Drita e frenimit edhe në pjesën e përparme?

0%

Shkencëtarët e Universitetit Teknik të Grazit kanë studiuar se si do të ndikonte në sigurinë rrugore vendosja e dritave shtesë të frenimit në pjesën e përparme të automjeteve. Sipas tyre, kjo teknologji mund të parandalonte deri në 17 për qind të aksidenteve në kryqëzime.

Ndërsa dritat tradicionale të frenimit paralajmërojnë vetëm automjetet që ndodhen pas jush, dritat e frenimit në pjesën e përparme do t’u sinjalizonin edhe këmbësorëve dhe drejtuesve të automjeteve që vijnë përballë se automjeti po frenon.

Shkencëtarët thonë se këto drita do të ndriçonin me ngjyrë të gjelbër, në vend të së kuqes, dhe mund të integroheshin lehtësisht në dizajnin e automjeteve. Ato gjithashtu mund të instaloheshin edhe në automjetet ekzistuese me një kosto relativisht të ulët.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Shkencëtarët, të udhëhequr nga Ernst Tomasch nga Instituti për Sigurinë e Automjeteve, rikonstruktuan 200 aksidente reale trafiku të ndodhura në kryqëzimet rrugore në Austri dhe më pas i simuluan me supozimin se automjetet e përfshira ishin të pajisura me drita frenimi në pjesën e përparme.

Në varësi të kohës së reagimit të pjesëmarrësve në trafik, mund të parandaloheshin nga 7.5 deri në 17 për qind e përplasjeve. Në rreth një të katërtën e rasteve, dritat shtesë do të mundësonin uljen e shpejtësisë së përplasjes dhe, si rrjedhojë, do të zbutnin edhe pasojat e lëndimeve.

Çelësi qëndron te shkurtimi i kohës së reagimit, i cili mund të bëjë dallimin vendimtar mes një aksidenti dhe frenimit në kohë. Megjithatë, kjo teknologji ka edhe kufizimet e saj.

Sipas studimit të TU Graz, të publikuar së fundmi në një revistë shkencore për automjetet, në rreth një të tretën e aksidenteve të rikonstruktuara, dritat e frenimit në pjesën e përparme nuk do të ishin të dukshme për shkak të këndit të pafavorshëm të shikimit.

Për këtë arsye, shkencëtarët rekomandojnë që dritat e frenimit të vendosen edhe në pjesët anësore të automjetit, në mënyrë që sinjali të jetë i dukshëm nga sa më shumë drejtime.

Burimi: Telegrafi