Mijëra fansa u mblodhën në rrugët e Mumbles, në Uells, për t’i dhënë lamtumirën e fundit legjendës së muzikës, Bonnie Tyler. Këngëtarja e njohur për hitin e pavdekshëm “Total Eclipse of the Heart” ndërroi jetë papritur më 8 korrik, në moshën 75-vjeçare, në një spital në Portugali.
Pas lajmit për vdekjen e saj, homazhe për këngëtaren bënë shumë miq dhe kolegë të saj, mes tyre Catherine Zeta-Jones, Bryan Adams dhe Rod Stewart. Edhe pse karriera e saj e çoi në skenat më të mëdha të botës, banorët e zonës bregdetare pranë Swansea e përshkruajnë Tyler si një “vajzë të vërtetë nga Swansea”, e cila nuk i harroi kurrë rrënjët e saj, shkruan BBC Wales.
Qytetarët ishin ftuar të rreshtoheshin përgjatë rrugës ku kaloi kortezhi mortor. Në krye të tij, në rrugën e mbushur me njerëz, u dëgjua kënga “Total Eclipse of the Heart”, ndërsa fansat, shumë prej tyre me lot në sy, reaguan me duartrokitje. Foto: EPA Arkivoli i këngëtares ishte mbuluar me flamurin e Uellsit, ndërsa pranë tij ishte vendosur një fotografi e saj në kornizë.
Bonnie Tyler, emri i vërtetë i së cilës ishte Gaynor Sullivan, u përcoll me lule dhe duartrokitje, ndërsa mijëra njerëz ndoqën kortezhin përgjatë gjithë rrugës. “Ajo ishte e mrekullueshme, si një shoqe që e njeh prej gjithë jetës”, tha Angela Powell, e cila ishte ndër të parat që mbërriti për t’i bërë homazhet e fundit.
“Nëna ime i priste flokët bashkëshortit të saj, Bobbie-t, dhe ai na lejonte të hynim pa radhë në klubet e tij të natës. Në njërin prej tyre, The Townsend, ku Bonnie performonte rregullisht, ajo takoi babain tim”, tregoi ajo.
Foto: EPA Powell tha se prindërit e saj nuk mundën të merrnin pjesë për shkak të gjendjes shëndetësore të babait, ndaj ajo kishte ardhur në emër të familjes për t’i shprehur mirënjohjen këngëtares. Edhe Andrea Witts nga Bryncoch dhe Maggie Phillips nga Gorseinon ishin mes atyre që u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën këngëtares.
“U rrita me muzikën e saj dhe doja të isha këtu për t’i bërë homazhet. Shumë vite më parë punoja në Skewen dhe i jepja mësim mbesës së saj. E gjithë familja ishte e mrekullueshme”, rrëfeu Maggie. Ajo kujtoi gjithashtu se e kishte takuar shpesh Bonnie Tyler në dyqane dhe restorante lokale. “Ajo ishte gjithmonë e afërt dhe e thjeshtë”, tha ajo.
Ceremonia përkujtimore për jetën e Bonnie Tyler do të mbahet të hënën në mesditë në kishën St. Mary në Swansea. Më pas, kortezhi do të vazhdojë drejt vendlindjes së saj, Neath Port Talbot, ku do të zhvillohet ceremonia private për familjarët.
Në njoftimin e publikuar nga agjencia funerale William Pressdee në emër të familjes, këngëtarja përshkruhet si një artiste e ngrohtë dhe bujare, muzika e së cilës shënoi breza të tërë dhe vazhdon të dëgjohet në pistat e vallëzimit dhe baret karaoke në mbarë botën. Foto: EPA Bonnie Tyler, e lindur me emrin Gaynor Hopkins, u rrit në një lagje të klasës punëtore në Neath.
Ajo la pas bashkëshortin Robert Sullivan, me të cilin ishte e martuar për më shumë se 50 vjet. Talenti i saj u zbulua në një klub në Swansea nga producenti dhe zbuluesi i talenteve Roger Bell. Në vitin 1977, ajo publikoi këngën e saj të parë, “Lost in France”.
Po atë vit, publikoi edhe baladën country-pop “It’s a Heartache”, e cila arriti në vendin e katërt në listat britanike dhe në vendin e tretë në Billboard Hot 100 në SHBA. Por suksesi më i madh i karrierës së saj erdhi gjashtë vjet më vonë, në vitin 1983, me baladën rock “Total Eclipse of the Heart”.
Kënga u ngjit në krye të klasifikimeve muzikore në të dyja anët e Atlantikut dhe i dha Tyler statusin e artistes së parë nga Uellsi që arriti vendin e parë në SHBA. Për këtë hit, ajo u nominua për çmimin Grammy, ndërsa mori edhe dy nominime të tjera për albumin “Faster Than the Speed of Night” dhe këngën “Here She Comes”.
