Gërmimet arkeologjike në Parkun e Apolonisë po sjellin të dhëna të reja mbi historinë dhe zhvillimin e një prej qyteteve më të rëndësishme antike në territorin e Shqipërisë. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Gonxhja, ka bërë të ditur se gërmimi arkeologjik studimor po zhvillohet në kuadër të misionit shqiptaro-francez në Apoloni.
Sipas Gonxhes, kërkimet po fokusohen në një prej monumenteve publike më të rëndësishme të qytetit antik. “Çdo shtresë e zbuluar përbën një dëshmi të çmuar për historinë, zhvillimin urban dhe jetën publike të Apolonisë”, ka shkruar ai. Përmes kërkimit shkencor dhe dokumentimit arkeologjik, synohet të rivlerësohet organizimi urbanistik i Apolonisë dhe funksioni i monumenteve publike.
Sipas ministrit, rezultatet e këtyre gërmimeve pritet të ofrojnë një këndvështrim më të plotë mbi zhvillimin e qytetit dhe rolin që Apolonia kishte në botën antike.
