Një libër ku me anë të biografive të 11 viktimave femra të komunizmit, fenomen ndër më të rrallët në Europë, autorja shpalos një kujtesë historike që duhet ditur dhe njohur sidomos nga brezi i ri që histori të tilla makabre mos te përsëriten. Kjo të bën të kujtosh një shprehje idiomatike filozofike që „Historia është mësuese e mirë kurse popujt janë nxënës të këqij“.
Pra, duhet të dihen, të lexohen të tilla histori, të mbahen mend bile të futen në tekstet e shkollave në mënyrë që pavarësisht se jetojmë në demokraci, forma të diktaturës dhe autokracisë përsëriten herë pas here.
Ato ishin vajza të ndershme, patriotike, të brumosura me idealet e lirisë, me ideale fetare që i mbrojten të vërtetat e tyre me vendosmërinë për të qëndruar deri në fund me stoicizëm karshi një të keqe që po i vinte vendit.
E gjithë jeta e tyre ka specifiken dhe individualitetin e vet të treguara përmes biografive të tyre, por një gjë kishin të gjitha të përbashkët: besimin dhe qëndrimin se sistemi komunist ishte një filozofi, një sistem që do të dëmtonte traditën tonë, pronën, fenë, të drejtat, dinjitetin dhe kjo që po i vinte vendit duhej luftuar me gjithë forcat e mundshme.Të gjitha kishin një ideal, dashurinë për vendin shoqëruar me urrejtjen ndaj sistemit komunist.
Por ishin tepër të guximshme për të mbrojtur idealin e tyre. Shumë prej këtyre heroinave i rezistuan torturave më të tmerrshmë, më të turpshme që mund tu bëhej femrave, nga më shkatërrueset, më të rënda si e si për të për t´ju ulur atyre dinjitetin dhe besimin në të drejten e tyre.
Por ato megjithë këto lloj mënyrash jo vetëm që i ndejtën besnikë idealit, vendit dhe shokëve të tyre por me dinjitet përballuan këto tortura deri në sublimim me besnikërinë e pafund ndaj çdo vlere e tradite shqiptare të trashëguar prej të parëve të tyre në shekuj…Në mënyrë të veçantë ideologjia komuniste e rrënjosur tek jugosllavët dhe e injektuar tek komunistët shqiptarë, bëhej përpjekja për të shkulur nga vendi amë, pjesë të Shqipërisë siç ishte Kosova.
Këtë e kuptoi më mirë se askush Marie Shllaku, e cila e brumosur me veprat e Fishtës, e influencuar nga shumë nacionalistë kosovarë bëri një përpjekeje titanike deri në sublimim për të luftuar për bashkimin e trojeve shqiptare dhe mos shkëputjen e Kosovës nga Shqipëria.
E rrallë, dhe ndër të vetmet që një vajzë kaq e re por shumë inteligjente, nacionaliste e bindur, arrin të mbroje tezen e saj se e vetmja zgjidhje për atdheun ishte largimi nga ideologjia komuniste jugosllave që pengonte bashkimin e trojeve shqiptare.
Autorja është përpjekur që me anë të shumë burimeve të shkruara, arkivore dhe gojore të na japë një pasqyrë mjaft të qartë të jetës, punës dhe aktivitetit të saj patriotik në kordinim dhe bashkëveprim me të gjitha forcat politike dhe nacionalistët që kërkonin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, si prof.Ymer Berisha, Ndue Përlleshi, Shaban Dema, Ukë Sadiku, Alush Smajli , Shaban Polluzha, Ndrecë Nikolla, Mehmet Gradica, Zef Gjidoda, Adem Shala, Feriz Boja, Qazim Bajraktari si dhe shumë atdhetarë shkodranë të cilët vepronin në Kosovë për çështjen kombëtare, si At Benard Llupi, Kolë Parubi, dhe Gjergj Martini.
Autorja nepërmjet biografisë së saj tregon se Maria kurrë nuk i trathëtoi bindjet dhe idealin e saj edhe atëherë kur babai i erdhi për tja ndryshuar këto bindje por punoi e luftoi deri në fund për ti mbrojtur, për ti konsoliduar duke bërë për vehte një pjesë të madhe të popullit kosovar me të cilët luftoi deri në momentin e fundit të jetës.Po të lexosh biografinë dhe jeten e Marie Tucit, një vajzë që jeten ja kishte kushtuar fesë dhe Zotit, e brumosur thellë në shpirt me ndjesi dhe përkushtim fetar, të bën të mendosh se si ka mundësi të turturohet një vajzë e thjeshtë që nuk i kishte bërë keq askuj dhe kishte punuar me përkushtim dhe ndershmëri?
Si mund ti bëhen një vajze të urtë, të sinqertë, fisnike aq tortura sa ta dërgonin deri në vdekje. Maria është e vetmja femër që gjindet në listen e martirëve shqiptarë që u flijuan për Jezu Krishtin dhe besimin e palëkunder tek fuqia dhe mëshira e tij. gjatë regjimit të egër komunist në Shqipëri dhe u shpallën të Lumtur më datën 5 nëntor të vitit 2016.
Autorja ka ditur ta sjellë këtë figurë të papërsëritshme me tërë virtutet që ka një vajzë shqiptare e bromosur me fjalët e Zotit.Në mesin e heroinave shqiptare që ende edhe sot është e panjohur është edhe Bardha Krosi, të cilës ju bënë torturat më mizore që mund ti bëhen një njeriu dhe aty vdiq në burg në vitin 1949 . Varri i saj nuk dihet.
Ajo akuzohej se ndihmonte luftëtarët e lirisë duke i furnizuar me ushqime dhe ilaçe. Që nga dita e parë e burgimit, ajo u torturua brutalisht.
Gjatë dhjetra muajsh rezistencë në hetuesi duke i sfiduar kriminelët e egër komunistë dhe duke mos e nxjerrë asnjë fjalë nga goja për kundër torturave shtazarake, ajo u tregua taman si një burrnesh malesh ku në shpirtin e saj ishin kultivuar traditat më të shejta shqiptare.
Ajo që sakrifikoj jetën në moshën 28 vjeçare, qe një shembull i gjallë i rezistencës antikomuniste, shembull trimërie dhe atdhedashurie duke mos e trathëtuar në asnjë moment idealin e saj nacionalist.Shumë të huaj, studiues, shkrimtarë që kanë vizituar vendin tonë kanë vënë re se gruaja shqiptare ka një veti: në çdo përpjekje për çlirim kombëtar ajo qëndron përkrah burrit.
Këtë e ka treguar edhe Marie Zojzi që së bashku me bashkëshortin e saj, Pjetër Dedën, iu bashkua rezistencës kundër regjimit, duke u bërë simbol i qëndresës së pamposhtur.
Siç tregon autorja përmes biografisë saj, ajo ishte e brumosur që në familjen e origjinës me ndjenja të thella atdhetare, besnike ndaj besimit dhe parimeve shpirtërore, parime që i thelloi më shumë kur u bë pjesë e familjes Deda, ku ndjenjat atdhetare dhe besimi fetar ishin të rrënjosura thellë.
Duke luftuar me armë në dorë që ndoshta është rasti më i rrallë i një femre shqiptare kundër bishës komuniste, ajo do të binte theror në këtë luftë duke u bërë dëshmore e kësaj lufte.Komunistët nuk kursyen as intelektualen e shquar, iktiologen, doktoren e shkencave Sabiha Kasematin që vazhdonte të bënte studimet mbi peshqit e vendit tonë, duke e pushkatur me 22 intelektualë të tjerë në naten 26 shkurtit 1951, pa gjyq.
Sebihaja ishte një intelektuale patriote sepse edhe pse studioi në Firence të Italisë, ku e kishin ftuar për të punuar në institucione italiane ajo nuk pranon sepse don të punojë për vendin e vet.
Këtu ajo shpesh do të shprehte haptas qëndrimet e saj kundër sistemit që po vendosej në Shqipëri por do binte në sytë e sigurimit që do e masakronin pas asnjë argumenet as edhe një fakt, duke e ekzekutuar.Tragjike janë vrasjet që komunistëtë iu kanë bërë atyre grave që kanë mbrojtur pragun e shtëpisë.
Pragu mbart një rëndësi të thellë në traditën dhe kulturën shqiptare, duke simbolizuar kufirin mes jetës intime familjare dhe botës së jashtme. Pragu është një vend referencial ku nuk mund ta kalojë armiku pa u vrarë por që është i hapur për mikun. Shpesh është lidhur me nocione të mikpritjes dhe shenjtërisë të shtëpisë. Në letërsi dhe këngë, ai vlerësohet si një nga vendet më të dashura.
Por duhet ditur se mbrojtja e pragut të shtepisë ka qenë gjithmonë një gjë e shenjtë për shqiptarët atdhetarë. Motoja shekullore se nuk kam kah të shkoj përtej pragut të shtëpisë është bartur shekuj me radhë tek familjet atdhetare shqiptare.
Trashëgimi e mbrojtjes së pragut të shtëpisë kanë qenë jo vetëm për burrat mirditorë por edhe gratë e Mirditës të cilat krah për krah me burrat e mbrojtën pragun e shtëpisë.
Kështu do të ishte edhe fati i jetës së Liza Llesh Molit, e cila duke mbrojtur pragun e shtëpisë dhe mysafirët që kishte brenda vritet pa gjyq për motive politike, më 25 prill të vitit 1951 Një nder gratë mirditore që u flijua për mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe lirimin e Shqipërisë nga forcat e ndjekjës komuniste është edhe atdhetarja Dila Preng Biba.Heroina Dila Ndue Karaçi, oroshase, e cila kishte trashëguar trimërinë, besën, dhe besnikërinë shqiptare do të sublimohesh për të mbajtur me nder këto veti të gruas shqiptare për të mos u dorëzuar asnjëherë.
Ajo e theu urdhërin e komunistëve pansllavistë që dëshironin ta dërgonin në ndërtimin e hekurudhës, për të shfrytëzuar dhe t´iu thyer moralin grave të reja mirditore. Dila e pranoi sakrifikimin më sublim duke i dhanë jetës fund nga shtypja dhe terrori, por kurrsesi nuk pranoi që të bëhet vegël e komunistëve.
E ndryshme ishte historia e Bardhe Mark Bushkolla e cila kur e pa se krisi pushka në mes të atdhetarëve dhe tradhëtarëve komunistë ajo me gjithë fuqinë që kishte u vu në shërbim të mbrojtjës së jetës së vëllait të saj. Por që komunistë nuk kursyen as vajzën e re duke e vrarë ende pa e mbushur moshën 16 vjeçare.
Një sakrificë e motrës për të vëllanë ka qenë një nga traditat më fisnike, më vëllazërore e trashëguar në shekuj “ çka bën motra për vëllanë ?”.
Ky ka qenë një motiv që ka jetuar gjatë në bashkësitë tona familjare.Akoma më tragjike është rasti i vrasjes së dy grave nënës se Ndue Llesh Bajraktarit Mrikës e moshes 60 vjeçare si dhe gruas se Ndue Llesh Bajraktarit Prena Bajraktari me foshnjën në bark ku i masakruan në mënyrën më të ulët duke shkelur çdo konventë ndërkombëtare që njeh historia e njerëzimit.
Të vritet nëna 60 vjeçare dhe reja shtatëzanë në moshën 22 vjeçare me tortura, nuk ka histori më makabre. Këto histori që i sjell autorja në këtë libër na tregojnë që burrëria, atdhedashuria, besnikëria, trimëria e grave shqiptare ka qenë e trashëguar në shekuj dhe mbart mbi vehte akte sublime të rënies në luftëra apo vetsakrifikime për të mos rënë në duar të armiqve.
Por këto sakrifica të grave të shkaktuara jo nga armiqtë por nga vetë shqiptarët që përqafuan një ideologji dhe sistem të egër komunist që ishte kundër të drejtave të njeriut nuk kishte ndodhur më parë.
Kjo tregon se kundër këtij sistemi u ngriten jo vetëm nacionalistët e ndershëm shqiptarë, por u ndergjegjësuan, luftuan dhe u sakrifikuan shumë gra trime shqiptare që nuk ju binden kurrë antivlerave të atij sistemi që mohonte Zotin, liritë dhe të drejtat e shqiptarëve, pronen dhe traditat shqiptare.
Libri është pasuruar me mjaft poezi dhe këngë popullore kushtuar këtyre heroinave që tregonte se populli nuk do i harronte kurrë trimëritë e tyre por që do të vajtonte edhe viktimizimin e këtyre vajzave dhe grave të pafajshme.
Me këto poezi popullore ato i përjetësuan në traditen tonë folklorike ku u këndohej jo vetëm trimave por edhe grave dhe vajzave që tregonin trimëri dhe guxim në mbrojtje të lirisë, dinjitetit dhe traditave shqiptare. Autorja duhet përgëzuar për këtë prurje të veçantë dhe shumë historike.
Dëmet që solli më vonë sisitemi komunist do të ishin të pariparueshme sepse ato do të vrisnin dinjitetin dhe lirite e shqiptarëve por që do të provonin drejtësinë dhe pafajësinë e këtyre viktimave të komunizmit, dëshmore të demokracisë dhe lirisë.
