pas meje Një ditë, pasi kishim kaluar një natë të gjatë në hotelin përballë Parlamentit, kur po bëheshim gati të largoheshim drejt qytetit tonë të vogël, kishim parë të shoqin e saj duke dalë nga hoteli bashkë me sekretaren e tij. Ishin të përqafuar dhe qeshnin.Pastaj ai e kishte puthur sekretaren në buzë.

Ajo kishte nxjerrë telefonin dhe e kishte filmuar gjithçka. – Kthehemi – kishte thënë. Dhe ishim kthyer përsëri në atë dhomë. Atëherë, për një çast, nuk pyetëm më për asgjë. U strehuam në krahët e njëri-tjetrit, ndoshta edhe për inat të burrit të saj që e tradhtonte me sekretaren. Gjithë bota dukej sikur ishte zhdukur.

Ime shoqe ishte shtatzënë, por edhe kjo sikur ishte fshirë nga kujtesa ime. Kishim porositur pije dhe drekë në dhomë. Kushedi sa kishim pirë. Kushedi sa herë ishim përqafuar e dashuruar. Derisa kishte ardhur mbrëmja tjetër dhe ne kishim kaluar edhe natën e dytë në atë dhomë të mirëmbajtur, të mobiluar me një luks që atëherë na dukej sikur ishte krijuar vetëm për ne.

Të nesërmen paradite, kishim lënë hotelin dhe ishim kthyer drejt qytetit tonë. Nuk e dinim mirë çfarë kishim bërë. Sidomos ajo natë e dytë kishte mbetur si një boshllëk në kujtesën e të dyve. Ajo u kthye në shtëpinë e saj. Atje plasi hataja. Sherri me të shoqin u bë aq i madh, sa secili përfundoi në një dhomë tjetër.

Ajo i kujtonte puthjen me sekretaren dhe nuk e linte të shpëtonte nga ajo pamje. Fotografinë e kishte printuar dhe ia tundte para syve. Ai nuk mund ta akuzonte për asgjë. Nuk e kishte pasur mendjen te e shoqja, por kishte hyrë në arat e huaja dhe kishte harruar arën e vet, të cilën po ia punonin të tjerët. Kaloi një muaj. Ata grindeshin çdo natë.

Flinin në dhoma të ndryshme dhe nuk i thoshin më asnjë fjalë të mirë njëri-tjetrit. Kaloi edhe gjysma e muajit tjetër. Ajo kishte filluar të villte herë pas here. Stomaku nuk i pranonte asgjë. U drejtua në farmaci dhe bëri një test. Rezultati ishte i qartë. Ishte shtatzënë. E përsëriti testin pas dy ditësh. E njëjta gjë. Pastaj shkoi në spital.

Ekoja konfirmoi shtatzëninë, por mjeku i tha se ishte ende herët për të përcaktuar gjininë e fëmijës. Ajo nuk dinte çfarë të bënte. Kishte dy muaj që nuk kishte fjetur me burrin e saj.Nëpër qytet kishin nisur të qarkullonin zëra për lidhjen tonë, ndonëse i shoqi i saj ende nuk dinte asgjë. Sa herë ai i prekte fundbarkun, ajo kujtonte netët tona në hotelin përballë Parlamentit.

Çfarë të bënte? Ta hiqte fëmijën? Por si mund të bëhej vrasëse? Kështu fëmija erdhi në jetë me një të vërtetë të tmerrshme mbi supe: kishte dy baballarë. Njërin ligjor, që në të vërtetë nuk ishte babai biologjik, por që nuk e mohoi kurrë, as para gjyqit.

Dhe tjetrin, babain e vërtetë, atë biologjik, që nuk e pranoi kurrë. *** Ndoshta ajo kishte ardhur deri te ajo pikë ku nuk mund të jetonte më si hije. Ndoshta fëmija e kishte detyruar të zgjidhte mes gënjeshtrës dhe së vërtetës. Ndoshta prandaj, atë ditë, kur hyra në zyrën e saj, ajo më tha: – Ti nuk duhet të kishe ardhur.

Dhe kur dola në shi, ajo kishte mbetur pas dritares, me lotët në sy. Tani e kuptoja se nuk kishte qenë prania ime që e kishte frikësuar. Ishte e vërteta. Një e vërtetë që kishte nisur shumë kohë më parë, në një dhomë hoteli, mes shiut dhe dëshirës, dhe që tani kërkonte të dilte nga hija. Unë vazhdova të ecja nëpër shi.

Për herë të parë më lindi një pyetje nga e cila nuk mund të ikja më: Nëse ai fëmijë ishte imi, a kisha të drejtë të vazhdoja të jetoja si një hije?

Burimi: Bota Sot