Fotografi të publikuara mes Kryeministrit në detyrë Albin Kurtit dhe tashmë të arrestuarit nën dyshimet për spiunazh Fehim Sali, janë komentuar edhe nga zyra e qeverisë. Zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka ka reaguar duke thënë se Kurti në qeverisjen e tij ka pritur delegacione të ndryshme të organizatave që janë të regjistruara në Kosovë.
“Dhjetëra organizata të pakicave me delegacione të tyre që janë të regjistruara dhe operojnë në Kosovë, Kryeministri Kurti i ka pritur në këto pesë vjet e gjysmë. Ne nuk bëjmë detektorin e askujt dhe as s’japim amnesti për askënd”- ka shkruar Manxhuka në .
Ai tutje shtoi se tashmë ‘si asnjëherë më parë, institucionet e sigurisë, si AKI janë duke zbuluar gjithnjë e më shumë elemente të tilla të dyshimta spiunazhi’.
Pas arrestimit të arsimtarit nga Dragashi Fehim Sali, për dyshimet se po shpiunonte te autoritetet serbe në rrjete sociale u publikuan edhe fotografi të Sali bashkë edhe me kryeministrin Kurti, ish presidenten Osmani e madje edhe me fytyra politike të Serbisë.
Në bazë të të dhënave dhe njoftimeve që janë publikuar edhe nga vet zyra e kryeministrit, në tetor të vitit 2022 ishte mbajtur një takim mes Kryeministrit Kurti, me përfaqësuesit e komunitetit goran në Kosovë, nga akademia, organizatat joqeveritare, mediat dhe institucionet e Kosovës. Pjesë e këtij takimi ishte edhe Fehim Sali.
