Armando Broja nuk po kalon një situatë të qetë te Bërnli, me të ardhmen e tij te skuadra angleze që duket gjithnjë e më e pasigurt. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare nuk ka gjetur minutazhin e duhur dhe duket se për momentin është jashtë planeve të trajnerit Niki Hejen, i cili nuk e sheh si zgjidhjen kryesore për repartin ofensiv.
Në ndeshjet e fundit, Broja nuk është aktivizuar, pavarësisht se nuk ka pasur probleme fizike. Këtë e ka konfirmuar edhe trajneri në konferencën për mediat para ndeshjes së parë të kampionatit ndaj Uest Hem, pikërisht një prej skuadrave për të cilat ishte raportuar më herët se kishte shfaqur interes për sulmuesin shqiptar. “Broja dhe Foster?
Të dy janë në gjendje të mirë, ndaj ne përpiqemi sa të jetë e mundur t’i përshtatim për skuadrën”, ishin fjalët e trajnerit, teksa komentonte situatën e dy futbollistëve.
Megjithatë, sipas mediave pranë klubit, Broja nuk pritet të ketë një rol në ndeshjen e parë të kampionatit dhe kjo situatë mund të vazhdojë edhe në javët në vijim, ndërsa po shqyrtohet mundësia e transferimit të tij në një klub tjetër.
