Fundi i karrierës së Cristiano Ronaldos si futbollist profesionist duket se po afrohet. Ylli portugez e ka konfirmuar vetë këtë gjatë një interviste për revistën Vogue, ku ka bërë të ditur se mund të jetë në vitin e fundit të tij në futboll. “Ky është ndoshta viti im i fundit në futboll dhe dua të largohem duke lënë pas një trashëgimi spektakolare”, ka deklaruar Ronaldo.
Së fundmi, 41-vjeçari kishte konfirmuar gjithashtu se Kupa e Botës e këtij viti do të jetë e fundit në karrierën e tij. Megjithatë, ai nuk kishte bërë të ditur se kur planifikon t’i japë fund përfundimisht karrierës. Në të njëjtën intervistë për Vogue, e cila zbuloi edhe detaje rreth martesës së tij me Georgina Rodriguez, Ronaldo foli për jetën që dëshiron të ketë pas futbollit.
“Kam shumë gjëra që mund të më mbajnë të zënë, saqë është e vështirë të përmend vetëm një. Futbolli mund të lërë një boshllëk të madh, prandaj duhet ta mbushësh kohën në shumë mënyra dhe jo vetëm me një gjë”.
“Gjithashtu, dua të argëtohem më shumë, të udhëtoj më shumë, të shikoj dhe të luaj padel, që më pëlqen shumë, si dhe të vazhdoj ta shijoj atë që kam arritur – dhe atë që kemi arritur së bashku. Në fund të fundit, kanë qenë 25 vite me sakrifica të mëdha”, ka shpjeguar Ronaldo.
Ronaldo ndër të tjera ka fituar të gjithë trofetë e mundshëm në futboll, përpos Kupës së Botës – ndërsa po synon të bëhet lojtari i parë që arrin numrin e 1 mijë golave në karrierë./ Telegrafi
