Kryesuesi i seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka bërë thirrje për një marrëveshje politike mes partive, në mënyrë që të zhbllokohet situata institucionale.
Dehari ka thënë se zhvillimet e para tri ditëve në Kuvend ishin pikërisht ato për të cilat kishte paralajmëruar, duke vlerësuar se çdo tentim për vazhdimin e seancës pa një marrëveshje politike vetëm sa e rrit tensionin dhe rrezikun për përplasje fizike brenda sallës së Kuvendit.
Ai ka mirëpritur ftesat për takime të bëra nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, si dhe nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për partitë politike. ” Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për Presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme, diçka që duhet ta evitojmë ”- ka shkruar Dehari.
Haxhiu ka ftuar liderët e partive politike që kanë siguruar ulëse në Kuvend për takim më 18 gusht, në ora , në Zyrën e Presidentes. Sipas ftesës, në takim pritet të diskutohet për zhvillimet politike e institucionale dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e një presidenti konsensual dhe formimin e institucioneve të tjera kushtetuese.
Dehari u ka bërë thirrje partive politike që të ulen së bashku dhe të gjejnë një zgjidhje politike për konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e një presidenti konsensual. Sipas tij, konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për Presidentin do të nënkuptonte rrezikun e zgjedhjeve të parakohshme.
“Qytetarët e Kosovës janë thirrur të vendosin me votën e tyre tri herë brenda dy vjetëve të fundit. Populli ka folur. Tani është radha jonë, si përfaqësues politikë, të gjejmë marrëveshjen dhe t’i japim vendit institucione funksionale dhe të qëndrueshme”, ka thënë Dehari.
Ndërkohë, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e ka kundërshtuar ftesën e Haxhiut për takim me liderët politikë, duke thënë se Aleanca nuk do të marrë pjesë në një proces që, sipas tij, nuk synon zgjidhjen e krizës institucionale.
Në letrën drejtuar Haxhiut, Gjini ka pretenduar se ajo nuk ka mandat për të marrë rolin e “unifikueses së spektrit politik”, duke argumentuar se takimi nuk është thirrur për të gjetur një zgjidhje, por për t’ua atribuar partive të tjera përgjegjësinë për dërgimin e vendit në zgjedhje. “Ju e Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje.
Po kërkoni takim të gjeni fajtor për vendimin tuaj që veçse e keni marrë, për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional”, ka shkruar Gjini. Ai ka thënë se Aleanca nuk do t’i japë “alibi” askujt për dërgimin e vendit në zgjedhje dhe ka përmendur gjashtë propozimet e partisë, të cilat, sipas tij, janë në dispozicion nëse synimi është sigurimi i votave dhe kuorumit.
Në anën tjetër, pas qëndrimit të fundit të LDK-së, PDK-ja ka deklaruar se Vetëvendosje i ka votat e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve. LDK-ja ka deklaruar se është e gatshme të heqë dorë nga kërkesat për pozita në Qeveri, Kuvend dhe Presidencë, me qëllim të zhbllokimit të situatës politike.
