Një fotografi e të dyshuarit për spiunazh, Fehim Sali, me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, së fundi ka nisur të shpërndahet në media e rrjete sociale pas arrestimit të Salit. Fotografia është bërë në Kryeministri ku Kurti kishte pritur Salin bashkë me disa të tjerë.
Për këtë ka reaguar zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, i cili tha se Kurti gjatë viteve të tij në krye të qeverisë ka pritur “dhjetëra organizata të pakicave me delegacione të tyre që janë të regjistruara dhe operojnë në Kosovë”. “Ne nuk bëjmë detektorin e askujt dhe as s’japim amnesti për askënd.
Por, tash si asnjëherë më parë, institucionet e sigurisë, si AKI janë duke zbuluar gjithnjë e më shumë elemente të tilla të dyshimta spiunazhi, për çka i përgëzojmë për punën”, s hkroi Manxhuka. Sali u arrestua në pikën kufitare të Merdares më 13 gusht në dyshimin për spinazh me BIA’n serbe.
Sipas Prokurorisë Speciale, Sali dyshohet se për një periudhë të pacaktuar deri më 13 gusht i ka ofruar vazhdimisht informacione dhe ndihmë Shërbimit Inteligjent të Serbisë (BIA), me qëllim të përfitimit material.
Prokuroria thotë se ai i ka ofruar BIA-s informacione për situatën politike në Kosovë, ka fotografuar dhe identifikuar zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), si dhe ka ofruar të dhëna për persona që, sipas Prokurorisë, i përkasin sektit vehabi. Gjykata Themelore në Prishtinë Salit i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.
