35 vatra zjarri në 24 orë në Shqipëri, 8 vijojnë të jenë aktive

0%

Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin e situatës së zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit, ku janë raportuar 35 vatra zjarri. Aktualisht, 8 prej tyre vijojnë të jenë aktive, ndërsa strukturat e emergjencave po punojnë për izolimin dhe shuarjen e tyre. Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 533 forca operacionale dhe 39 automjete zjarrfikëse.

Në mbështetje të tyre janë aktivizuar edhe 186 efektivë të Forcave të Armatosura, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. Aktualisht në terren vijojnë të operojnë 120 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. Në Dajt të Tiranës vijon operacioni për shuarjen e zjarrit në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës.

Në terren janë angazhuar 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, në Priskë, Farkë dhe zonat përreth, ndërhyrja e 30 forcave të MZSH-së me 6 mjete ka bërë të mundur vendosjen e zjarrit nën kontroll. Në Krujë, vijon puna për shuarjen e vatrave në Abazë dhe Zidoll.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ndërhyrjet nga toka, të mbështetura gjatë ditës së djeshme edhe nga ajri, kanë ndihmuar në përmirësimin e situatës. Në Zidoll, forcat po punojnë për izolimin dhe shuarjen përfundimtare të zjarrit, ndërsa edhe këtu nuk raportohet rrezik për banesat.

Një nga operacionet kryesore vijon në Gurë-Lurë, Dibër, ku hapja e korridoreve me mjete dhe forca ka ndihmuar në frenimin e përparimit të flakëve drejt zonave të banuara. Operacioni vijon me forcat në terren, të mbështetura nga 50 efektivë të FA-së, 2 avionë Air Tractor dhe 1 autobot uji.

Në Qafë Helmes, në zonën Bulqizë-Selishtë, operacioni vijon me mbështetjen e 20 efektivëve të Forcave të Armatosura. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat. Në Lezhë, Elbasan dhe Shkodër vijon puna për izolimin dhe shuarjen e vatrave të mbetura në Lufaj, Dardhë dhe në pyjet e Tërbunit.

Ndërkohë, situata është përmirësuar në Përmet, Trojë, Qukës dhe Paulesh, ku zjarret janë shuar plotësisht falë ndërhyrjes së forcave operacionale.

Ministria thekson se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon monitorimin e pandërprerë të situatës dhe koordinimin e strukturave të Mbrojtjes Civile, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe vënien sa më shpejt nën kontroll të vatrave aktive. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com