Rita Ora ka dhuruar një performancë të paharrueshme në Poloni, duke u ngjitur në skenën e BitterSweet Festival në Poznań, ku mijëra fansa kanë kënduar dhe vallëzuar nën ritmet e hiteve të saj. Festivali po zhvillohet nga 13 deri më 15 gusht në Parkun Cytadela të qytetit.
Këngëtarja shqiptaro-britanike performoi më 14 gusht, në një mbrëmje ku në program ishin edhe emra të njohur të muzikës ndërkombëtare. Nga pamjet e publikuara pas koncertit, atmosfera në festival duket të ketë qenë elektrizuese, me një numër të madh fansash që kanë shoqëruar Ritën duke kënduar këngët e saj më të njohura. Një prej momenteve më të veçanta të mbrëmjes ishte fundi i koncertit.
Në pamjet e publikuara si aftermovie , Rita shihet teksa zbret nga skena dhe afrohet te barriera për të përshëndetur fansat, të cilët reagojnë me entuziazëm të madh ndaj artistes. Performancën e saj në Poznań, Rita e përmbylli me një prej hiteve të saj më të dashura, “Anywhere”, duke iu afruar edhe më shumë publikut në momentet e fundit të koncertit.
Foto: BitterSweet Music Festival/Instagram Koncerti në Poloni vjen pas një vere mjaft të ngarkuar për këngëtaren, e cila ka performuar në disa vende të Evropës. Gjatë këtij sezoni, Rita është ngjitur në skena në Austri, Finlandë, Maqedoni të Veriut dhe Poloni, duke vazhduar turneun e saj veror me performanca në festivale të ndryshme evropiane.
Foto: BitterSweet Music Festival/Instagram Pas suksesit të koncertit në BitterSweet Festival, Rita Ora duket se po e mbyll një tjetër sezon të fuqishëm veror, duke dëshmuar edhe një herë se vazhdon të jetë një prej artisteve shqiptare më të kërkuara në skenat ndërkombëtare.
Foto: BitterSweet Music Festival/Instagram Foto: BitterSweet Music Festival/Instagram Foto: BitterSweet Music Festival/Instagram
